Vjoleta Manushi, aktorja që skaliti me pasion dhe përkushtim përmendoren e pavdekësisë

Prej 11 vitesh Vjoleta Manushi nuk është më, por gjithëçfarë ajo skaliti me pasion dhe përkushtim e ruajnë të pacënuar në kujtesën e gjeneratave atë figurë emblematike të artit skenik shqiptar. Edhe sot ajo është po kaq e gjallë, sa ç’ishte kur ngjitej dhe zbriste skenën, dhuronte emocione dhe merrte kaq shumë mirënjohje përmes duartrokitjesh dhe adhurimit. Rruga deri në panteonin e famës ishte sa e vështirë aq dhe ngadhnjyese. Por ëndrra di gjithnjë të të rrëfejë rrugën e pavdeksisë, dhe Vjoleta Manushi hoqi atë udhë që e çoi deri atje lart ngaku nuk do të mund ta zbresë asnjë stuhi dhe shtjellë e ndryshesave dhe ngulmeve transformuese ku arti skenik ka hyrë. Sepse ajo është kujtesë, është nostalgji, është çfarë e bën të përgjithmonshme ëndjen dhe adhurimin. Vjoleta Manushi i përkiste një gjenerate aktorësh, regjisorësh, skenaristësh, kameramanësh, etj… të cilët më shumë se talenti, i transformoi në përmendore pasioni, puna me përkushtim dhe vetmohimi për atë ëndërr, të cilës ata i kishin kushtuar jetën e tyre dhe vetë arti i shpërbleu duke i bërë të pavdekshëm.

“Sikurse e shihni, unë jam nisur për udhë, që nuk është e gjatë. Nuk jam pishman që po shkoj, jetova 81 vjet e kusur, për më tepër jetova me nder. Kemi qenë të varfër, por nuk kemi lypur. Kemi jetuar me punë dhe me nder, duke lënë pas emrin e mirë”. Violeta Manushi i tha këto fjalë në orët e fundme të frymës, më 27 korrik 2007, fjalë që nuk do të ishin vetëm të fundit, por kumtim solemn i denj për epitaf korifejsh. Ajo nuk ishte një shenjtore, por gjithçka e përkorë, gjithçka e virtytshme, gjithçka ngadhnjyese dhe përkushtuese që mbushi jetën e saj ishte e bekura dhe ujdhesë e njeriut të motivuar nga mirësia. “Teta Ollga”, artistja e madhe, me kurajën e pashembullt, me humorin që kishte brenda tragjiken, me qëndrimin e saj, e bëri shumë të lehtë takimin me vdekjen. Ajo u shua për të lënë pas emrin që skaliti me shkronja të arta në memuarin e traditës së artit skenik shqiptar. Iku për të lënë rolet e saj të pavdekshme. Mori udhën e amshimit për të mos harruar të na gostisë vijimsisht me humorin dhe virtuozitetin skenik.

Albert Vataj