Albert Vataj: Njerëzit mes tyre nuk këmbejnë vetëm pikëpamje por edhe energji 

Të jesh gojëëmbël dhe zemërbardhë, bujar dhe i përulur, mirënjohës dhe falenderues për gjithçka dhe gjinjë, është një anë, por të jesh ngjizur si një bartës i kësaj mrekullie është krejt diçka tjetër, është sa e hyjshme aq edhe tokësore, është e thjeshtë dhe e përkorë, është e kudoshme dhe e paçmim, është gjithçka që meritojmë duke e lartësuar, është besim, është altar. Këtij altari që meriton t’i gjunjëzohemi jo për nënshtrim por për mirënjohje i është blatuar kjo shpërblesë, ky vullnet, kjo mrekulli e bashkëjetimit mes nesh dhe mrekullimit ndër të gjithë.

Më ka ndodhur të flas me shumë njerëz, të heshti me disa prej tyre, t’i përqafoj disa, t’u puth dorën disa të tjerave, ti preki dhe ti mbështjell me vështrime, krejt ashtu në përhumbje, dhe… kam marrë prej tyre dhe u kam dhënë kaq shumë.

Njerëzit mes tyre nuk këmbejnë vetëm pikëpamje por edhe energji. Ne shpesh, si pakuptuar ndezim ato diej në njëri-tjetrin, ato vezullime, ato dritshmëri të ngjyrta, kaq magjepsëse dhe kaq vitalizuese.
Kaq papritur dhe kaq shpejt gjithçka pëson ndryshim të themeltë. Vetëm atëherë ne kuptojmë dhe bindemi se çfarë fshehin thellësitë tona dhe sa lehtë mund; një zë, një fjalë, një shikim, një prekje, të çel sythe dhe të gjethojë, të hedh shtat e të kundërmojë, të shpërfaqet e hirshme e t’i derdhet një altari.

Ti, ti që ende nuk ke besuar te kjo energji përtëritëse, ti qe ke dyshuar se mes nesh është e gjallë, vepruese ajo behje çudibërëse, zgjojë veten tënde, atë që i është dhënë mëfshësisë, apatisë, hutimit, mëdyshjes, mosbindjes e mosbesimit… dhe jepja kësaj mrekullie që na mëson të duam dhe të dashurojmë, dhe këtë dritë besimi dhe këto ngjyra hareje t’i ndajmë me njëri-tjetrin siç bën vetë natyra me gjithçka që e përfaqëson atë në të epërmin qëllim, atë të dëshmisë së shpërblesës së krijuesit.

Dhe… kështu mes vështirësive dhe sfidave të pamundura, lëndimeve dhe dhimbjes, pikëllimit dhe lotëve, ne shohim se si ky njeri që ka ditur vetëm të dorëzohet, po ndeshet për të triumfuar, për të sprovuar se deri ku mbërrin besimi ta zgjojë atë forcë, atë energji në qëllim.
Dhe… ne kemi rrokur me një percepti të ri jetën, i kemi dhënë një dimension të ri kuptimit të botës dhe vërejmë se marrëdhënia me njerëzit janë diçka krejt ndryshe nga se ishte më parë. Gjithçka në ne i jepet ndryshimit, i jepet asaj që na çon tej në caqet e mundësisë.
Një zë, një fjalë, një shikim, një prekje… dhe ne rilindim, rijetojmë… sepse gjithçka që duam është ajo që meritojmë dhe çdo gjë që na përket është ajo, me të cilin na shpërblen besimi.
Kjo orë gjithnjë troket për ty.
Albert Vataj