Federico Fellini, gjeniu që krijoi mijëra botë – mes qiellit, ferrit dhe cirkut

“Shumë thonë që jam gënjeshtar. Që gënjej deri kur them të vërtetën, por edhe ata gënjejnë. Gënjeshtrat më të mëdha që kam dëgjuar mbi veten time. Mund t’i përgënjeshtroja, por meqë jam një gënjeshtar askush nuk do të më besonte” (Federico Fellini më 1975, drejtuar një miku të tij, Costanzo Costantini, gazetar tek Il Messaggero)!
Çfarë mund të presësh nga një magjistar? Nga një hokatar, nga një trukist i kinemasë? Nga ai italian i Riminit, i Emilia Romanjas, ai që shpiku një det plastike mbi të vërtetën? Ky det nuk ishte gënjeshtër, ishte mesazhi i veprës së tij; arratisuni nga realiteti, fantazia do t’ju bëjë më të lumtur. “Frenetik, i papërmbajtshëm,” përkufizimi i sekretares së tij, Fiammeta Profili para filmit me emrin e saj dhe me bashkëregjisor Alberto Lattuada, “Dritat e varietesë”.
Italia u mbyt nga afishet (një talent i parakohshëm), karikaturat dhe skenarët në kinema dhe në radio. Në radio në vitin 1941, nën kërcënimin e fashizmit njohu një grua të vogël dhe me sy të mëdhenj e të paharrueshëm, Giulietta Masina. U martuan dy vite më vonë dhe në mars 1945 lind Pier Federico që e la këtë botë vetëm 12 ditësh. Një mëngjes të vitit 1950 me stilin e veshjes së një regjisori, kostum kamoshi, këpucë si të Cecil B DeMille, mbërrin në tempullin e madh, në Cinecitta dhe që prej aty do të nxjerrë mrekullinë e tij të parë “Sheiku i bardhë” me një nga komikët më të mëdhenj, Alberto Sordi, një fytyrë e paharruar dhe mjaft i aftë të shprehë ulje dhe ngritje deri në patetizëm të emocioneve.
Kur mbaron dita Federico kthehet në shtëpi. Giulietta e pret me tavolinën shtruar dhe e pyet:
– Si shkoi?
– Më keq s’kish ku të shkonte. Kalova orë dhe nuk munda të xhiroja një skenë.
Nga ky dështim doli si një palaço, mrekullia e parë. Historia e një çifti vendasish të sapomartuar (aktorët Leopoldo Trieste dhe Brunella Bovo), të cilët udhëtojnë drejt Romës për të parë Papa Pion XII, të detyruar nga prindër shumë të rreptë. Por, Wanda e fiksuar pas heroit të saj, Sheikut të bardhë (Alberto Sordit) arratiset duke e lënë burrin e saj në histeri, i cili po përpiqet ta fshehë ikjen e saj nga prindërit. Ajo shkon tek xhirimet në plazhin e Ostias dhe takohet me të.
“I vitelloni”, film i vitit 1953, ku njëri nga fëmijët e kësaj familje i mërzitur nga një vend mediokër kërkon një rrugë tjetër. Ky film do të fitojë “Luanin e artë” në Venecie më 1953 dhe bota do të gjunjëzohet para Federicos, të cilin eseistja angleze, Germaine Greer, e përkufizoi si më italiani ndër kineastë dhe më italiani ndër italianë sepse sintetizon të gjitha kontradiktat. I hapur dhe i mbyllur, ekstrovert dhe introvert, ekspansiv dhe i moderuar, ambig. Sa më shumë ta frekuentosh, aq më pak e kupton, modifikohet gjatë gjithë kohës. 20 filma dhe më shumë se 100 skenarë, pesë çmime Oscar: “Rruga”, “Netët e Cabirias”, “Fellini 8 ½”, “Amarcord” dhe çmimi honorifik për trajektoren profesionale. Palma e artë për “La dolce vita”, anëtar i Akademisë Amerikane të Arteve dhe të Shkencave.
Skenat ikonë ai i ka të shumta, por e paharruar mbetet ajo e Anita Ekberg në “La Fontana di Trevi” dhe Marcello duke e ndjekur me fjalë dhe me adhurim. Më shumë se një grua, një hyjni erotike e pakohë. Vizioni i Fellinit për joshjen e Kazanovës dhe zgjedhja e aktorit, Donald Sutherland, i cili nuk fliste një fjalë italisht krijoi një manekin elektrizues. Një film i një bukurie vizive. Pas daljes së filmit të tij “Fellini 8 ½”, pati debate për simbolet e tij, alegoritë, domethëniet, titullin të cilat u vunë në syrin e gjilpërës nga intelektualë të kohës. Aluduan për numrin 8, e kërkuan në librat okultë dhe mbërritën në përfundimin se 8 ishte shenjë e datëlindjes së tij, prematur 8-muajsh, por gjeniu e sqaroi misterin: është filmi im i tetë dhe gjysëm është shuma e dy episodeve prej 15 minutash në “L’amore in citta” dhe “Boccaccio 70”.
Iku nga kjo botë shumë shpejt më 31 tetor 1993 në moshën 73-vjeçare nga një incident cerebrovaskular dhe nga një infarkt miokardi. Giuletta për gjysmë shekulli, pavarësisht se ai nuk i qëndroi besnik, ndoqi hapat e tij, vdiq në moshën 73-vjeçare nga një kancer në mushkëri. George Simenon, shkrimtar ka thënë: “Kur pashë Kazanovën qava. Nuk më kishte ndodhur kurrë më parë. Është një poet i mallkuar si Bodleri, Van Gogu, Poe. Kazanova më bën të mendoj për Gojan, një tjetër poet i mallkuar…”! /bota.al/