Albert Vataj: Nimfat përvëlake të Leopold Schmutzler, nazistit që trajtoi stilin rokoko në pikturë

Ato janë të bukura dhe shumë sensuale. Lajkatare dhe ndjellëse, joshëse dhe zjarr të epshëta. Me sy prej xhami dhe hokatare, siç mund dhe dinë të jenë ato vajza që duan të marrin gjithçka nga momenti, nga ai shkas që i përafron realen e tyre me ëndrrën. Nuk janë të jashtëzakonshme me çfarë grishi dhe u bë subjekt i piktorëve dhe krijuesve të tjerë, të mëhershëm dhe të mëvonë, por djallushkat përvëlake të Leopold Schmutzler, nazistit që trajtoi stilin rokoko në pikturë, ishin dhe mbeten të ëndshme. Ata gjithnjë kanë një mundësi të të grishin, të të ftojnë në dalldinë e tyre të ëmbël dhe të dhurojnë pa droje atë botë që duke qenë e tyre, ëndërrtare mund të bëhet edhe juaja. Vështrimet e tyre shpues janë jo vetëm ato sy grash dhe vajzash që jeta i ka shpërblyer me fatin e nimfave, por janë edhe ato vështrime që duke përshkuar tejpërtej dëshirimin joshës të piktorit, na përfshijnë edhe ne me të njëjten forcë tundimi dhe jetësimi.
Leopold Schmutzler, djali i një hanxhiu që u anatemua për shkak të implikimeve të tij me nazizmin. Ai u lind në Bohem më 29 mars 1864 dhe vdiq në Mynih më 20 qershor 1940.
Piktori gjerman ishte i prifilizuar kryesisht për portretet, figura femërore gjysmë-erotike dhe skena zhanër të stilit rokoko . Në vitet e tij më të frytshme, ai ndoshta gaboi shumë rëndë duke u lidhur me Partinë Naziste. Siç edhe rezultoi më pas, punët e tij u nxorën jashtë nga galeritë, jo për kritere ekstetike dhe artistike, por për ato politike. Kjo e dëmtoi seriozisht karrierën e tij si piktor, pa mundur ta shpërblejë për punën, edhe pse tek-tuk krijimtaria e tij ekspozohej. Opinioni i asaj kohe do ta kishte shumë të vështirë të ndante artistin nga nazisti, edhe pse veprimtaria e tij politike nuk e kaloi asnjëherë cakun sa ta penalizonte me përgjegjësinë e fajit të ndonjë implikimi, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me mizoritë naziste.
Leopold Schmutzler ishte djali i një hanxhiu, i cili gjithashtu i dha atij mësimet e parë të vizatimit. Nga viti 1880 deri më 1882, ai studioi në Akademinë e Arteve të Bukura, Vjenë me Christian Griepenkerl, personi i cili më vonë e refuzoi kërkesën e Adolf Hitlerit në Akademi. Pas kësaj periudhë shkrollimi dhe trajnimi artistik, ai u transferua në Akademinë e Arteve të Bukura të Mynihut dhe studioi me Otto Seitz . Ai u vendos atje pas diplomimit të tij në 1885. Pati gjithashtu periudha të shkurtra studimi në Romë dhe Paris.
Nga fundi i shekullit, ai ishte një nga piktorët më të ngarkuar të portreteve në Mynih. Ai mori komisione të rëndësishme nga Familja Mbretërore Bavareze , por gjithashtu portretizoi valltarë dhe interpretues të tjerë të njohur. Në fakt, një nga portretet e tij më të njohura ishte aktorja Lili Marberg (1876-1962) në rolin e Salome .
Stili i tij ishte në përgjithësi realist me elementet Art-Deco . Ai gjithmonë i kushtoi vëmendje të madhe veshjeve të subjektit të tij, por, anasjelltas, gjithashtu pikturonte shumë nudime. Në vitet tridhjetë, ai u bë përkrahës i nazistëve dhe krijoi një seri veprash që pasqyronin ideologjinë Blut und Boden . Në vitin 1940, jo shumë kohë para vdekjes së tij, Jungfrauen nach der Arbeit (Maidens after Ëork) fitoi një çmim të madh në “Große Deutsche Kunstausstellung” në Haus der Kunst dhe u ble nga Hitleri për 7,000 Reichsmarks .
Bashkëpunimi i tij me regjimin nazist shkatërroi praktikisht karrierën jashtë Gjermanisë dhe reputacionin e tij pas vdekjes, edhe pse veprat që krijoi ai ende mund të shihen në disa muze, duke përfshirë Muzeun e Frye Art në Seattle, themeluesi i të cilit, Charles Frye (1858-1940) ishte admirues i veprës para-naziste të Schmutzler.
Albert Vataj