E mundshmja për të mbetur i mirë me të gjithë, ekziston?!

Sot, gjatë ushtrimit të detyrës së përditshme të një familjari, hedhjen e mbeturinave, bërjen e pazarit, takova rastësisht një të moshuar të lagjes, mbi 90 vjeç. I zgjata dorën dhe ai më blatoi të tijën të shterruar nga mishi, ku dalloheshin qartë damarët blu.
Si je me shëndet?, i thash.
– Mirë më tha si nëpër dhëmbë, sikur nuk dëshironte të linte vragë ankimi, dëshirës sime për mirësi.
Ndërsa akoma nuk më kishte lëshuar dorën, mundi të më thoshte me një zë që dukej se i buronte nga thellë.
– A e di se sa të dua?
Natyrisht që më pëlqeu kjo pyetje retorike, por me shumë mirësjellje dhe pa lëshuar veten , me dorën tjetër i rraha supin, duke ndarë me të një buzëqeshje që shteroi në sytë e tij të zhytur thellë në gropat e kafkës.
U përpoq të më tregonte arsyen se pse ai kishte krijuar një përshtypje të tillë, me fjalë e më dorën tjetër që i dridhej, me të cilën lëmonte dorën time që ende mbante të shtrënguar të tijën.
– Qofsh jetëgjatë bir, i mirë, ashtu siç je!
U përshëndetëm dhe u ndamë. Ai më kurrizin e përthyer nga vitet, që rendte duke numëruar hapat, unë largohesha duke e kthyer kokën pas dhe duke menduar.
Ky njeri, me të cilin nuk kisha patur kurrë të bëja, vetëm ndonjë mirëmëngjes apo mirëmbrëma?!
Ikja dhe mendoja, se sa e vlertë është të jesh i mirë, dinjitoz, i sjellshëm dhe bujar me njerëzit, me një fjalë të vetme, e pse jo me të gjithë, ndoshta ngase askush nuk ka ardhur në këtë botë të jetë ai që rrethanat dhe jeta detyron dhunisht ta bëjë duke e tjetërsuar.
Mendova!
Bëje të mirin, aq sa mundesh, o njeri.
Mirësia është ndoshta një nga veprat më të vështira, por mbetet një nga aktet më sublime dhe një gjurmë përjetësie, që lë si dëshmi e obligimit të gjeneratës për mirënjohje. Asgjë nuk është më e vështirë dhe asgjë nuk vlen më shumë. Gjithçka tjetër ikën duke humbur në boshin e harrimit dhe zgafellat e terrta të thashethemit.
Edhe atëherë kur gjithçka është kundër teje, mos u largo si dështak pa lënë aty gjurmët e përpjekjes. Ne të gjithë kemi nevojë për atë begati shpirti. Ai që mundet le të provojë dhe të shohë se nga të gjitha veprat që ka bërë dhe bën, ka diçka shumë më të lartë dhe më të shtrenjtë për të kultivuar në truallin e rrugëtimit që bën, në të tashmen që pjesëmerr.
Ij njeri i mirë dhe do të jesh i shpërblyer me atë që gjithnjë ke merituar dhe do të paguhesh me atë çmim, pikërisht atëherë kur ti mund të blesh vetëm me vlerë mirësie.
Ndizu në atë dritë që shihet me të gjithë!

Albert Vataj