Albert Vataj: N’përpjekjen për me ken dikush tjetër, mujta me mbet vetja jeme

Nji i njohuni jem, nji ditë, m’dveti:
– A do kishe dasht me ndryshue diçka te vetja jote, e n’se po, ç’ka kishte me ken njajo dëshir? Ma tha me nji za solemn, thue se kishte n’dorë shkopin magjik të dëshirave. Nuk mu desht shum’ giatë me mendue me ju përgjigj:
– Pasha njat Zot, kurxha n’ftyr t’kësaj toke jo. Kam njimij t’meta, por deri n’njat dekik qi kurrnjena prej tyne nuk trazojnë kend, un’ jam vet vullneti i atij qi ka zgjedh, qi un me ken bash njikshtu, siç m’njeh ti e ndokush qi ka mujt diqysh me i’u përafru njohjes me mue.
– E jo vetëm kaq, vazhdova, me ken bash si due, e me pas ç’ka meritoj.
I’a vuna mendjen se s’ishte kurrnjigrim i interesum për njat ç’ka po thosha un’ me zemër n’dor, pa u drasht se me njato fjalë kishin lëndue dikën, a pa hiri kisha anue mnjenanë.
Pa prajt un’, ai guxoi me marr fjalën, thue se kish ra zjarm e s’kishte shum’ kohë me mendue e me ndigjue.
– Nigjo mue mik i dashtun, t’i nuk je kurrkund. S’po don e s’po din se ç’ka asht tue ndodh. Un’ mundem me than, se je ende n’koh me ndryshue. Duhet diqysh me kërkue me ken dikush tjetër, n’don me ta pa kush hajrin, e n’don ti me i’a pa dikujt.
– A të duket vetja, se je ba me ndryshu, me pa ndoj mundsi ma t’mir për vedi e për gjithkend qi shpreson n’ty. Tue ken dikush tjetër, dikush qi koha kërkon, ndoshta ke me pa, se i’a paska vlejt këshilla jeme.
– Miku jem i mirë, ti duhet me ndryshue, m’tha, si tue dasht me m’paralajmëru prej nji t’keqet t’madhe. S’du me t’pa t’penduem nji ditë t’bukur, njat’her kur ka me ken von, për mue me t’ndihmue dhe e pamujtun për ty me shpëtu. E iku, tue marrë me vedi ftyrën e tij t’ngrysun e t’ue m’lan mue tue u shtërzy nan peshën e vetvetes teme, qi sa vinte e m’bahej ma e rand ndërsa m’zatete përfundi.
E n’hutim e trazueshëm, tue e marr rrëshqan veten teme për me e çue dikund, qi s’ban rand kurrkujt, nisa tue mendue e tu blu grun e egjër n’trunin tem.
– Kaq e pamujtin kenka sod me ken vetvetja. Me ken ç’ka don, e jo ç’ka të tjerët duen. Pse u dashka me mendue njisoj t’tan, me arsyetue e gjykue, siç don dikush e siç tjetërkujt si kanda. Pse u dashka qi kokën tande me rrotullue n’shpatllat e dikujt tjetër, me pa e me kja me sytë e tjetërkujt, me këndue me vuejt jo me shpirtin tand, po me t’hujtin.
– Ndoshta, mendova, koha tue fut nan zgjedhën e teknologjisë gjithçka, ka mbetun pa e nënshtru vetëm njeriun, ose ma sakt, ata ma kokfortit, ata qi tue mos dit me ken diçka tjetër, munden me ken veç vetvetja. Sa ma thell qi zhytesha n’honin e dyshimeve, aq ma e pamujtun po m’bahej me dal.
Gjithsesi, e mora t’mirkenun këshillën e mikut tem, e i hyna punës tue kërkue gjithkund ndoj tip t’cilit kisha me mujt me i marr lkuren, e me te me u vesh pa vazhdu me ken, njaj tipi qi i duhej me çmos me ik prej vetes, si prej nji nahije ku ka pllakosun murtajë. E tuj kërkue papushim e me ngulm fort t’zellshëm, bana-ç’bana zgjolla ndoca tipa dhe karaktere dhe nji për nji nisa tue i shqyrtu. Ditë e natë s’prajta tue u përpjek me mujt me u pa n’dikënd tjetër, me ngjasu te tjetërkush, me ken ç’ka un’ s’po mundem.
Nji moment pamundsijet për me vazhdu, tue u rikthy me pa vedin se ç’dreqin kishte n’mu qi kaq me ngut duhej me ndryshu, m’bahet se nuk kishte ma fort t’bante me paraqitjen e jashte, se sa me mënyrën e t’sjellunit, me filozofinë e përfaqsimit dhe komportimit me gjithkënd tjetër n’kyt t’tashme pak rromujë e pa orjentim, por gjithqysh, mbetet koha t’cillës i përkasim.
Mbasi e kanalizova arsyen e vërtetë të këtij alarmi me ndryshu, e vetmja gja qi mujta me ba ishte se s’bana kurrgja.
E sod mundem me than, se me gjithë përpjekjen teme ngulmëtare për me përngja n’dikënd, un’ prap kam mujt me mbet vetja jeme. Edhe njikësaj here qi mundsia asht e disahershme, e shummujtun për me ik prej vedit e me i’u bashkëngjit nji tjetërkujt, qi përmbush tana njato kritere dhe pritshmëni qi t’yshtin e t’shtyjn me ba çmosin, me hy n’nji trup tjetër, a me banue atje ku dëshirimi tash din me ta m’su ma mirë rrugën e andrrës.
Por jo!
S’paska ken jo vetëm e mujtun për mu’ me ken dikush tjetër, por as me u përpjek me luejt rolin e njatij qi don me tan shpirt me i përngja.
– E tue mbet vetja jeme, un’ mundem me dëshmu se kjo nuk asht krejtskrejti zgjedhja jeme, se ç’asht dështimi qi m’ndëshkoi për me met sot e gjithkur, due apo s’du un’, veç vetja jeme, njaja qi m’njeh ma mirë, e ma kujton herëdokur se kush isha dhe cili jam.
– N’se ndokush, ndër ta edhe miku jem ka me m’pranu njikshtu siç jam, do e shpërblej bujarin e zemrave tueja me ma t’mirën teme, si provë e vendosmërisë për me mbetun vetvetja edhe atëherë kur gjithçmos don me çdo kusht me t’ndryshu, tue dasht me ngulm me t’ba dikush qi nuk mundesh me ken.
Albert Vataj