Lejo që sytë e tu të jenë prej qielli dhe ëndrrën tënde të jetë jeta jote

Unë akoma nuk kam njohur një njeri të përkryer thotë pozitivisti, Richard Carlson, që të jetë i aftë që të jetojë në paqe me vetvehten.
Megjithatë asnjëri prej nesh nuk resht së përmirësuari cilësisht jetën, edhe pse ajo jo çdo herë arrinë ta mbushi me fruta shportën tonë të dëshirave.
Nevoja për t’u perfeksionuar dhe dëshira për të qenë i/e qetë shpirtërisht janë në kontradiktë përjetësisht, kategorizon, Carlson. Sa herë që synojmë të kemi diçka si e dëshirojmë ne dhe jo ta pranojmë siç është, aq herë në mënyrë definitive i kemi hyrë një beteje të humbur pa filluar akoma. Në vënd që të kënaqemi dhe t`i jemi mirënjohës asaj që kemi, përqendrohemi në atë që nuk shkon sipas nesh dhe fillojmë të mendojmë si ta sistemojmë e përmisojmë. Sa herë që fiksojmë vëmendjen tonë mbi atë që na duket e gabuar, aq herë kjo tregon se ne jemi të pakënaqur e të mërzitur.
Qoftë kur shkaku i mosaprovimit ka të bëjë me ne – një raft rrëmujë, një gërvishtje në makinën e sapoblerë, një rezultat pak i kënaqshëm, ndonjë kile më shumë që do të duhej ta kishim hequr, qoftë kur ka lidhje me të tjerë – me mënyrën se si dikush sillet a jeton, pra vetë akti i përqëndrimit të vëmendjes mbi mosperfektshmërinë e veprimeve e gjërave, na heq mundësinë e të qënit të sjellshëm e të edukuar. Ky rregull nuk predikon aspak që ti të heqësh dorë nga kërkimi për të arritur më të mirën, jo, këshilla kërkon vetëm të pushosh së kërkuari kudo gjërat që nuk shkojnë. Fakti që përherë ekziston një mënyrë më e mirë për të bërë diçka, nuk do të thotë që ti mund të gëzosh e vlerësosh gjërat që ke bërë deri tani apo do ti bësh.
Rëndësi ka që ti të kuptosh e të mos bëhesh maniak duke insistuar se përse janë bërë ndryshe. Mendo përherë i qetë se jeta është shumë e mirë dhe kështu si është në këtë moment, sepse në mungesë të gjykimit tënd vërtetë gjithçka do të shkonte shumë mirë. Dhe kur ti të fillosh të eliminosh nevojën e perfeksionimit në të gjitha fushat e jetës, do të fillosh të zbulosh se sa e perfeksionuar është ajo (Jeta).
Gjithsesi ne nuk duhet të dorëzohemi. Duke i marrë vetvetes gjithçka ajo është e gatshme të na ofrojë, ne kemi rrëmbyer trofeun e njëres prej betejave më të rëndësishme. Ne kemi fituar unin tonë, atë që arrinë të reflektojë në gjithçka, kohë dhe vend, atë pozitivitet, dritë dhe dashamirësi që e përsos marrëdhënien tonë si me realitetin fizik ashtu edhe me pulsin shpirtëror. Lejo që sytë e tu të jenë prej qielli dhe ëndrrën tënde të jetë jeta jote.

Albert Vataj