Një studim i ri tregon se si rezistenca anti-mikrobike ndaj një ilaçi kyç mund të përhapet nga një fermë derrash në Kinë, tek speciet njerëzore dhe shtazore nëpër botë

Shkencëtarët janë të tronditur nga shpejtësia me të cilën rezistenca ndaj antibiotikëve të fuqishëm është në gjendje të përhapet nga kafshët tek njerëzit. Një studim i ri tregon se si rezistenca anti-mikrobike ndaj një ilaçi kyç mund të përhapet nga një fermë derrash në Kinë, tek speciet njerëzore dhe shtazore nëpër botë, brenda një periudhe disa vjeçare.

Kolistin është ilaçi i fundit që përdoret për t’i shpëtuar jetën e njerëzve kur të gjitha ilaçet e tjera dështojnë.

“Është përdorur pak në klinikë. Dhe pastaj pati disa shqetësime rreth toksicitetit dhe efekteve anësore. U përdor kryesisht në bujqësi, pastaj tek derrat dhe pak tek pulat. Por kohët e fundit, për shkak të mungesës së alternativave të tjera, njerëzit kanë shtuar interesimin në përdorimin e këtij antibiotiku. Sidomos gjatë pesë apo 10 vitet e fundi,t përdorimi klinik i këtij ilaçi është shtuar shumë”, thotë Francois Balloux, Drejtor i Insitutit të Gjenetikës në Universitetin e Londrës.

Por edhe ky antibiotik po humbet fuqinë e tij.

Bakteriet vdekjeprurëse si E. Coli ose salmonela mund të zhvillojnë rezistencë ndaj ilaçeve. Një studimi i ri i Universitetit të Londërs, i udhëhequr nga zoti Balloux, ka identifikuar shpejtësinë me të cilën gjeni i ndryshur që i reziston kolistin-it u shfaq në mesin e viteve 2000.

“U shfaq vetëm një herë. Dhe ka shumë të ngjarë të jetë shfaqur tek derrat, ndoshta në Kinë, dhe u përhap me shpejtësi në të gjithë botën. U përhap në lloje të ndryshme të specieve dhe ka prekur edhe njerëzit. Pra, tani e gjejmë atë në shumë prej bakterieve më të rëndësishme me të cilat përballemi në spitale, dhe është absolutisht kudo”.

Bakteria rezistente është gjetur edhe në ujërat e detit në plazhet braziliane.

Ky studim u përqëndrua vetëm në një gjen rezistent. Shumë bakterie po zhvillojnë forma të tjera të rezistencës.

Zyrtarja e shëndetësisë në Britani paralajmëroi kohët e fundit se rezistenca ndaj antibiotikëve mund të çojë në “fundin e mjekësisë moderne”.

“Mendoni për operacionet e zakonshme, lindjet me operacion, zëvendësimin e ijeve. Ato do të bëheshin shumë më të rrezikshme nëse nuk do të kishim antibiotikë efektivë. Bakteriet e sofistikuara vrasin dhe ato janë në rritje”, thotë Dame Sally Davies nga Zyra Mjekësore e Anglisë.

Shkencëtarët po punojnë për “forcimin” e ilaçeve ekzistuese si kolistini për t’i dhënë atyre fuqi shtesë kundër bakterieve rezistuese.

Në aspektin afatgjatë, studiuesit thonë se nevojiten më shumë investime në zhvillimin e ilaçeve të reja, si dhe rishikimin e mënyrës se si përdoren antibiotikët në bujqësi dhe në klinika.

VOA