Egon Schiele penelata e sojme e ekspresionizmit, epshi i shpenguar i një force jetësimi në kurm dhe në penel

Ndoshta Egon Schiele ishte ndër të paktët që dëshmon me një imponim përshkues ndaj nevojës nxitëse të njeriut për të mbërritur tek gjithçka, përmes të vetmes rrugë, asaj të seksti. Për te seksi është jo vetëm një subjekt por edhe një afri komunikimi ndjesor. Pa intimen shprehëse të lojës dhe aventurës, marrëdhënies dhe domosdosë së përfshirjes në afsh dhe epsh, pa zjarrin e përvëlues të seksit dhe tërbimin frelëshuar të gjallimit të gjithçkaje ndritëse tek ajo, e bukura dhe joshësja, Egon Schieler është i kapitulluar. Krevati është gjithnjë një masë e pamatshme, e bardhë apo fluide. Mishi, trupi, loja e seksit është gjithça dhe ai i’a beson asaj që mundet ta thotë po kaq fuqishëm sa dhe e ndjen, penelit.
Sot 128 vite më parë datëlindi Egon Schiele (12 Qershor 1890 – 31 Tetor 1918) piktor austriak, figurë shumë e spikatur e fillimit të shekullit 20. Puna e tij shquhet për intensitet dhe tension. Shformimet e trupave dhe linjat theksuese që përshkojnë pikturën e Schiele shënojnë fillimet e Ekspresionizmit. Piktura e tij e veçon atë nga armata e yjësive që shkrepëtitën në qiellin e famës. Bashkë me Gustav Klimt ata hodhën themelet e një trajtimi ndryshe të pikturës si element shprehës estetik.
Ai ishte vetëm 28 vjeç kur vendosi të ndalte kumtin e çartun të mëtimit të gjendjeve dhe gjërave, hireve dhe përhedhjeve të epshta të mishit. Megjithë jetën e shkurtër ai la një galeri të begatë punësh dhe një formë ndryshe të shëtitimit të penelatës, akuarelit e grafikës në kuadratin e një shpërthimi të potershëm ndjenjash delikate të një shpirti të trazuar.
Seksualiteti i dominuar në pikturat e Egon Schiele është një manifestim jo dhe aq i botës së brendshme të dengur prej gropash të errëta ku emocionet e forta, epshi e spazmat e trandnin atë kurm dorzan një mendje të lidhur pazgjidhshmërisht me seksin, me mishin, me nevojën përnga harbimet intime si formë çlirimi prej sëmbimeve të brendshme dhe përndjekjes së të shkuarës.
Gjithqysh Egon Schiele mbetet penelata më e garrametshme e ekspresionizmit dhe epshi më i çartun i një force jetësimi në kurm e në penel.