“Më quajnë… Arkitekt Sinani” një libër për fëmijë nga Albert Vataj dhe Entela Kasemi për “Mikelanxhelon e Orientit”

Nga të gjitha dhuratat, libri ka qenë dhe mbetet për mua më hyjnori. Kam bërë një betim se nuk do të pranoj dhe nuk do të bëj asnjë dhuratë tjetër të shtrenjtëve të mi, veç librit. Edhe pse jo gjithnjë fati nuk ka qenë në anën time, ngulmoj t’i përmbahem me insistim kësaj fjale të dhënë.

Dhe këtë 1 Qershor, janë fëmijët, atyre që do t’u bëj dhuratë librin “Më quajnë… Arkitekt Sinani”, si shenj e besimit që tek ata do të lartësojë dija, si motivim shtytës i mbajtjes së librit si të vetmin komunikim ndritshmërie të pasurimit të jetës dhe shpirtit të tyre.

Doli nga shtypi libri im i radhës, “Më quajnë… Arkitekt Sinani”. Ky libër është pjesë e serisë që “ALBAS” ka lançuar për promovimin e figurave qendrore të kulturës dhe artit, arkitekturës dhe muzikës, letërsisë dhe historisë, kombëtare dhe botërore.  Përmes librit, kjo shtëpi botuese kërkon t’u pasojë gjeneratave testamentin e vlertë të vetëdijes, asaj e cila është shtruar me yjësinë e emrave dhe personaliteteve, kontributeve qytetëruese dhe kurajozëve të historisë.

Shfrytëzoj rastin të falënderoj në mënyrë të veçantë, Latif Ajrullai, Rita Petron (botues), të cilët i kanë besuar penës dhe përkushtimit tim prurjen e Arkitekt Sinanit, rivlerësimin, kësaj here për fëmijën e moshës 9-vjeçare, të këtij personaliteti të spikatur të arkitekturës botërore dhe krenarisë shqiptare.

Pjesë të kësaj mirënjohjeje është edhe Entela Kasemi (ilustruese) që gëzon atributet e bashkëautorësisë, asaj që ka bërë ilustrimin grafik të këtij botimi. Një pasurim figurativ shumë profesional i këtij rrugëtimi njohës të Arkitekt Sinanit. Për bashkëpunimin e përulur dhe cilësor, atyre që u lutem ti bëjnë vend falënderimit të përzemërt, janë Natasha Pepivani (kryeredaktore), Artemisa Bushi (redaktore), Dritan Egro (konsulent shkencor), Eldion Nevruzi (dizajni). Nuk dua të lë jashtë falënderimit për dashamirësinë dhe ngrohtësinë e treguar gjithë stafit të ALBA-s, Tiranë.

“Më quajnë… Arkitekt Sinani” është një urëlidhje e disponimit aktual me atë manifestim gati të hyjshëm aftësishë gjeniale të këtij personaliteti që dominon traditën islame në fushën e ndërtimit. Ky personalitet vjen përmes këtij botimi për të ofruar një njohje dhe vlerësim për Arkitekt Sinanit, veprimtarinë krijuese që e skaliti emrin e tij në kolanën e gjenive të qytetërimit botëror. Kjo qasje për të rivlerësuar Arkitekt Sinanin si një shënjim i rëndësishëm në themelet e Orientit, cek momentet më kulmore të jetës së tij. Ardhur e thjeshtuar, kjo galeri jetësore dhe krijuese, ky personazh kërkon të mbajë fëmijët të lidhur me librin, por edhe me historinë, me ato personalitete, të cilët shkruan emrin e tyre me shkronja të arta në faqen e memories së qytetërimeve.

Arkitekt Sinani ka qenë emblemë e një etape kulmore të zhvillimit osman. Ai la gjurmë në historinë e arkitekturës dhe ndërtimtarisë. Solli risi dhe sprova të kurajshme në ndërtimin, jo vetëm të objekteve religjioze por edhe atyre sociale, për të mbetur një piketë e qenësishme e etapave të progresit krijues dhe vlerat pasurore të asaj kohe trazimesh, mizorish dhe luftërash të përgjakshme, përmes së cilave orienti penetroi për t’u bërë pjesë e kreshtave civilizuese, për të zënë vendin që i takonte në vezullimin shkëlqyes të diejve që u panë me njeriun në rrugëtimin e tij transformues të botës.

“Më quajnë… Arkitekt Sinani” e gjeni te botimet ALBAS në të gjitha libraritë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Miq të vegjël, uroj t’i bëni vend në interesimin tuaj këtij libri, këtij shqiptari të madh, kësaj figure emblematike të arkitekturës, i cili pasuroi qytetërimin islam dhe neve si shqiptarë na shpërbleu me krenari të lartë.