PORTRET I PAAUTORIZUAR- Gjergj Luca, njeriu që ndërtoi ëndrrën mbi gërmadha

Sot kur fryma ikanake është shndërruar në një frymëmarrje zoritëse gjoksesh që e kanë të pamundur të ndeshen, është një njeri i vetëm që ka guxuar të tregojë me vepër, se në këtë vend ka ende shpresë, se ëndrrat tona duhet të jenë qëllimet dhe motivimet, vepra jonë e dinjitetshme.

Prologu
Vetëm 5 km larg qytetit të Elbasanit, rrëzë një kodre, në mes Elbasanit dhe Librazhdit, përkundur nga melodia vërshuese e Shkumbinit, ku administrativisht quhet Labinot-Fushë, në një sipërfaqe prej 52 mijë metrash katrorë është ndërtuar Fish City, “Qyteti i peshkut”. Nga gërmadhat, një mrekulli ka marrë shkas dëshmimi mbi forcat e epërme të kurajës për shpresë, nga fantazma e të shkuarës, prekja e engjëjve të besimit beh.
Ai është ndoshta i pari qytet peshku në botë, por edhe nëse ka të tjerë, ky është i pagjasshëm në kërrkënd. Brenda këtij kampusi të madh të shndërruar në një qytet, në begatinë që pluskon nën larushinë e zërave dhe gjallimeve, mund të gjesh gjithçka. Deti dhe legjenda e Rozafës, shpërblesa e duarve dhe dëshirave të shpirtrave të dritshëm, jeta dhe ngulmi i ëndrrave për të qenë të prekur nga magjia e reales. Nën kreshtën e një kodre që fillëron fatin e gjallimit të këtij qyteti, pulson jeta e rreth 1500 punëtorëve dhe ardhacakëve kureshtar, që bujnë në sofrën e bujarisë së ëndrrës si në një prehje dëshirimesh.
Rrugë, sheshe, bulevarde, bar-restorant-hotel, mensa e kooperativës, shkolla, kopshti, markata, teatri, e gjithëçmos tjetër, konturon trajtën e plotë të këtij qyteti.
Gjithëçfarë rrok me sy, përpin me ëndje dhe pjesëmerr me motivim. Në çdo hap dhe frymëmarrje të kësaj krijese të dalë nga legjenda, për të besuar te mrekullia e mirësisë dhe punës, ka një emër, i përket një personi të vetëm, ai është Gjergj Luca.

Ëndrra që hedh shtat mbi gërmadha
Mbi rrënojat e një sistemi ogurzi dhe një barbarie hakmarrëse dhe asgjesuese, Gjergj Lucai guxoi të konturonte “Olimpin e ëndrrave” me gjithë idilikën e vet. Aty ku deri dje e shkuara kudërbonte dhe lëshonte një hije vdekjeje duke përndjekur përdhunshëm çdo gjallim dhe përtëritje, ai ndërtoi jetën e një qyteti që nga gjëneza deri në gjenialitet. Aty ku e shkuara mbante peng të ardhmen përmes këtij dekori frike dhe paniku, shkatërrimi dhe apokalipsi, ky njeri ëndërrtar dhe kurajoz, jetësoi një memorial mirënjohjeje.
Çfarë deti jep me bujari, duar të përkushtuar dhe ide novatore në veprim, e shndërrojnë këtë qytetit si epiqendra e mrekullisë së punës. Te paktën 1500 jetojnë dhe punojnë dhe thurin ëndje në këtë qytet të ideuar, realizuar dhe kompozuar, si shprehi e mendimeve dhe shpirtit krijues të Gjergj Lucës. Gjithëçfarë ai do të kumtonte me zë gjëmues dhe fshikull ndëshkues, e ka stisur si një skënografi gjigande ku njerëz të thjeshtë dhe punëtorë, çapitin të sotmen, në dekorin alegorik të së shkuarës. Ndoshta si për të thënë se asgjë nuk ka ndryshuar dhe gjithçka që duam mund të marrë jetë duke besuar te ideali dhe përkushtimi.

Qyteti që lind nga amaneti
Në përpushjen e asaj mahnitjeje që të qaset, ndërsa rrekesh të jetosh në një çast të vetëm tërë historinë e këtij qyteti, parada e simbolikës që stolis si në një solemnitet këtë gjallesë të shpresës, është ajo që diç kërkon të thotë.
“Kjo është ëndrra ime”, dizenjuar në një fasadë të dukshme, është jo vetëm një mbishkrim që u serviret syve shpues e meditimeve endëse, por dhe postulati i gjenezës së këtij qyteti dhe atij që krijoi atë nga asgjëja. Është ajo që ka yshtur këtë shpirt të lirë t’i jepet këtij fluturimi, është ajo që ka ngucatur Gjergj Lucën të besojë te ëndrra, dhe të shpresojë në ngritjen e tempullit të amanetit të të atit, ndërsa lartëson punën.
Ajo çfarë ky njeri ka sjellë në këtë finale ëndërrtare, është një dëshmi e themeltë, se te ky pasionant i të drejtës dhe mendimit, te ky artist i kurajës dhe motivimit, paraja nuk është pushtet për të sunduar njerëz, turitur ambicien dhe babëzinë, por për të ndërtuar një bedena qëndresë ballë kësaj stuhije ikanake që ka magjepsur mendjet e dritshme e budallallepsur vullnetet e vrara të besimit.

Mrekullitë tokësore të një ëndrrimtari
Ky vend i vogël ka kaq shumë njerëz po kaq të pasur, ndoshta edhe më me shumë të ardhura se sa Gjergj Luca, por ata nuk kanë mundur dot të kapërcejnë egoizmin e sëmurë të viktimizimit të parasë, për të zgjedhur të ndërtojnë përmendoren e tyre të përjetësisë dhe mirënjohjes, atë që ky njeri gjithnjë i qeshur, arriti ta ndërtojë deri në caqet e adhurimit.
Shumë ngulmëtarë të veprës kanë dhënë maksimumin për ta ngritur emrin e tyre në kult, por kanë përfunduar të ngrenë kështjella ngrehaluce megalomanie dhe egoizmi. Kur shohim bukuritë dehëse të vendeve të botës, të cilat janë dëshmitare të një qytetërimi, fare pak nga ne mendojmë, se u ndërtuan si shprehi e blatimit që ata i bënë emrit të tyre… e megjithatë shpirti i mëkuar në ëndje ka yshqyer qiej magjepsës me yje dhe hove rrëmbyese me mrekullim. E kur kjo prekje e beftë e të paimagjinueshmes shkreh në prehrin e topitur të një të tashme plot peripeci dhe zhgënjim, vështrimin hedh lart dhe lutesh, O Zot!
Po, ne jemi dëshmitarë të vullnetit të mirë të asaj që bëri dhe po bën Gjergj Luca. Ata, gra dhe jo vetëm, janë banorë të një devocioni për besim.

Gjergji i Rozafës
E njohin si Gjergji i Rozafës, po që do të mbahet mend si njeriu që ngriti një qytet. Ai është një fenomen. Nuk gjej fjalë që përmbledhtas të mundet të tregojë tërësoren e një individi të vetëm në aspektin promovimit. Ai është i jashtëzakonshëm në të zakontën e veprimtarisë së tij të përditshme. Një i shkolluar për regjisor, që ka punuar taksist dhe ka çapitur në fillimet e tij si një tregtar ambulant, me rini të shkujdesur dhe ngarkuar me barrën e rëndë të amanetit të atit. Është një betejë titanësh, kacafytja e tij me një realitet si i sotmi, ku ai e ka fituar si një provë e vendosmërisë dhe guximit. Përpiqet dhe ngadhnjen, sfidon dhe triumfalisht lë pas çdo gjë dhe një ditë fatbardhë ai e gjen veten në olimpin e gjithçkasë që e lidh me ëndrrën, me atë që është synimi i tij më i lartë.
Atë që ka bërë ai nuk ka mundur do ta bëjë askush. Jo sepse nuk patën mundësinë financiare dhe rrugët e së mundshmes për të shkuar atje, por u mungonte diçka e themeltë, diçka embrionale, diçka që tejkalon të perceptueshmen, u mungonte lartësia e shpirtit, përkorja e njeriut të punës, vendosmëria për të shtytur tej caqet, u mungonte ajo që Gjergj Luca e ka të skalitur në kodin e tij gjenetik, mirësia dhe dashuria.
Ai ka ardhur me një mision, jo aq për tu bërë i pasur, se sa për tu dhënë mundësi njerëzve që besojnë te puna e ndershme dhe përkushtimi, të jetojnë me djersën e tyre.
Fatkeqësisht heronjtë dhe shenjtorët, dishepujt dhe idhujt jemi mësuar ti pranojmë “a priori” si tagër i një ligjësie detyruese pranimi. Sot në botën e epokës më të lartë të iluminimit dhe vetëdijes, në rrokjen e papërmasshme të sundimit, kemi nevojë për të tjerë heronj, për të tjerë mite, për shenjtor që e ndërtojnë altarin e besimit me duart dhe shpirtin e tyre. Ata nuk janë të jashtëzakonshëm. Ata nuk kanë pikuar nga qielli. Është puna dhe vepra e tyre, është angazhimi dhe përkushtimi, me të cilën ata përfaqësohen, ajo që thotë fjalën e fundit. Njëri prej tyre padyshim është po ai, Gjergj Luca.

Më shumë se biznesmen
Do ta pranoja me rezerva steriotipin shqiptar të biznesmenit tek Gjergj Luca. Kjo për mënyrën se si ai ka zgjedhur t’i bëjë gjërat, për mënyrën e të bërit biznes, por edhe për konturimin e marrëdhënieve me njerëzit, si “Thembra e Akilit” të suksesit. Sepse tek ai ka diçka përtej këtij kategorizimi, ose më saktë, tek ai është mishëruar një biznesmen i kalkuluar nga tekstet e mjeshtërisë së bërjes biznes dhe suksesit. Ai është në kuptimin e pakontestueshëm një biznesmen kalibri, jo një dallaveraxhi, një mashtrues, një spekulant, një hajdut, një matrapaz, një zhvatës, një i babzitur, një manjak i parasë dhe veseve. Puna që ai shndërron në akt krijimi, tregon se ai është armik i këtij profili biznesmenësh, me të cilën ekonomia shqiptare ka patur fatin e keq të lidh të sotmen dhe të ardhmen e mirëqenies dhe progresit.

Gjergji djali i Ndrek Lucës
Se cili ishte dhe ç’la në traditën e artit tonë skenik, Ndrek Luca, çdo gojtari do të ishte e mangët dhe çdo superlativë do t’i bënte hije këtij dielli flakatar. Ai, Ndrek Luca i madh, një njeri i dijes dhe urtësisë, ndershmërisë dhe përkushtimit, pasionit dhe devotshmërisë, ai, erdhi për të lënë një emër të madh, një vlerë që do të sfidonte çdo pasuri dhe thesar. Ai erdhi dhe iku, duke lënë pas jo vetëm një galeri të vyer me role dhe karaktere, personazhe dhe profile që mbeten të çmuara në fondin e artë të kinemasë dhe teatrit… ai erdhi dhe iku për të lënë si amanet nderin dhe emrin. Dhe fatmirësisht pati se kujt t’ia linte. Është i biri, Gjergj Luca, ai që e ka konsideruar privilegj dhe detyrë të larët, atë çfarë ati i tij i ka lënë si testament gjeneratash.
Ai nuk druhet se dielli i famës së të atit do të eklipsojë diellin e kurajës për të besuar te mrekullia e punës dhe ëndrrës. Ai nuk ka zgjedhur mekanizmin e dobët dhe përulës të mëshirës për t’iu gjendur njerëzve në nevojë, por mundësinë për punë dhe një jetë të ndershme dhe kjo është gjithçka.

Epilogu
Vepra që Gjergj Luca ndërtoi dhe po e shpie në kufijtë e përsosjes, është një akt bekimi i asaj force që na thërret me zë kushtrues dhe përulësi qiellore, në bëkim. Është ai shembull frymëzues i çdo dëshire që tek njerëz vizionar dhe kurajoz, shndërrohet në hap që ndryshon kohën. Njerëzit që kanë lidhur të sotmen dhe të ardhmen me këtë qytet, janë të shpërblyer nga e drejta e jetës së ndershme dhe mëtimi i atij shpirti mirënjohës që i bën ata të vlertë dhe bujar. “Qyteti i peshkut” është një konstelacion i yjësisë së shpresës, që guxon të rikthehet në këtë vend përmes këtij shembulli, si përtëritës i mundësisë, si i lartësuar në atë që beson. Pas gjithëkësaj madhështie qëndron një burrë, që ashtu siç di të qeshë, ashtu di edhe të kontribuojë që e qeshura të tjerëve t’i ngjajë një rrezatimi. Ai është Gjergj Luca, ai është njeriu që frymëzon, njeriu që vjen të ndërtojë ëndrrën e shpresës mbi gërmadhat e zhgënjimit, ai është një erë e re përkushtimit në besim.

Nga Albert Vataj