Justinian Vataj, faleminderit Zotit që më shpërbleu me ty!

Biri im, jo pa shkak zgjodha që të shoqëroj letrën për ditëlindjen tuaj, këtë foto, këtë foto me të shtrenjtën e shenjtëruar, nënë time, gjyshen tuaj.
Në jetën time nuk pata fatin të kisha shumë njerëz që më deshën, njerëz, të cilët guxuan të jepnin nga vetja atë dashuri dhe mirësi që ma dhatë ju.
Nëna ime, e cila prehet në dritën e parajsës, ishte për mua çfarë ajo mbeti për ty deri në momentin kur fryma e saj u këput në prehrin e mamait tënd.
Dashuria që ju i dhatë asaj, ishte më e shenjta ndjenjë që bujarisht mbushi atë shpirt ku kultivohej vetëm mirësi.
Ti vure kokën në prehrin e saj dhe e deshe atë sepse ishte edhe për ty çfarë mbeti përgjithnjë, një nënë me zemër të bardhë e me prehër të ngrohtë.
Ti sot je rritur dhe urtësuar, ke pranuar të jesh ai çfarë bekimi i kësaj nëne të blatoi me gjithë atë forcë shpirti që diti të ishte pafundësisht i begatë në dashuri dhe mirësi.

Biri im që kur zgjodha të kishe emrin e një perandori, emrin Justinian, unë bëra atë zgjedhje, e cila erdhi për të bërë ndryshime të themelta në jetën time. Ishte një emër i bukur, sot mund të them se ke një emër të merituar.

Biri im, faleminderit që zgjodhe të ishe ai për të cilin pata ëndërr, i dinjitetshëm, i drejt, i pastër, i zgjuar dhe zemërbardhë.
Faleminderit Zotit që të fali, nënës, Mira Ukcenaj Vataj, që të solli në jetë dhe asaj të mundshme që përqafove të ishe zgjatim imi, të jesh ajo vlerë dhe pasuri, e cila megjithëse ka gjithnjë e më pak admirues, gjithnjë e më shumë keqkuptim, ti dëshirove të jesh ai, i bindur se do të të duhet luftë dhe përpjekje për ta përfaqësuar dhe mbrojtur.

Biri im, ndoshta keni bërë zgjedhjen e gabuar, të jesh si unë, të jesh çfarë tek unë është për ty një motivim, një referencë, një dëshirim për të arritur atë çfarë dëshiron. Ndoshta zgjedhja juaj të jesh i dinjitetshëm, i drejtë, i pastër dhe me karakter është e duhura. Gjithsesi ajo që mund të të them është se për mua është zgjedhja e duhur, edhe pse ky njeri që ke përqafuar do ta ketë gjithnjë e më të vështirë, për t’u kuptuar, për t’u pranuar. Sepse, bota, biri im, ajo që vullnetmirë vendosi të vije si një mrekulli, rend në kahje të kundërt të gjithë kësaj që për ty është zgjedhja e duhur. Ajo mjerisht është çfarë ti e kupton shumë mirë dhe mrekullisht beson, se mund të ndryshojë nëse secili përpiqet të japë maksimumin, të bëjë më të mirën.
Faleminderit Zotit që më shpërbleu me ty!
Nëna ime, shenjtëruar qoftë bekimi që na dhe, bujaria e asaj mirësie që le peng në zemrat tona.
Justianin të dua pafund, I yti, babai!
Albert Vataj