Gjëmon gjoksi yt në mue. Më lé zog të përndjekun pá fole

Nga Elida Rusta

Po shkoj báshkë me vetminë téme nëpër natë. Pshtova sa mujta, s’baj dot asgjá má. Bash fort m’ke bá me vuejt! Má kalle két trohë shpirt. Përpiqem me mbájt háp qepallat e natês e s’muj. Hiqem rrshánë rrugës së zjarrtë ku digjem çdo çast me nji strajcë shprese të shpueme n’shpinë. Atdheu jém i vocërr, të deshta pasha ty! N’vujtjen téme të thellë e delikate shkriftoj nji grusht dhé të akullt prej shpirtit, 80 kile përbirohem për birë të gjylpanës, dhimtës téme nuk i bjen má asnji ilaç. Ti asht i zemrës, nuk ásht mirë me luejt me zemrën që të do.

Qán Ajkuna me synin tánd, lot gjaku u bien bjeshkëve n’krahnor, në qiell mërdhasin dallëndyshet, lumenjtë rrjedhin deri në shterrim, si anmik má shkele dashninë që páta për ty.

Po shkoj me kryet përmas, pá mujt me i pritë Krishtlindjet. Pak ká mbet me u dridhë prej zemre e kështu perëndojnë edhe lindjet. Nuk ia dhe mundësinë atij dielli me mbledh energjinë që i duhet me ju dhánë nji shpërthimi galaktik e shpirti jém me u shpërndá në mijëra rreze me e mbush krejt botën me dritën tonë. Po shkoj zemërthyeme me aq pak dashni që m’dhe.

Atdheu jém i vocërr, cukël réje mbi ballë të djersitun, diell i ngatërruem nëpër degë, shi i paktë i gjelbrimit tém.

Gjëmon gjoksi yt në mue. Më lé zog të përndjekun pá fole. Unë mësuesja jote Atdheu jém, nuk jam frikacake, më mjafton shenja e dinjitetit që më jep dikush me m’siguru, por ku ta marr? Ku?

Nuk pretendova me i pas foletë në qiell si lejlekët, sall me m’dáshtë në çdo stinë. Atëherë kishe pá si lëkura jéme prej dhjetori ia kish heq ndryshkun shpirtit tánd, si dush me ujë trëndafili.

Njerëz jena veç kur duhena …

Mos bán sehir!

Unë e di që n’synin tánd pikon yje qielli, shkëmbinjtë e tu vlim ruejnë n’zemër. Çka jena mâ shumë se zjérm që shuhet për me u ndez má potershëm. Ti veç fryji këtij zjérmi e ke me pá si ká me márrë zjérm krejt bota. Kahdo të shkoj unë mbes si në krye të herës dhelpën shkretine me shpirt t’butë zogjsh, bijë e gjarpnit dhe diellit, mbesë e Shasit Ilir…s’muj me dásht gjithkénd. U djegsha në mes të Oqeanit mos u kthefsha me pá yjet me ty, me u puth prapë nën hijen e librave të Marin Barletit me burrin që dua, e me u ndi krenare për gabimet e mia.

Elida Rusta