Çasti që të kthen në vite që mbeten pas, në frymëmarrjen e atij vezullimi dehës kujtimi

Mike, me ikjen e viteve, ajo që të mbetet pas është nevoja për të dëgjuar pëshpërimën e kujtimeve, ashtu siç të grish fëshfërima e gjetheve kur era krihet ndër degë. E ndërsa shumë zëra sa vijnë dhe shuhen në largësi, ato që ndalojnë t’i përgjigjen kësaj thirrje nostalgjije, janë fotografitë, çastet e stampuara në ndalimin e kohës.

E ndërsa përfshihesh nga kjo dehje, rrekesh të ribësh çastin në çdo frymëmarrje, në çdo përjetim. E, papritmas ndjen se tashmë koha të ka kthyer pas, të ka kredhur në atë vetvete të mbetur atje tej, atje ku të kthen malli dhe dëshirimi, për t’u ndjerë ajo buzëqeshje, ajo afri me të shtrenjtin birin tuaj.

Edhe pse e shesh dhe risheh disa herë këtë çast derdhur në imazh, sërish ke dëshirë t’i rikthehesh me të njëjtën ëndje të përfshihesh në atë moment, në atë dritshmëri që shpërthen si diell agimi brenda teje.

E ndërsa e shesh dhe e risheh, sytë nisin të ujtisen e zemra të rreh më fort.

Zbret bashkë me lotët e gazmueshëm të këtij përjetimi deri në buzët që të dridhen dhe diçka të pëshpërin nën zë, si duke dashur të rikthehesh sërish, duke dalë nga poret e kësaj fotografie për të dëgjuar dhe për ta ndjerë më mirë kohë që të ka marrë, duke të të shkulur nga ajo e shkuar si rrënjët e një peme që era ka shpërfaqur në dritë si matshmëri e dimensioneve.

Mike, ja psa fotografitë është ajo dhimbje e ëmbël që të pikon në plagën e viteve të shkuara, duke të të kujtuar luftrat që bëre dhe betejat që fitve, për të të kujtuar se nga të gjithë kujtimet, kujtimi që nuk nguron të të kujtojë se cila ishe dhe ku ishe dhe ku gjendesh, është fotografia.

Çdo medalion tjetër do të ishte i pavlerë dhe nuk do të të mund të thoshte më shumë se kjo fotografi ku vetja shikohet me veten duke lejuar që në mes të vërshojnë vitet.

Me respekt, miku juaj!

Albert Vataj

(Persiatje, mikes sime Luli Bizbiqi per foton ku ajo ka dale me djalin e saj Erlisi)