Skënder Drini: Shkodra, ky qytet të fut ne mendime të thella dhe të trishton, sepse nuk jeton si nje qënie e gjallë, por si një arkiv

Refleksione mbi Shkodrën

Ky qytet të fut ne mendime të thella dhe të trishton. Të trishton sepse nuk jeton si nje qënie e gjallë, por si një arkiv që ngërthen në vetvete 2500 vjet histori. Dremit në këtë lëmsh të gjatë kohërash dhe mbrohet me këtë lëmsh të gjatë kohërash. Djepi i kulturës, djepi i kësaj dhe asaj… Mund të ketë qene po tani i ka mbetur fëmija në djep! E fikëm, e morëm në qafe kete qytet, duke e mbrojtur me histori. Ajo eshte kthyer ne menyre te ndergjegjshme apo te pandergjegjshme, në një nga ato maskat, qe u vene ne fytyre atyre qe do te ekzekutohen per te mos pare flaken e plumbave. Mund te kemi menduar edhe per keto maska si per nje humanizem komik. Çfarë nevoje kane për te denuarit, qe e dine qe do te vdesin pas disa minutash? Ajo maske eshte nje humanizem mashtrues, sepse, duke mos pare, u jep te denuareve disa minuta shprese, por, ne te vertete, i mban te parebeluar.

Trimat e kane flakur shamine maske qe iu lidhte syte dhe jane pushkatuar pa te. Ku jane keta trima sot? Si nuk e kupton kjo Shkodra, qe po fiket pak nga pak me sy te lidhur?… Jo, e kupton, sepse te gjithe flasin dhe ankohen per kete gje, por pakkush eshte i zoti te beje diçka. Me e keqja eshte se fikja, ketij qyteti po i vjen nga shume ane dhe kjo ben pothuaj te pamundur te gjesh cila eshte arma vrastare. Nga ana tjeter, kjo vjen edhe pse nuk duam te thellohemi, nuk duam te studiojme dhe te analizojme, nuk duam te trazojme gjerat e pabukura dhe atehere nuk na mbetet tjeter, veçse te rrime dhe te fshihemi pas historise.

Po, a mund te na mbroje gjithnje edhe ajo? Thuhet se po na mbyt nje urbanizem fshatar, po pse nuk themi qe krahas vlerave te padiskutueshme kulturore, artistike dhe civilizuese, qyteti ka vuajtur dhe me pare nga keto. Pjesa kryesore e qytetit, sidomos krahu mysliman, eshte mbajtur me tregti dhe me renten e tokes, qe nje pjese ishte e trasheguar, nje pjese ishte benefis turk. Pjesa katolike e qytetit eshte me e varfer sepse benefiset turke rrjedhin me pak ne ate drejtim. Deri ne prag te çlirimit te vendit, marredheniet e pronave te tokave me bujqit pothuaj i ngjajne marredhenieve gjysme feudale, te bazuara ne kontrata tradicionale gojore, te cilat rrallehere jane respektuar plotesisht. Kjo, sepse pronaret shkodrane te tokave, kane qene tolerante ne vjeljen e te ardhurave, qe ne shume raste ishte fakultative dhe qe me vone mbeti pothuaj krejtesisht ne doren e bujkut, qe i çonte pronarit aq sa i merrte mendja. Kjo ndofta eshte ne nderin e ketyre pronareve, te diferencuar ndjeshem nga pronaret e tjere te tokave, ne krahina te tjera te Shqiperise, po nga ana tjeter eshte nje tregues i terthorte i te kenaqurit me pak, me ate qe te bie ne dore.

Edhe marredheniet etiko-sociale mes bujkut dhe pronarit te tokes, jane me te ndryshme se ne disa ane te tjera te Shqiperise, ngaqe bujkun ne rrethinat e Shkodres dhe pertej tyre nuk mund ta fyeje, ta nenshtroje dhe ta poshteroje, nuk mund ta pengoje te kishte oxhak mbi çati, ose nuk mund t’i trazoje familjen sepse te vriste. Nje pjese e madhe e bujqve, ishin deri vone si pjesetare te familjeve te pronareve. Ata merrnin pjese rregullisht ne gezimet dhe hidherimet e tyre dhe ishin te mirepritur. Fshatari nuk kishte per te madhe t’i therriste beut, as agait nga dera e oborrit dhe te shtrohej kembekryq kater ore pas oxhakut. Merret me mend çfare mund te bisedonte ky fshatar ato kater ore aty! Kjo eshte mikpritje, kjo eshte bujari, fisnikeri dhe gjithçka mund te na shkoje neper mend, por mund te mos na shkoje neper mend, qe ky ishte nje rrafshim me mentalitetin fshatar dhe nje pranim i terthorte i atij mentaliteti. Qofshim te gabuar, por deri ne prag te çlirimit te vendit, nuk eshte Shkodra qe ben presion mbi fshatin, po eshte fshati qe ben presion mbi qytetin.

Po, nga ana tjeter, eshte e pakuptueshme si mund ta ushtroje kete presion kur deri shume vone kishte mbetur ne gjenezen e tij, ne nje prapambetje te llahtarshme! Nese kthehemi disa dekada prapa dhe kujtojme ato iniciativat e “famshme” per zhdukjen e zakoneve prapanike, do te kujtojme se çfare tablosh primitive nxorren ne drite ato. Deri ne vitet pesedhjete dhe ndofta me pertej, nje pjese e konsiderueshme e familjeve shkodrane mbante bageti ne shtepi dhe kishte edhe nje depo bari (kullen e sanes). Pra, marredheniet me fshatin ishin te panderprera, megjithese kishte ardhur nje kohe tjeter. Kush do ta justifikoje kete gjendje, thote qe bagetia dhe depoja e barit ne shtepi i perkasin koherave pas rrethimit te Shkodres nga serbo-malazezet, nga frika e perseritjes se nje urije te dyte, po ato mund te jene edhe me te hershme. Qarkullon nje shprehje per Shkodren, qe shumekush e pranon me teper krahun e dyte te saj, si per nje qytet, qe ka mbajtur mbi shpine dy mallkime, ate te kulles se sanes dhe te diktatures.

Po, pse aq katastrofik presioni i diktatures ndaj ketij qyteti, pse e diferencoi ajo nga te tjeret, megjithese aty ishte themeluar nje nga celulat e para komuniste? Sepse Shkodra e perqafoi ne menyre shume te zbehte luften nacional-çlirimtare dhe komunizmin, kjo sepse ishte nje qytet radikal ne pikepamje, sepse kishte nje mireqenie ekonomike relativisht me te larte se pjesa tjeter e vendit, sepse kishte nje ide me te qarte per eksperiencen sovjetike, fale kontributit te intelektualeve patriote nga fusha e klerit. Veç te tjerash, ketu e ka zanafillen terbimi i madh i diktatures ndaj klerit me vone.

Ankohemi shume ndaj te ardhurve te ketyre viteve te fundit se na shkaterruan qytetin dhe ky nuk eshte krejt i padrejte, po nuk vrasim mendjen te gjejme shkaqet. Ne nje vellim ne shtyp autori i ketyre radheve shkruan ne menyre alternative: “I ardhuri i keq e prish qytetin, ndersa te ardhurin e mire e prish qyteti!” Vetem nje pjese e vogel e te ardhurve ishin te keqinj, por nese ata e inonduan qytetin, gjeten mbeshtetje ne basifondet e tija. Ata zbriten nga malet ne te panjohuren dhe bene zullume, nje lloj si ajo pjese e emigranteve shqiptare qe u futen ne te panjohuren Europe dhe bene prapesira. Eshte e njejta tablo. Mafiozet shqiptare nuk mund te bejne asgje ne Itali e Greqi pa mafiozet vendas.

Pastaj harrojme diçka me rendesi, harrojme qe i kemi thirrur vete ata, i thirri demokracia, por i thirri keq, pa u krijuar asnje kusht. Pse te kete Shkodra sot gjakmarrje, pse ta huazoje prape nga keta? Kjo ndodh rishtaz per ate qe thame me lart, per presionin me te madh te fshatit mbi qytetin, se sa te qytetit mbi fshain, sepse Shkodra nuk e ka pasur tradite gjakmarrjen. Ajo ishte latente ne vitet e shtrenguara te diktatures dhe shpertheu me frymemarrjen e demokracise. Te ardhurit mbartin me vete nje gen “agresiv”, qe Shkodres i eshte zbehur nga tkurrja e gjate e diktatures, nga emigrimi i elementit me dinamik te saj dhe nga arsye te tjera. Mund te jete interesante nje konsiderate rreth atashimit te madh te Shkodres pas futbollit. Veç dashurise per kete sport ajo derdhi ate dinamizem dhe shpirt krijues, qe ishte e rrezikshme po te angazhohej e fusha te tjera. Te vetmet biseda te parrezikshme ishin ato per futbollin, por edhe ketu duhej njefare kujdesi per te mos share shume Dinamon e Partizanin.

Persa i perket genit “agresiv” te ardhurve nuk u duhet ta konsiderojne ilaritet mendimin, qe pas disa dekadash ai mund te kthehet ne nje element shtytes nese integrohet pozitivisht, nese merr ate qe duhet te marri dhe jep ate qe duhet te japi ne mjediset qytetare shkodrane. Shkodra eshte shquajtur ne rrjedha te shekujve per nje tolerance te mrekullueshme fetare. Ne kete qytet, qe erdhi deri ne prag te çlirimit me 25-30 mije banore, jetonin prane e prane njeri-tjetrit tre religjione te ndryshme, qe asnjehere nuk paten trazime serioze brenda vetes. Vleren e civilizuar te qytetit e rrit edhe me shume fakti qe aty punuan disa konsullata te huaja, roli i disa prej te cilave eshte tani mjaft i njohur. Po, perveç ndonje provokatori te vogel, ata nuk arriten te fabrikojne as tradhtare te medhenj, as spiune te medhenj dhe as zjarrvenes te medhenj te fese. Familje te medha te qytetit, pavaresisht nga perkatesia fetare, kishin kumbari me njera-tjetren, shkonin e vinin per festa dhe respektonin ritet e njeri-tjetrit. Ne ate kohe Shkodra nuk ishte e ndare ne braham, budista dhe indu, siç mundohet te beje shakara ndonjeri, duke nenkuptuar me ta, nje etalon te huaj per njeri-tjetrin.

As sot Shkodra nuk eshte e ndare ashtu dhe perjeton gjithnje nje tolerance te admirueshme fetare. Megjithate, ne mjedise jo dhe aq te rendesishme gjenden gjithnje njerez, qe rrine me veshet perpjete per te numeruar postet drejtuese ne pushtet, ne ekonomi, apo ne kulture, apo dhe ne sfera te tjera dhe per t’i ballafaquar ato me raporte fetare dhe kete gje jo rralle e bejne edhe ata qe e kane ne dore vendosjen e njerezve ne keto poste. Ilariteti, qe shkaktojne disa nga keta persona, qe zene keto poste, tregon qe ata qe rrine me veshet perpjete, nuk mendojne aspak per raportin mes njeriut te zot dhe te pazot, mes te aftit dhe te paaftit. Ne fund te fundit, ky eshte raporti i vertete shqetesues, sepse nje njeri i zoti ne nje post drejtues, nuk shqeteson askend me perkatesin e vet fetare. Keshtu do te ishte nese muziken ne Shkoder ta drejtonte kompozitori Zef Çoba, teatrin Serafin Fanku, muzeumin studiuesi i njohur Vili Kasmi, biblioteken helenisti Gjon Shllaku, apo nese rektor i universitetit do te ishte biologu i shquar Dhimiter Dhora dhe drejtues i qendres se kultures muzikanti Ridvan Karakaçi. Disa nga personat e lartpermendur e kane kaluar moshen e punes, por u permenden si etalone te kultures, megjithese mosha e punes per nje njeri te shquar do te ishte mire te lihej ne doren e tij. Eshte pikerisht ashtu siç ben shaka nje humorist, kur thote qe askush nuk do te varte buzet nese si kryetar bashkie do te zgjidhej nje njeri i zoti, qofte ky edhe Dalai Lama! Njeri i zoti nuk te le “kohe” te mendosh per perkatesine e tij fetare dhe nuk e reflekton kete ne postin drejtues. E degjon me ore te tera Rrok Mirditen dhe as qe kujtohesh per religjionin e tij. Per te kujtohesh vetem si per nje njeri, qe e do kete vend, qe e do progresin dhe qe te nxit te kujtohesh se je shqiptar!

Ndonjehere se si mendon qe Shkodra nder mote ka qene e ndertuar si nje oaz mbi nje truall rere nga kane filtruar pa kthim njerezit dhe figurat me te shquara te saj. Pa u shtyre shume ne mote, se po te shtyhesh teper, ky filtrim do te ishte katastrofik, mund te themi qe Shkodra nuk ka qene ne gjendje te rikuperoje nje poet si Gasper Palin, nje potencial kritik si Qemal Draçinin, nje studiues si Arshi Pipen, nje aktor si Zef Jubanin, apo kompozitor si Prenk Jakoven dhe Tonin Harapin. Ku do ta gjejme me Luk Kaçen, qe e trajtuan aq poshtersisht dhe e moren neper kembe? Tinka Kurti eshte brenda kultures kombetare, duke jetuar dhe punuar ne kryeqytet, po e keqja eshte qe nuk ka nje binjake ne Shkoder! Dikush mund te thote, qe koha qe shkon monumentalizon, krijon shabllone monumentale dhe sikur te pengon te shohesh vlera bashkekohore, qe te sillen neper kembe. Edhe kjo mund te jete, por nuk eshte aq evidente per Shkodren. E veçanta eshte, se emrat e lartpermendur jane talente dhe kapacitete te dala nga spontaniteti dhe jo nga nje politike e drejtuar kulturore-artistike. Shkodra ka vuajtur per kete lloj politike, por edhe nese ajo eshte sajuar gjate periudhes se diktatures, Shkodra ka qene vetem nje apendiks i ketyre politikave. Edhe pas çlirimit te vendit, Shkodra do te mbijetoje me “dhjamin” e vene nga shoqerite e shumta artistiko-kulturore fetare te paraçlirimit. Ne ato kohe kishte me dhjetera banda muzikore, per shembull, ne Shkoder, kurse sot nuk jemi ne gjenjde te ngreme ne kembe nje te vetme! Shkodra e ka pasur te ndjeshme nevojen e nje elite politike dhe deri ne nje fare mase e ka edhe sot, sepse nuk kane jetuar gjithnje politikane iluministe te permasave te Gurakuqit, Saraçit, Ivanajve, apo edhe te nje ministri me vizione te veçanta administrative, siç ishte Musa Juka.

Ndofta nuk eshte e tepert te thuhet, qe qyteti eshte qeverisur nga dy pushtete, njeri i emeruar dhe ne mjaft raste i perbere nga nje elite e kultivuar dhe tjetri honorifik, i mbetur si trashegimi e dyerve te medha, qe ne mjaft vite perbehej nga nje elite e pakultivuar, por qe ishte teper potenciale, se zoteronte pasuri te medha. Kjo elite kishte krijuar nje oaz vetekenaqesie rreth vetes dhe kishte nje fobi dhe nje frike rreth botes pertej saj. Duke qene e pashkolluar bota pertej ishte krejt e panjohur per kete elite dhe eshte ashtu siç thote E. Canetti per njeriun e pakultivuar, qe “nuk i trembet asgjeje me shume se te panjohures” (E. Canetti “Masse et puissance”). E panjohura e beri kete elite me 1880 te trembej nga hekurudha e pare ballkanike qe ishte menduar te niste ne Shkoder. Sot Shkodra nuk e ka me kete frike, madje ka nje guxim te tepruar, por i mungojne shanset. Eshte nje qytet pasionant, sidomos ne politike, ku ndonjehere e ka kapercyer arsyen, por e ka mbledhur veten shpejt dhe ka gjetur ekuilibrin, siç e ka gjetur tani. Ky pasion futet ndonjehere ne fusha, qe nuk i takojne. Mezi u vendos ne bashki ngritja e monumentit te Karamahmut Pashes, sepse dikush ishte per monumentin e Zogut, dikush te Azem Hajdarit. Ne qender te qytetit eshte monumenti i Luigj Gurakuqit dhe fill pas tij rruga “Ahmet Zogu”. Nuk ka ndonje gje te keqe, por duhen kritere, sepse po u vendos si kriter te kenaqurit e te gjitheve, atehere duhen kenaqur edhe nja dhjete komuniste qe kane mbetur ne Shkoder, duke i vene ndonje rrugice emrin e ish-diktatorit.

Po, ne fund te fundit, eshte ekonomia ajo qe percakton gjithçka dhe ekonomia eshte keq. Ndofta shkodranet ishin enderrimtaret me te medhenj te demokracise, por ajo perveç nje emigracioni teper te shtrenguar, nuk u dha tjeter. Kjo, jo vetem per nje mungese pragmatizmi, apo edhe te nje tendencioziteti te qeverise socialiste, por edhe per mungesen e theksuar te imponimit te elites politike. Eshte pergjithesisht kjo mangesi imponimi, qe i jep pergjigje asaj pyetjeje, qe i mundon shkodranet pse nuk ka nepunes te larte dhe ministra nga Shkodra. Shkodra ndofta eshte aq e zymte sa duket ne veshtrim te pare, nuk eshte “e merdhitur” siç e klasifikojne pesimistet. Ka nje tendence ne rritje per te kerkuar ndryshime. Ka nje bashki dhe nje prefekture, qe po punojne me mire brenda tolerances politike. Ka nje perpjekje te intelektualeve per t’i hapur udhe Shkodres permes Malit te Zi drejt Evropes Qendrore. Po fillojne te kthehen pak nga pak te rinjte nga emigrimi, me qellimin per te investuar ne fusha te ndryshme. Evropa eshte gjithnje Evropa per shkodranet, por jo me, me ate ekuivalencen e dikurshme te parajses. Shkodra duhet te veshtroje perpara, pa e harruar kurrsesi te kaluaren e saj dhe pa e kthyer kurrsesi ne mit ate.

Koha Jone – 30.09.2002