Anaksimandri: Nga ai burim që lindin sendet, po atje kthehen nga domosdoshmëria kur shkatërrohen

Anaksimandri, ka jetuar rreth viteve 610-546 para Krishtit.Anaksimandri ishte një bashkëkohës më i ri dhe nxënësi i Thalesit. Ai ishte dakort me mësuesin e tij, se ka një lëndë të vetme bazë nga e cila rrjedh çdo gjë. Por ndryshe nga Thalesi, Anaksimandri thoshte se kjo lëndë bazë nuk është as uji dhe as ndonjë element tjetër specifik ose i përcaktuar, duke argumentuar se uji dhe të gjitha sendet e tjera të përcaktuara janë vetëm variacione ose degëzime të diçkaje që është vetëm një gjë specifike midis shumë elementëve të tërë; dhe të gjitha këto gjëra specifike rrjedhin nga nijë lëndë akoma më elementare, që shpjegon origjinën e tyre. Substanca primare, nga e cila rrjedhin të gjitha këto sende specifike, thotë Anaksimandri është një gjë e papërcaktuar ose e pafundme. Kështu, Anaksimandri diferencoi sendet specifike dhe të përcaktuara nga origjina e tyre e quajtur substancën primare, pafundësi e papërcaktuar. Meqënëse sendet aktuale janë specifike, burimi i tyre është i papërcaktuar, dhe, meqenëse sendet janë të fundme, lënda e origjinës është e pafundmë ose e pakufishme.

Përveç dhënies së një ideje të re rreth substancës së origjinës së sendeve, Anaksimandri avancoi në filozofi duke u përpjekur të japë disa shpjegime për idenë e tij të re. Ndërsa Thalesi nuk u muar me ndonjë detaj të shpjegimit të problemit, se si lënda primare transformohet në sende shumë të ndryshme, që ne shohim në botë, Anaksimandri e adresoi veten pikërisht në këtë çështje. Shpjegimi i tij mund të duket i çuditshëm, megjithatë ai përfaqëson një përparim drejt shkencës, në kuptimin se është një përpjekje që merret me fakte të njohura, mbi të cilat mund të formulohen hipoteza në vend të shpjegimit të fenomeneve natyrore me terma mitikë dhe të padebatueshëm.

Për më tej, ajo, që Anaksimandri thotë rreth origjinës së sendeve, ka shijen e një mendimi të guximshëm, sepse në përshkrimin e të papërcaktuarës së pakufishme, si një substancë primare, që nuk rrjedh nga diçka tjetër dhe që është e pashkatërrueshme, ai thotë giithashtu se ajo zotëron lëvizje të përjetshme. Si pasojë e kësaj lëvizjeje, elementët e ndryshëm specifikë marrin qenie si “shkëputje” nga instanca primare dhe kështu “kemi një lëvizje të përjetshme, në të cilën janë përfshirë edhe qiejt”. Por, në fillim, u shkëputën ngrohtësia dhe ftohtësia, dhe nga këto të dyja doli lagështira; pastaj nga këto doli toka dhe ajri. Anaksimandri u përpoq të shpjegojë më tej trupat qiellorë dhe rrymat ajrore rreth tokës; ku duket se kemi një shpjegim mekanik të lëvizjes së rregullt të yjeve.Në kontrast me Thalesin, që mendonte se toka është e sheshtë si një disk dhe noton në ujë, Anaksimandri mendonte se toka është në formë cilindrike.

Duke u kthyer përsëri në skenën e pamatur kozmike, Anaksimandri mendon se ekzistojnë, në të njëtën kohë, shumë botë dhe shumë sisteme të universit, të cilët janë të gjithë të paqëndrueshëm, pasi tek ta ekziston një alternativë konstante midis krijimit dhe shkatërrimit të tyre. Ky proces ciklik ishte për të një “nevojë” rigoroze, siç janë kontradiktat e forcave të kundërta në natyrë, që shkaktojnë atë që ai poetikisht e quan “padrejttësi”, sepse kërkojnë shkatërrimin përfundimtar të tyre.

JETËSHKRIMET- KURESHTI NGA JETA E ANAKSIMANDRIT

* Duke komentuar shpjegimet e Anaksimandrit për origjinën e njeriut, Plutarku shkruan se sirianët “aktualisht” e nderojnë peshkun dhe e ushqejnë si të ishte i së njëjtës racë me ta. Me këtë, ata filozofojnë në mënyrë më të përshtatshme, sesa Anaksimandri, i cili deklaron se peshqit dhe njerëzit nuk kanë marrë qenie nga të parë të njëjtë, por origjina e njeriut fiton qenie brenda peshqve, duke u bërë i përshtatshëm për tu kujdesur për vete; ata dolën jashtë dhe morën dhenë”.

* Duke folur për origjinën e njeriut, Anaksimandri thoshte se gjithë jeta, duke përfshirë dhe jetën e njeriut, vjen nga deti, dhe me kalimin e kohës qeniet e gjalla dolën nga deti në tokën e thatë. Ai mendonte se njeriu është zhvilluar nga krijesa të një lloji të ndryshëm, duke përdorur si argument faktin, se krijesat e tjera bëhen shumë shpejt të pavarura, ndërsa vetëm njeriu ka nevojë për kujdesje më të gjatë, prandaj njeriu nuk do të kish mbijetuar n.q.se do të kish patur të njejtën formë të origjinës si to.

* Me fjalinë e vetme, që ka mbijetuar nga shkrimet e ti, Anaksimandri mbledh mendimin e tij kryesor duke thënë përsëri diçka poetikisht, se “nga ai burim që lindin sendet, po atje kthehen nga domosdoshmëria kur shkatërrohen, sepse ata vuajnë dënimin dhe riparojnë njëri-tjetrin për padrejtësitë e tyre sipas rregullit fë kohës”.