Zhan Pol Marat revolucionari i vendosur, mjeku dhe shkencëtari, një prej gazetarëve më popullorë të revolucionit francez

Nga Albert Vataj

Më 13 korrik 1793 – Gazetari dhe revolucionari francez Jean-Paul Marat i fraksionit radikal Jakobin vritet në vaskë nga Charlotte Corday, anëtare e fraksionit politik liberal Girondin. Marat ishte mjek, shkencëtar, teoricien, i njohur për karrierën si gazetar dhe politikan ekstremist gjatë Revolucionit Francez. Ai u shqua për tonin ashpër, qëndrimin pa kompromis ndaj udhëheqësve dhe institucioneve të dalë revolucioni. Duke botuar pikëpamjet e tij në pamflete, pankarta dhe gazeta, Marat u bë zëdhënës jo-zyrtar i grupit republikan jakobin që erdhi në pushtet pas qershorit 1793. Me vdekjen e tij, Marat u bë idhull për jakobinët, një lloj martiri revolucionar.
“Mos u gënjeni, kur ju thonë se gjërat janë më mirë tani; edhe nëse nuk ka varfëri për t’u parë, sepse varfëria është e fshehur; edhe nëse paguheni më shumë dhe mund të përballoni për të blerë më shumë nga këto mallra të reja dhe të padobishme të cilat industritë ua ngecin; madje edhe nëse ju duket se kurrë nuk keni pasur kaq shumë më parë, sepse është vetëm sllogani i atyre që ende kanë shumë më tepër se ju”.

* Marat studionte shumë. Për këtë thoshte:
Studimi është bërë për mua një nevojë nxitëse e shpirtit. Kënaqësitë më të mëdha i kam gjetur në studimet. Për të nxjerrë numrin e parë të gazetës së tij “Miku i popullit” Maratit iu desh të shpenzonte çdo gjë, bile të shiste edhe çarçafët e tij. Gazeta pasqyronte polemika të ashpra të lexuesve, ndaj gazeta u sekuestrua disa herë.
Marati u fsheh shtëpi më shtëpi deri sa gjeti strehim e mikpritje te qytetari Evrad, me vajzën e të cilit, Simonën, ra në dashuri. Ai e çoi Simonën pranë një dritareje, e vuri dorën e tij mbi dorën e shoqes së tij të dashur dhe i propozoi të martoheshin:
– Në këtë tempull të gjerë të natyrës kërkojmë dashurinë e zotit për betimin e përjetshëm të besnikërisë.
Simona u kënaq me këtë rit të thjeshtë dhe që nga ai çast e quajti veten bashkëshortore të Maratit.

* Kur e akuzoi Konventa, Marati nxori revolverin, vuri grykën e tij në tëmth dhe tha:
– Në qoftë se ngulni këmbë me këtë akuzë unë do t’i hedh trutë në erë këtu në këmbët e kësaj tribune. Kjo do të jetë mirënjohja që unë kam për atdheun dhe revolucionin.
Askush nuk e përmendi më akuzën kundër Maratit.

* Gruaja e Maratit, Simona, nuk po lejonte të hynte në shtëpi një vajzë e re, e bukur dhe elegante. Ajo mbante në dorë freskore dhe në supe kishte hedhur një shall të bukur në ngjyrë të kuqe. Marati urdhëroi që e panjohura të hynte dhe Simona nuk e kundërshtoi më.
Pak minuta më vonë u dëgjuan rënkimet e mbytura të Maratit që po vdiste. Vizitorja, Karlota Kardai, bashkëpunëtore dhe agjente e zhirondinëve, e kishte vrarë.
Karlota Kardai e vrau Maratin kur po korigjonte bocat e gazetës së tij. Gjaku që shpërtheu prej plagës së hapur nga thika rodhi mbi faqet e gazetës “Miku i popullit”.
Davidi bëri një tablo kur paraqiste vrasjen e Maratit. Poshtë saj shkroi “Pasi nuk mundën të më korruptojnë më vranë”.