Lev Tolstoi është një nga ato pena, të cilat shkruan një vepër që mbeti testament në letërsinë botërore

Nga Albert Vataj

Kujtesa dhe kremtimi i përjetësisë së atyre që erdhën me një mision të lartë, mbetet gjithëçfarë një brez lips të tregojë se sa ai e ka rrokur atë dimension shpirtëror, se sa ajo shprehje ka lënë gjurmë për të cilat i është mirënjohës. Lev Tolstoi është një nga ato pena, të cilat shkruan një vepër që mbeti testament në letërsinë botërore. Kjo kreshtë e lartë e mendimit dhe kumtimit estetik cek qiejt çdo epoke dhe manifeston forcën e çdo qëndrese që i blatohet besimit tek e bukura dhe mendimi.

Letërsia ruse dhe kumti krijues i tempullit të rrëfimtarisë botërore, janë të mishëruara në shpirtin e Lev Tolstoit, në zërin dhe zemrën e një kurmi të temperuar në kudhrën e hekave dhe dhimbjeve si një ngulmim, i cili merr forcë duke mposhtur peshën e rëndë që jo vetëm nuk e nënshtron, por e bën më të fortë, i jep më vitalitet dhe shpërfaq në të mundshmen e tij ato kapacitete që zgjohen për të sprovuar se deri në çfarë caqesh mund të zotërojë pasioni. Memoria e kërshërisë letrare është e lidhur më të që në zanafillën e andës për të bukurën dhe ka vërshuar në gjakun e kallur duke e përtërirë të hyjshmen si prej hirit. Pjesa më solemne e këtij jetësimi është depërtimi që ka promovuar në kremten estetike të gjithëkohjes tekstshkruese, krijimtaria e Lev Tolstoit.

Lev Tolstoi u lind më 9 shtator të vitit 1828 dhe vdiq më 20 nëntor, 1910. Ai do të njihet në historinë e letërsisë dhe mendimit si; shkrimtar, novelist, eseist, dramaturg dhe filozof rus. Veprat e tij monumentale mbeten, “Lufta dhe paqja” dhe “Ana Karenina”.

Albert Vataj