Oj zan e andjes teme, e lumja ti, e gzuemja ti, oj zan, e andjes teme

Oj zan, e dritshmja ti!
N’flok t’borës, t’ngjyft e bardha,
me diell,
and e dëshirim, drita n’ty u paft,
si t’kqyr rrezaj n’kokërr t’snynit.
Ti… m’vjen n’andrra,
n’frym, m’shterron
prush e përpush, e turraz rrëmetshëm shkon.
Qysh bre… hala pa ardh, ik,
pa prajt n’buz as n’qerpik, sheg as lot,
diell as han,
oj e bardha zan, ti qi m’shiton, n’am e n’and.

Oj zan e lumja ti!
Vjen dhe ikën, dhe prap kthehesh,
me m’dogonis,
m’nguc tue m’prush e beftas hup,
t’amëlat fjalë t’marrin hopa, n’afshe t’përkundin
zemra prap t’kthen,
pa mujt me t’ndal ikjes me i’u dhan.
Shkon kah fryn e gjimon,
e pran ku t’dhemb
syve qi i krisi qielli,
lyp dritë me pa e me kja,
buzës qi t’kafshoi puthjen,
e ndin n’gishta si dridhet,
e n’shpirt gjegjesh me përpush andrrat,
andjet qi dimnat t’i shuen n’ball.

Oj zan, e andshmja ti!
N’flok t’borës e n’teh t’dritës ta ceki gjoksin
preki drojshëm ku epshi çon tallaz
strukem frigue, ku mshefen fëminit e pendimet
hanave kredh andjen teme,
me u ndez me yllin qi t’pikoi n’sy.
Praj ti prrue,
qi vertik teposht, me rrëmet e mraz,
lagmi shputat e ardhjes,
andrres qi n’ves mu shterr
mëkom ç’ka m’ledh e m’trishton,
n’se ka puthje n’njata buz e prush n’njt shpuz.

Oj zan e gzuemja ti!
Paja njiher n’shkreptim t’gjoksit,
daju vetmis, me m’ardh ma ngat,
kërko me m’dasht, siç un’ po t’due
tu ndejt me droje,
si mbi teh t’dallgësh, e n’grep t’hanës,
don ikjes rishtas me ju dhan,
si tue mos kan,
nji prehën gaca bjen,
e thengjinj t’ndezun me vedi merr.

Oj zan!
Pash hatrin e Zoti, ç’ka ke qi s’po din me nejt,
n’se don, pse s’mundesh,
as me shkue nuk ke nxan hala, se si,
beh papritun kur tue t’prit jam,
hup beftas, kur ardhja s’asht msue hala me ty.
Ti ik e eja,
qysh t’dish e t’dush, ban,
mos mujsh ma mir…, anmiku jot,
mue tue t’prit m’gjen,
me lamtumirën n’krisjen e zemrës,
me lotin n’cep t’qerpikut
me dridhjen n’plasa t’buzës.

Oj zan, e andjes teme!
Ç’ka t’ban me vuejt ma shumë se me dasht
qi s’po t’len njajo zemër me këndue
veç me kja.
Ani bre zan, ban ç’ka t’duesh,
n’daç hajde e rrim tue u dasht,
n’daç ikim tue mësue ç’ka asht ndamja,
tue i fol vetmis e t’u prek pragun me pritje,
Ti hajde prap, e ik,
un’…
Ti vjen për me ik, e un’ s’muj me t’msu se si rrihet,
n’zemrën qi t’ka ba vend,
n’shpirti qi për ty shend e dhemb,

Albert Vataj