Konferenca e Mukjes, aty ku lindi nga nacionalistët dhe u varros nga Enver Hoxha idea e Shqipërisë Etnike

 

Mbledhja e Mukjes u mbajt prej 1-3 gusht 1943. Aty morën pjesë 12 përfaqësues të Frontit Nacionalçlirimtar dhe 12 përfaqësues të Ballit Kombëtar. Pas shumë diskutimesh dhe lëshimesh të dyanshme, u arrit marrëveshja për luftë të përbashkët dhe të menjëhershme kudër pushtuesit përkrah aleatëve të mëdhenj. Gjithashtu, u krijua edhe Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë si një organ i përbashkët i drejtimit të luftës që përbëhej nga 6 përfaqësues nga secila palë. Në programin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë parashikohej, jo vetëm lufta për një Shqipëri të pavarur e të lirë, por edhe lufta për një Shqipëri etnike. Kjo kërkesë dhe marrëveshje për bashkëpunim me Ballin Kombëtar nuk u pëlqeu të dërguarve jugosllavë dhe Enver Hoxhës, që zbatonte këshillat e tyre. Prandaj, marrëveshja e Mukjes nuk u pranua nga Partia Komuniste e Shqipërisë. Ky qëndrim i Partisë Komuniste i përçau shqiptarët dhe i nxiti luftën kundër njëri-tjetrit.
Marrëveshja e Mukjes u nënshkrua më 2 gusht 1943 në fshatin shqiptar të Mukjes midis Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë për të bashkërenduar e rezistencën shqiptare në Luftën e Dytë Botërore dhe për tu përgatitur për të ardhmen e Shqipërisë Etnike.
Marrëveshja themeloi një Komitet të Shpëtimit Kombëtar i cili duhet të merrte drejtimin e lëvizjes së rezistencës shqiptare. Nga ana e komunistëve shqiptarë, marrëveshja u nënshkrua nga Ymer Dishnica, një anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Një mosmarrëveshje u ngrit në lidhje me statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar propozoi për të luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përfaqësuesit komunistë kundërshtuan ashpër. Më në fund u arrit një kompromis, ku çështja e Kosovës të vendosej në një referendum të popullit të saj në fund të luftës.
Marrëveshja u konsiderua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, i deleguari i të cilëve pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë Svetozar Vukmanoviç-Tempo ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptare e veçanërisht mbi drejtuesin e tyre, Enver Hoxha. Si pasojë, kjo marrëveshje u dënua zyrtarisht nga Enver Hoxha në një takim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Pjesëmarrësit:

Hasan Dosti, Mit’hat Frashëri, Thoma Orollogaj, Skënder Muço, Hysni Lepenica, Isuf Luzaj, Kadri Cakrani, major Raif Fratari, Nexhat Peshkëpija, Halil Mëniku, Ismail Petrela, Vasil Andoni, N.Kolonel Jahja Çaçi, Myslim Peza, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Omer Nishani, Sulo Bogdo, Shefqet Beja, Medar Shtylla,  Stefan, Haki Stërmilli, G. Nushi

Albert Vataj