Në çdo fjalë asht e ngjizun në prushin e dritave dhe ngjyrave ma të bukurave kujtime

Nga Albert Vataj

Sot në ditëlindjen tande, i shtrenji daj, meriton nji dhuratë fort ma t’çmueme se kjo fotografi, në t’cillën kena dalë s’bashku n’njat vit t’largët dhe këto radhë t’qendisuna me ma t’andshmen përzemërsi, temen për ty. Kjo foto, ka mbetun nji prej gjanave ma t’çmume dhe nji kujtim qi m’përmall, m’çon nëpër ato kohë t’largta, t‘cilat m’mbushin dhe më përlotin. Në të ka njaq episode dhe gjana t’bukura, sa mundet me mbet vërtetë nji kartolinë qi meriton, si sod, si atëherë qi dritshëm kemi fokusi n’kyt foto.
Mendova se tue ndigju zemrën, me i’u përgjigj asaj siç vetëm ajo din. E sot për ty, si për nji prej ma t’shtrenjtve t’zemrës teme, gjegjet me than:
Fort i shtrenjti daj, të uroj nga zemra jetë të gjatë, shëndet dhe lumtuni. Paç bekimin e ma t’naltit vullnet qi t’mush me besim. I gazmendem kësaj dite lume që me jepet rasti të ju falenderoj, dhe t’u shpreh mirënjohjen për gjithçfarë ti bëre për mua, dhe për gjithçmos që na lidhi së bashku më shumë se nip e daj. Fati më shpërbleu të rritem afër teje dhe të marr nga ti atë shkëndi pasioni për të ndezur brenda veten një diell, rrezet e të cilit t’u bëhen ngjyra dhe vezullim çdo ëndje dhe dëshirim.
Jeta jote, kjoftë e pasosun dhe përplot me pasione për të bukurën, e gazmues e shëndetplotë kjosh në motivimin për me përshku dritëshumë vitet e moshës tënde, sa zemra jote munet me i ngop me zjarm e dëshirë.
Janë ditëlindjet, këto ditë kur sofra e gazmendit dhe haresë merr përmasat e pafundsisë, e unë, si të tjerët që kanë hy e dalë nga jeta jote, dhe e atyne që kan met përjetësisht në zemrën tënde, thërras t’tana vullnesat e shëlbyme të mirësisë dhe devotshmërisë, për me u ba kanga më e hareshme e këtij urimi, për me u ba zani ma kumbues i këtij gazmendi, për me u ngjit në apogjeun e t’tana andjeve e prej andej me kungu nji ma të hyjnizuemen mirënjohje, atë ndaj prindërve tuaj dhe gjyshërve të mij të patëdytë, të cilët nga qielli në këtë kremte korriku stërpikun kthjelltësinë me ma t’shndritshmet yje, me dakordësu dashninë për ty, përmasat e së cilës i kanë lanë në krahët e pafundësisë.
Kjo asht nji dhuratë modeste daja im, miku im, por është përplot me dashni e vullnesë mirësie dhe mirënjohjeje. Në çdo fjalë asht e ngjizun në prushin e dritave dhe ngjyrave ma të bukurave kujtime. Ky urim shkon edhe për familjen tënde të mrekullueshme, miqt, kolegët dhe krejtkush asht ba pjesë e ditëve tua më të bukura, dhe atyne që e mbushin me ngjyra dhe dritë, dhurata dhe urime këtë ditë të ditëlindjes tënde.
Të rrok fort, nipi juaj, Albert Vataj,