“Befasia”, shastisëse dhe ngasëse e Afërditës franceze të piktorit, Claude Marie Dubufe


Arti është gjithnjë befasues, ai godet duke tronditur nga themelet hutimin dhe apatinë tonë. Arti ka aftësi terapeotike, kjo është e vërtetuar shkencërisht, dhe… e provuar nga ato shpirtra të pasur, për ndikimin përshkues dhe aftësinë për të depërtuar thellë, duke trazuar edhe lumenjtë e përgjumur të platitjes. Arti në përgjithësi, piktura në veçanti na përshkojnë përmes sensorëve të shijimit viziv, përmes asaj ngucame të beftë, duke na përkundur në ëndërrimin e atij dëshirimi mrekullimesh që munden ti garantojë vetë perëndia e së bukurës, arti.
Piktura “Befasia” e Claude-Marie-Paul Dubufe është vërtetë një kaplim i beftë i magjepsjes së krijimit. Si çdo ngasje tunduese për t’u lëshuar në krahët e një adhurimi, edhe kjo pikturë e francezit të njohur të zhanrit dhe portretit, është e tillë joshëse dhe tunduese. Kjo grua e kapur në befasi shquan një tipar sa të shkujdesur aq dhe të tensonuar, atë të mbulimit të pjesëve të zbulura të turpit, atyre pjesëve që e bëjnë të flakërijë, që e bëjnë të dorëzohet, të bart feminilitetin e saj kaq të adhurueshëm. Piktori ka arritur t’i japë jetë kësaj gruaje me një ndjesi kaq të brishtë gjallërie sa arrin t’i dallosh damarët nën lëkurën e argjenttë. Gjithë ansambili i elementeve të feminilitetit është i endur me kaq vërtetësi dhe ndjenjë, thua se piktoria ka dashur ta ndajë atë emocion të tijin me miliona ëndje dhe adhurime që do të mbrunte dëshirimi në shekujt që do të pasonin “të gjallët” e joshëse të kësaj gruaje, të kësaj perëndeshe që vjen nga magjithë helenistike për t’u bërë përfytyrim dehës i një francezi të sqimës.
Claude-Marie-Paul Dubufe (1790 – 1864), një piktor historik francez, zhanër dhe portret, lindi në Paris në 1790 dhe studioi nën Davidin. Subjektet e tij ishin fillimisht klasike. Me kalimin e viteve ata u shvendosën duke u pozicionuar te piktura e tematikës fetare. Veprimtaria e tij krijuese spikat kryesisht tek portreti. Dubufe, ishte përfaqësuesi i fundit i shkollës së Davidit, vdiq në Selle-Saint-Cloud më 1864.
Albert Vataj