Përveç vetes, nuk duhet harrar se i përkasim edhe diçkaje dhe dikujt që na meriton kaq shumë

Albert Vataj

Letër mikes sime virtuale

E shtrenjta mike, vendosa të të shkruaj, ngase fjala e stolisur në urtësinë e mendimit është më afër se zëri që e përshkojnë vibrimet e distancës dhe kumbimi jehues.

Mikja ime, jeta nuk është ashtu siç ajo rreket të shpërfaqet përmes publikimeve të ndryshme në rrjetet sociale
Ti nuk ke pse të kesh frikë nga rudhat në fytyrë, as nga sytë e skuqur të një natë të gjatë cfilitëse pa gjumë, duke vigjëluar fëmijën, i cili ishte sëmurë. Nuk ke pse brengosesh nëse buzëqeshja jote nuk ka të njëtin shkëlqim dhe fytyra juaj nuk mban të njëjtin lëmim të xhamtë të dhjetra mikeve dhe të njohurave tuaj, të cilat nuk reshtin së fotografuari veten.
Për një gjë të vockël ti duhet të shqetësohesh, për paaftësinë për të kuptuar rëdësinë që ka kjo paradë fotografike e shoqeve tuaja, dhe kallzimi të kudogjendjes së tyre. Ti mund të mos jesh aq e bukur, aq e freskët, aq joshëse sa ç’përpiqen të demostrojnë në këtë lojë narcizmi ato dhjetra dhe qindra gra që shfrytëzojnë këtë mundësi komunikimi që ofrojnë rrjetet sociale për; t’u shitur dhe shtirur, duke ta shpifur.
Ti je nënë, je bashkëshorte, je amvisë, je punëmarrëse, je gjithashtu dhe mike, dhe gjithë kjo sipërmarrje që kërkon prezencën tuaj, jo vetëm nuk ju jep kohën e domosdoshme për t’iu kushtuar kësaj histerie vetëfotografimi apo vetëkallzimi, madje as për ta gjykuar saktë se deri në n’caqe mbërrin rrezatimi toksik i këtij budallalleku.
Unë kam bindjen se, hera-herash ke kërkuar brenda vetes përfshirjen në këtë parodi, ndoshta edhe e ke bërë, mund edhe të të ketë shijuar, por fakti se ti vijon ta mbash vetveten larg kësaj përfshirje varësie kërcënuese, dëshmon se pësimi të është bërë mësim dhe në ty ka patur aq forcë sa për t’u penduar, për të mbetur thelbësisht ajo që je, dhe gjithçka rreth teje për të marrë nga ty atë që meritojnë, atë që për ty mbetet sublime.
Më mirë se ju, askush nuk mund ta dijë nëse distancimi nga rrjetet sociale, ose më mirë përdorimi i tyre me karar, është një veprim i zgjuar i një nëne, i një bashkëshorteje, i një amvise, apo është një gjëndje e dëshpëruar që të ka kapluar duke të të mbajtur larg kësaj skene groteske dhe këtij manipulimi shterrues.
Ndoshta jeni duke e menduar të hiqni dorë nga obligimet që e fisnikërojnë misionin tuaj dhe t’i ktheheni rrjeteve sociale me kohë të plotë, më shumë se për të treguar se sa e bukur jeni, për të na e mbushur mëndjen se sa zgjuarsi dhe talent fshihni brenda vetes, dhe se rrekeni të ndërtoni ura komunikimi pikërisht atëherë kur vërtetë keni diçka të vlertë për të bashkëndarë me ne, siç ju karakterizon eleganca e pozicionimit si dëgjuese dhe lexuese, në ato herë që kërkoni dhe gjeni në këtë botë të madhe diçka nga shumëçka për të cilën ju keni nevojë.
Nëse mëdyshja të pëshpërit në vesh si një zë ndjellakeq dhe një pjesë e juaja është gati të jepet, gjithnjë jeni në kohen dhe vendin e duhur për të bërë atë që mendon se është e drejtë, mike. Ndaj, zgjohu dhe jepju një rebelimi, thuaje dhe bëjë; në djall vafshin nëna, gruaja, amvisa, punëntorja, mikja, dua edhe unë të bëj si gjithë të tjerat. Dua edhe unë të shijoj dehjen e kësaj kupe, marramendjen joshëse të këtij kaplimi. Lëre fëmijën të qajë se i zgjerohen mushkëritë, burri le ta hekurosë vetë këmishën, për të ngrenë mund të porosisësh ose të drekosh jashtë, punës bëji ndonjë marifet se nuk je as e para dhe as fundit, kafenë me miket mos i refuzo më se janë raste që nuk kthehen, bëji foto vetes, retushoi në programet ndihmëse të telefonit dhe publikoi, prano miq të rinjë dhe ktheu përgjigje mesazheve, lejoje veten të përfshihesh në ndonjë flirt që të mundësohet kësisoj… dhe do të shohesh se nuk është dhe aq keq, jo, madje do të jeni gjithnjë e rrethuar nga një brerore e vezullimtë vetëkënaqësie, lajkatimesh e fluturimi në re.
Do të ngjiteni lart, shumë lart, dhe kur të zgjohesh, rënia mund të ju ngjajë si fluturim… deri në momentin kur të plandoseni përdhe, duke u shpërbërë në qindra copa pendimi, të cilat nuk do të mund të t’i bashkon as përulja dhe të t’i ngjitin as lotët.
Ndaj… ti e di më mirë se ç’është më e mira për ty. Përveç vetes, nuk duhet harrar se i përkasim edhe diçkaje dhe dikujt që na meriton kaq shumë.
Juaji
Albert Vataj