Van Gogh nuk mund të ikte pa lënë në pikturë shtegun që e çoi tek fundi tragjik

Rruga drejt fundit kalonte përmes një shtegu që strukej thellë në shpirtin e tij të trazuar. Gjithsesi ai nuk reshti së punuari, ndoshta për të treguar përmes ngjyrave, toneve dhe trajtave shprehëse atë që e mundonte atë zemër të drobitur e besimshuar. Kridhej fushave dhe mendimeve dhe endte më shkujdesjen e tij pore pas poreje grunava dhe rrugë, korba dhe qiej të mrylët.
“Fusha e grurit me Korba” është një nga pikturat më të famshme të Van Gogh. Kritika dhe studjuesit e shumë njëmenden se kjo është piktura e tij e fundit. Tematika është një trajtesë e njohur nga punët e piktorit, por detajet që përbëjnë tërësoren e këtij komunikimi estetik janë dëshmimtarë të një domethënie ngjethëse që lexohet qartësisht. Qielli kërcënues, korbat dhe rruga e vdekur, thuhet se parathonë fundit të jetës së tij që po afronte. Gjithsesi ky është ndodsta vetëm një mit që i është bashkëngjitur kuptimsisë dhe mesazhit që piktori ka dashur të dëshmojë përmes kësaj pikture. Muaji korrik i vitit 1890 ka edhe punë të tjera. Van Gogh donte që fushat e tij të grurit të ishin nën qiellin e stuhishëm për të shprehur ‘trishtim, vetmie ekstreme’, por në të njëjtën kohë donte të tregonte atë që ai e konsideronte ‘të shëndetshëm dhe fortifikues për fshatin’. Van Gogh përdorte kombinime të fuqishme me ngjyra në këtë pikturë: qielli blu dallon me grurin e verdhë-portokalli, ndërsa e kuqe e shtegut është intensifikuar nga brezat e gjelbërt të barit.
Dhe ja ku gjendet një shteg që e shpie tek fundi, një fund që përzihet me erën e barutit dhe krismën e një arme, një fund që e dergj në orë agonie për të paguar shtrenjtë çmimin e pendimit. U shua tragjikisht dhe tragjike i la tablotë e tij të fundit të atij korriku përvëlues të vitit 1890.

Ishte 27 korriku i vitit 1890 kur Vincent van Gogh shkon tek çifti i pronarëve të hanit ku jetonte. Ndihej shumë keq. U tregon se kishte qëlluar veten me një revolver në një fshat aty pranë varrezave në Auvers-sur-Oise, ndërsa pikturonte veprën e tij të fundit. Vdiq më 29 korrik dhe u varros një ditë më pas në po atë varrezë ku u qëllua. Në funeralin e tij ishin të pranishëm i vëllai Theo, doktor Gachet dhe shumë artisë. Arkivoli mbulohet i gjithi me luledielli. Pak muaj më pas, më 25 janar 1891, vdiq i vetëvrarë edhe i vëllai, Theo, i cili u varros krah Vincentit, ku prehen në varre identike


Albert Vataj