Albert Vataj: Ndër puthje prush, përhidhet etjes e shndërrimit n’drit’, shtati jot diell,

Me zjarm e afsh…

Në ma t’shndritmin yll vezullue sysh qi epen, je ti andje… prembi krejt,
ka derdhun kjo natë lume, t’andshmin kurmin tand, ku pahet hana,
njaj purtek i dlirin, gurrue dritash, syve t’mi kridhet si epja n’valë,
tej, sheh hutue nji yll, nji xixllimë qi kotet ledhave t’gjethve qi trand era

Përpushun jena, njatyne ma t’zjarmtave dëshirime, si kurrçkaje tjetër
sonte, këtë natë ngërthye epjesh shitane, e gufimit yshtës t’mishi
dehun aromash e shkrehun dorzan hirit tand, jam tash e gjithsi,
… kllapitena n’prehnin e nji shkulmi fryme qi gufon e vezullon përrreth

Ndër puthje prush, përhidhet etjes e shndërrimit n’drit’, shtati jot diell,
tërbimit të zjarmtë të buzëve, i nepet flijue, njajo bardhësi qi shkulmon,
ofshamve shkrihet dritëz e mekun mishi qi t’sheh se si mrekullon kur prahesh,
porsi ngjyrat kur dielli i perlan me larushi, ndjenjë e shpërthim.

Bubërron nji heshtje e poroztë kah fryma përpjetë t’ngre pupth,
si një teh vetëtime t’shndrin profili… epsheve kaplue,
t’llamburit shtatin prekja e beftë e syve qi t’pijnë me andje t’kulluet,
nji za i thellë rënkon e harbon, frymën n’flutra ta shndërron… e pulitesh.

Thyhen me huj e kandje fëshfërimat e trupave, ngërthyer mesvedi,
mëkon shëlbye, ç’ka flaka e epshit përlan e djeg me tërbim e mraz,
kurrgja qysh e ban zap s’ka, njat valë qi n’mish m’prush e n’andje m’truc
as njat epje mëtue qi tançka kall, e zemrat me afsh e shpuzë i mruen.

Mbarue e shue jena tërbimit, kah turraz afshit i nepena… bash krejt,
veç flakena e ndezim, e s’dim kah drita ledh e zjarmi me huj djeg
si eshka skuqim harlisjeve, shkrehim, në ofsh puthjet anz mprehim,
përpëliten kurmet, e çasti s’mundet kund me ndal veç n’nji vezullim.

Gëlojnë brenda nesh, shterngata limfe dhe gjaku, qi furishëm vërshon,
në dallgët e orgazmave shtërzejmë e lëshohena turraz si vrapi i hazdisund brigjeve,
pritjes qi shitue asht, e nepet, tue dasht me gjet yllin që pikoi n’streh t’qerpikut,
a ndoj valë t’etun qi e përclloi prekja jote, n’erë e nderun, n’buz thamun… si lot,

Dehës e plot andje jem shpaluem n’petalet e lulueme t’zjarmit qi shtërzen,
në Eden vodhëm një kafshim fruti, më dëbin na ndëshkuan… s’u penduem
në dëshira ferri trupat përkundim t’epërmin idil të Parajsës… premtue kishim
e prap m’katnor jena n’aktin sublim t’njiksaj kremte t’hyjshme shpirti

Me amëlcim e adhurim t’pashoq, zjarm e afsh, t’falena Ty i lumi Zot,
tjetërqysh kurrsi s’mujm me t’u dhan ma me njaq përulësi dhe përkushtim,
gjakun e mishin me u blatue, veç njashtu siç Ti e ke urdhnue qysh n’krijim
e tue dasht me u bind, si tuj mëkue t’dlirin besim… gjithqysh t’jepena

E Ti ban çka t’duesh me ne, me ç’ka provon se t’lutena e t’falena tue t’dasht
na, veç kësisoj, siç dëshirimi e zjarmi i andjes na mëkon… bindena
marrim prej dashnis ç’ka n’zjarm e ka ngjye, e n’shtatore drite e ka derdh
e i nepena tue i marrë tançka e ban t’epërme e qiellore, si tue fluturue.

Vullnetmiri i shpërblesës s’hyjshme, Zot, bekoje frutin e mëkatit
siç ke mbushun me mrekulli dhe adhurim, ne, shëmbëllimin tand
shëlbeje altarin e papërlyem ku jeta mëkon me andje e përkushtim përjetësinë,
e me dashuni kungo shejtnimin Tand, gjithkund ku zjarmi i mishit prek… e yje feks.
Amin

Albert Vataj ©