Arjola Zadrima, kjo poete që kap shkrepëtimshëm çastin

Nga Albert Vataj

Në këtë ditë shtunë mestetori, në Tiranë ndodhën shumë gjëra, siç ishte dhe ajo në Qendrën Rinore, ku admirues të poezisë, por dhe të fotografisë, ishin mbledhur në promovimin e një libri, në afrinë që zgjon secili nga vetja për t’u bërë pjesë e një evenimenti kulturor, larg politikës së zullumit dhe përmjerrjes televizive të “orakujve” të së keqes.
Ajo që “guxon” të prishë këtë panoramë gri duke sjellë ngjyra dhe dritë Shkodre është poetja, Arjola Zadrima. Një shkodrane që kërkon të përfshijë në përjetimin e një ngjarjeje poetike edhe Tiranën, miqtë e saj dhe gjithë ata që perëndia e poezisë i thërret në besim.
Zadrima sjell në këtë komunikim kryeqytetas vëllimin poetik “Carpe Diem”, libër i cili shoqërohet me poetikën fotografike të shkodranes së talentuar, Iden Temali. Poezia gegnisht vjen në këtë tubim për të dëshmuar se letërsia shqipe po përfaqësohet gjithnjë e më shumë nga kumtimi krijues femëror. Dhe Arjola Zadrima është një poete që ka ditur të rrëmbejë zemrat e lexuesve dhe të shtojë radhët e admiruesve të rrëfenjës me zemër në dorë. Zadrima është vlerësuar dhe tenton një vend në panteonin e poezisë moderne shqiptare, një vend të merituar, një risi në lëmin bujar të asaj përfaqësie.
Mes të pranishëmve në këtë tubim ishte Primo Shllaku, një personalitet në fushën e letrave, i cili foli në pozitat e redaktorit të librit dhe përfaqësuesit të vlerave të një standardi të përcaktuar të lëvdrimit letrar gegë. Ai vuri theksin te poezia e Arjola Zadrimës në veçanti dhe të poezia e “Amazonave”, këtyre luftëtareve të zërave të shpirtit. Ata po kërkojnë dita-ditës të marrin interesim dhe të vendosin pozita konsiderimi për çfarë ata përfaqësojnë, për çfarë ata i thërret në këtë shprehi artistike, poezisë.
Në popullimin e begatë të poezisë dhe botimeve, Arjola Zadrima është një zë i përveçëm, ajo është një poete që kap çastin përmes një kumtimi poetik shkrepëtitës, përmes një gjendjeje, e cila duke shpërthyer fuqishëm prej krahnorit të shpirtit të një vajze, të një gruaje, të një nëne, shndërrohet në një thirrje të potershme. Ajo, Arjola Zadrima nuk lejon t’i ikë çasti, t’i shterrojë mundësia që sjell me “Carpe Diem”.
Poezia për Arjolën është një shkrepje, një çast magjik dhe po arrite ta kapësh atë çast atëherë bëhesh drita në terrin e njerëzve dhe siç shprehet ajo, je me fat. Ideja e botimit të librit “Carpe Diem” ka lindur bashkë me dëshirën që poetja kishte për të dhënë diçka nga vetja dhe ajo ka arritur më të mirën e saj.
“Kur e kupton që ajo çka shkruen prek zemrat e lexuesit, i thue vetes, pse jo , pse mos me dhanë ma të mirën tande, poezinë”, kumton ajo. Carpe Diem vjen si një shkrepje çasti për poeten, një lloj si poezi e saj një dashuri në lexim të parë.
“Unë jam e dashurueme me shprehjen latine të Horacit “grabite ditën, jetoje jetën ose kape çastin” mbi të gjitha jam e dashurueme me poezinë e mrekullueshme të poetit dhe gazetarit të mirënjohur amerikan Walt whitman me të njëjtin titull dhe me një mesazh mjaft domethënës, varg për varg… ku ndër të tjera thotë “Mos e braktis’ entuziazmin për me ba jetën tande të jashtëzakonshme”. Edhe përbërja e këtij libri është e mbushun me çaste që ikin e nuk kthehen”, shprehet ajo.
E veçanta e këtij botimi është se poezitë shoqërohen së bashku me fotografi, një ndër gjërat më të bukura që do hasni në të. Autorja për të sjellë këtë ka bashkëpunuar me mikën e saj, fotografen Iden Temali, e cila pasi i lexoi, i mbështolli me shpirtin e saj poezitë, krijoi e u dha jetë vargjeve me shkrepjet e saj të mrekullueshme.
“Zgjodha fotografinë, sepse mendoj se asht një nga ato arte që ka poezi në shkrepje, ka poezi në çast dhe kur dy zhanre mjaft tërheqëse shkrihen me njëri-tjetrin lind një vepër e bukur”, shprehet Arjola Zadrima për KultPlus.
“Carpe Diem” përmban brenda vetës 33 poezi, të cilat janë shkruar ndër vite duke përfshirë edhe poezi të shkruara së fundi dhe rreth 30 fotografi. Poezitë janë të thurura në gegënishte, e që për poeten është një melodi hyjnore që kur ndërthuret në vargje, të fal ndjesi të papërshkrueshme. “Lum kush mundet me e ndërthurë”, potencon poetja Zadrima, e cila nuk ka një rutinë të shkrimit, thjesht fillon të thurë vargje atëherë kur i dridhen telat e shpirtit të saj, pasi pikërisht atëherë lind poezia për të.
Poezia është një lum, me një rrjedhë të fortë, ku poetja Arjola Zadrima ka frikë që të zhytet se e merr me vete, por që gjendet shpesh brenda kësaj rrjedhe. Një rrjedhë prej së cilës buron çdo herë DASHNIA, kryefjala e poezisë së Arjolës. Por brenda saj lexuesi gjen më shumë se dashuri, gjen një forcë, një forcë e cila lind pikërisht nga dashnia.
Kjo është Arjola Zadrima, kjo është poezia, ky është shpirti i një gruaje të fortë, e cila sfidon botën, sfidon befasitë e saj me një shpirt që di po aq sa të dhembi edhe të dashurojë.
Vargu, ritmi, muzikaliteti, vërshimi, eksplodimi janë një relitet shprehës poetik në qasjet e kësaj kumtuesje shpirti, shpirti që vibron përmes frekuencave dhe dridhjeve shkundëse, shkallmuese, lënduese, por jo nënshtruese. Zëri i saj është zëri dhe vullneti i shumë grave dhe nënave, të cilat siç përpiqen me përkushtim dhe devocion të ngrenë në qiell kultin e nënës, përfshihen, japin dhe i blatojnë kësaj ure të dritshme komunikimi, atë mundësi të fashitjes së kufinjve, ndalimeve, dimensioneve të kohës. Arjola Zadrima u tregon të gjithëve çfarë shpirti i saj ndjen. Të gjithë arrijnë të kapin në pulsin e saj rrahjen e zemrës së tyre. Ata janë në çdo përjetim që poetja e ka kallzim të saj të kristaltë, sepse edhe ajo ka zgjedhur të dëgjojë trokitjen e çdo kraharori ku stuhitë që në ta përplasen, janë betejat që na fton sfidues të jetojmë, gjithmonë, në çdo çast.