Aleksandri i Madh “Biri i Dragoit” dhe Skënderbeu “Kulshedra e Arbënit – Draco i Epirit”

Nga Agron Luka

Ç’farë tregonte ky reliev dhe pse ishte vendosur në murin e katedrales ortodokse të Shën Aleksandër Nevskit në Shkodër, ndërtuar nga Cari Aleksandër Romanov II më 1862 -1865? A ishte ky një reliev antik, mesjetar i përdorur apo i ri i  punuar posaçërisht!?

Ritërbimi enverist tribal – anadollak në vitet 60-ta të shek XX, për “zhdukien e namit dhe të nishanit të memories historike” dhe pasojat e tij…!

Ditën e Shën Gjergjit, isha duke pirë një kafe me familiarët e mij te Kulla Rrotulluese Zodiaku, lartësia ma e madhe në qendrën e Shkodrës moderne, nga mund ta soditësh të gjith panoramën rrethuese. Kur, ashtu si pa u kujtuar gjatë rrotullimit, përpara syve u hapën kodrat dhe këshjella, po ashtu  një mendim më vetëtiu: A ishte akropol fortesa Rozafat e Shkodrës, simbolikisht: koka e një dragoi, me trupin e shtrirë mbi kodrat, me krahët fluturues dy fushat Nënshkodra dhe Mbishkodra dhe me katër kambët,  një sistem fortifikimi e ish kryeqendrës së ilirëve, madje ku kishte kontribut një ndërtimor edhe Aleksandri i Madh/Iskender Zülkarneyni Kokëdybrirëshi, ashtu siç e kishin përshkruar simbolikisht e folklorikisht të gjithë pothuajse kronikat osmanë të shek XIV – XV?!

Mehmet Neshriu shkruante: “Kokëfortësia e të pafeve të Iskenderijes rrjedh nga kështjella… ata i besojnë asaj kështjelle”, ndërsa Torsuni do ta krahasonte tërë sistemin e fortifikimit si, “një perusti/dragua me katër këmbë, ku koka e dragoit ishte vetë Iskënderia/Shkodra”. (S. Pulaha, “Lufta Shqiptaro – Turke në shek XV, Burime Osmane”, 1968, f 93; f 106 etj. )

Mbi temën ne kemi shkruar me kohë një seri shkrime studime, por më konkretisht kemi shkruar edhe për relievin në katedralen e Shën Aleksandër Nevskit në Shkodër. (shih, “Shën Gjergji apo Aleksandri i Madh që vret dragoin fluturues?”, gaz. Koha Jonë, 20 maj 2016, f 18 – 19, etj; shih edhe fig. nr. 1)

Një ndër objektet e zhdukura padrejtësisht, ka qenë edhe kisha katedrale ortodokse në Shkodër e Shën Aleksandër Nevskit! Cari dhe Shênjtori rus Aleksandër Nevskij në vitin 1240, kishte thyer në brigjet e lumit Neva, ushtritë pushtuese suedeze e teutone.

Në vitin 1851, thuhet se në kuadrin e “reformave emancipuese për kaurrët e Rumelijes”, Sulltani Abdyl Hamidi II, kishte pritur një delegacion të popullsisë katolike dhe kishte nënëshkruar një Ferman për ndërtimin e kishës katedrale katolike, që njihet si Kisha e Madhe. Thuhet se një projekt fillestar për ndërtesën kishte paraqitur Pietro Marubbi, i cili nuk u pranua. Për arësye kryesisht financiare fillimi i punimeve ishte shtyrë deri më 7 prill 1858. (Gjush Sheldija, “Kryeipeshkvia metropolitane e Shkodrës e dioqezat sufragane”, Shkodër 1967-1958, ribot., f 83; shih edhe fotoskanimin nr. 2)

Deri atëhere, me ligje të veçanta qysh nga v. 1479, në Shkodër nuk lejohej ndërtimi dhe as meremetimi i asnjë lloj kishe kristiane dhe përveç taksës së xhizjes së rajallëkut kristianët shkodranë kishin edhe një ligj poshtërues, në raste lufte e ekspeditash ndëshkimore, ishin të detyruar të strehonin e ushqenin ushtrinë osmane- turke në shtëpiat e tyre private! Për këto arësye delegacioni shkodran vuri edhe disa kërkesa shtesë para sulltanit, ku Fermanin duhej ta firmosnin edhe pushtetarët lokalë ultraekstremistë fanatikë…  Nuk dimë që Fermani të jetë gjetur dhe botuar. (?)

Më 1862 e mbase edhe më herët (?), Cari rus me emrin Aleksandri II Romanov, kishte komunikuar e ndërmjetësuar dhe kishte nxjerrë një leje direkt nga Sulltani Abdyl Hamidi, për katedralen ortodokse në Shkodër. Vetë cari rus kishte financuar edhe për ndërtimin e saj, madje siç dijmë nga një traditë gojore, përveç ortodoksëve, kishin kontribuar  edhe katolikët, me të holla edhe me pjesë toke nga oborret e tyre. Flitej se projektin e kishte skicuar vetë Pietro Marubbi. (Të dhëna gojore nga e ndjera gjyshja ime Liza Ashiku Luka, bija e njërit nga pasanikët shkodranë Gjon Mikel Ashiku, shtëpia e tyre ishte ngjitur me këtë katedrale dhe gjithashtu u demolua.)

Kjo katedrale ortodokse e Shkodrës, me sa duket ishte projektuar me kohë dhe filloi të shembej qëllimisht në vitin 1962, “për nevoja publike”, kur tashmë ishim prishur me ruso-sovjetikët, sepse mbante emrin e një Cari dhe Shënjtori rus.

A mund të ruhej kjo katedrale ose edhe të spostohej si “Monument Kulture”, nuk po i hyjmë kësaj çështje dhe po ashtu nuk po merremi me pasojat e jashtzakonshme që la mbi njerzit diktatura e një Neroni nr. 666 shqiptar …

Aso kohe dhe sidomos më 1967 e mbrapa, veçanërisht vriste fakti se kur u ngrit çeshtja të prishej xhamia e Et’hem Beut në qendër të Tiranës, diktatori E. Hoxha u çua në bisht dhe reagoi ashpër: “Është simboli historik i Tiranës”! Po Kisha e Madhe katedrale katolike dhe Kisha katedrale ortodokse në Shkodër dhe shumë të tjera nuk ishin?! Po ish Katedralia e Shën Shtjefnit lart në kala nuk ishte dhe nuk është akoma?! As si një Muzeum, për vetë historikun e saj nuk lejohet restaurim rindërtimi i saj?! Apo Shqipëria është vetëm “vend mysliman” dhe duhet të imponojë ideologjinë e fesë islame dhe të Sulltan Mehmet II Pushtuesit?! (Ndër të tjera bazime për deshifrimin e etimologjisë kompozitë të SKODRINON – SKODRINAN, në studimet e botuara të mijat më ka mbetur peng arqipeshvi Andrea Codrarum, viti 519… Si mundet ta zhdukësh historinë 2000 vjeçare të fesë kristiane…?!)

Ka edhe më akoma fakte të rënda, se sa ato që kemi shkruar deri më sot për hipokrizinë dhe diskriminimin, i cili vazhdon ende me imponimin e truve të bullarit jeshil…! Ky demolim thuhet se, nuk u shoqërua nga M. H. Shkodër dhe nga organe të tjera, me rregulla fotografimi e regjistrimi të objekteve që paraqisnin interes dhe vlera historike e materiale monetare! Me gjith kërkimet tona modeste në M. H. Shkodër nuk kemi mundur të gjejmë aty asnjë lloj fotografie të kësaj kishe?! Ekziston ndonjë lloj inventarizimi dhe ndonjë fotografim, ruhen diku dhe mbetën të panjohura si burrokracitë tona?! Apo u zhdukën me ndonjë Urdhër sekret, siç shumë punë të tjera famëkeqe të Diktatorit dhe Sigurimit?!

Kohët e fundit studiuesi dhe hulumtuesi i talentuar Luçian Bedeni, ka arritur të gjejë disa fotografi të cilat do të sjellin të dhëna e dokumente të jashtëzakonshme për piraterinë dhe damtimin e memories historike… (shin një foto të asaj kishe, fig. Nr. 3)

Kështu doni me hy në Evropë ju o…

Relivi në fasadën e mureve të ish kishës së Shën Aleksandër Nevskit.

             Një bllok guri, në reliev i skalitur, është me sa duket i vetmi, që i shpëtoi zhdukjes “së namit dhe të nishanit”. Ky ruhet, ose më saktë vetëruhet, në natyrë të lirë, në oborrin e Muzeut Historik Shkodër.

Kartela e vjetër “ka humbur” dhe Kartela e re Nr. 232, datë 19/09/2001, shënon të dhënat kryesore: “Gdhendie mesjetare në periudhën e Mesjetës; gjetje rasti, gjatësia 70 cm, gjërësia 40 cm, pesha 85 kg, vlefta 1700 dm, dorëzuesi i pa njohur”. Në zërin, “Të dhëna të tjera”, Karlela shënon: “Gur kuadratik, në sipërfaqen e të cilit ka një basoreliev “Shën Gjergji mbi kalë që vret kulçedrën”. Figura është gdhendur pasi është thelluar fusha e kornizuar. Duke qenë me krahë shênjti mund të jetë edhe Shën Gabrieli”.

Te zëri Historiku shkruhet: “Sipas të dhënave gojore ky element ka ardhur nga kisha ortodokse e qytetit të Shkodrës, prishur në vitin 1962, ku ka qenë vendosur në fasadën e saj, me sa duket si gur i ripërdorur i ardhur nga ndonjë monument mesjetar i panjohur”. Në zërat Restaurime, Bibliografi etj, ska asnjë shënim! (shih foton nr. 4, Kartela)

Tashti gjykoni pak edhe vetë ju të dashur lexues:

Duke i anashkaluar të gjitha, ngrihet pyetja: me çfarë mënyre shkencore e krahasuese është datuar ky, “guri i ripërdorur element arkitekture” si, “gdhëndie mesjetare në periudhën e Mesjetës”?! Ku ekziston ky studim e relacion shkencor, dhe cilës mesjetë i përket, të hershmes, të mesmes apo të vonës? Apo, kemi thjeshtë një Kartelë sa “me la gojën” nga një burokrat dembel, futja me hamendje …

“Guri kuadratik, reliev “Shën Gjergji me kal fluturues vret me shtizë kulçedrën”, me të gjitha arsyetimet, nuk duhej të ishte vendosur krejtësisht kot ose rastësisht, në fasadën e një kishe katedrale kristiane, në mesin e shek XIX, aq më tepër kur thuhet se, kishte një prejardhje nga një ish objekt tjetër i këtij lloji!

Si ka mundësi që shênjtori, Shën Gjergji me krahë – apo Shën Gabrieli, i kanë rezultuar kartelistit “specialist” të vitit 2001 që, fluturojnë me krahët e tyre personal?! Me këtë rast i bie që shenjtorët me krahë duhet të mbartin fluturim edhe kalin me peshën e tij!!!

Ky kartelisti, që paraqitet edhe si “specialist – interpretues teolog kristian”, nuk e ka vërejtur fare ose edhe nuk e ka ditur se, në këtë rast, është kali që kishte krahë, pra ishte një kal fluturues Pegas. Gjithashtu, ky nuk e ka konstatuar fare se, edhe kulçedra apo dragoi me katër këmbë, me bisht të gjatë, ishte me krahë fluturues dhe kishte një kokë shqiponje me dy brirë dhie! Përveç heshtës së gjatë që i është ngulur në kokë edhe kali e ka shkelur me dy këmbë – thundrat me patkoj të pasme. Edhe në vetë foton e Kartelës konstatohej lehtësisht! (shih zmadhimin tonë.) Ky tip dragoi simbolik, përfaqëson një tip zvarraniku mishngrënës, si varani i mveshur me imagjinatë me krahë etj.

A mundej një gdhendës i vonë, apo i çfarëdo periudhe mesjetare kristiane, ta bënte një gabim trashanik, të improvizonte qenie mitologjike?! Pa folur pastaj ta ngatërrojë Shën Gjergjin me Shën Gabrielin, siç supozon me pak ironi ky Kartelisti …

Ne kemi formuluar një hipotezë se, ky reliev ishte vendosur me vetëdije si një objekt i rrallë i ruajtur dhe i përzgjedhur, për evenimentin e inaugurimit të katedrales ortodokse:

Së pari: sepse lidhej me Aleksandrin e Madh; Vetë Shkodra qysh nga një kohë bizantine me një mbiemërtim të dytë quhej Aleksandri – Iskënderie dhe ashtu quhej edhe vetë mitropolia ortodokse.

Së dyti:  lidhej edhe me kujtimin e heroit tonë Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur  Skenderbej, pikërisht në imitim të Aleksandrit të Madh.

Së treti: koinçidonte dhe nderonte me këtë rast edhe të dy carët rusë  Aleksandër.

Siç njihet, në një fazë të parë edhe vetë teologjia kristiane kishte futur në literaturat e saja mjaft inerci të Aleksandrit të Madh. Ndër disa autorë antikë që trajtojnë këto tema, më në veçanti Lukiani, jep mjaft të dhëna me interes mbi kultin e Aleksandrit të Madh si biri i zotit-perendisë Zeus, duke shfrytëzuar këtu edhe vetë legjendën e kopjuar mitologjike të Olimpisë se e kishte ngjizur Aleksandrin duke fjetur e iu dhënë seksualisht vetë Zeusit. (Shih Lukiani, “Vep. të Zgj.”, bot. 1979, 351, “Aleksandri ose Profeti i rremë”; për këtë legjendë edhe Plutarku e Tit Livi etj)

Lukiani, shek II, shkruante se, Aleksandrin e Madh, grekët lajkatarë e vunë në një rrang ndër 12 perenditë e tyre, madje kishin ndërtuar edhe faltore me emrin e tij e i bënin edhe flijime. Ai disa herë e kishte nënvizuar se grekët e quajtën si “Biri i Zeusit” dhe besonin se do të ringjallej e prandaj e kishin vendosur në një sallë të madhe në Babiloni, duke pritur disa ditë. Në një vend të çuditshëm Lukiani na kujton: “Aleksandrin e Madh e quanin edhe si Biri i Dragoit” dhe padyshim kjo na kujton për lidhje edhe me traditat më të lashta të politeizmit gadishullor etj. Mbasi u pushtua Egjipti, priftërinjtë egjiptianë u detyruan ta nderonin Aleksandrin si, një nga hyjnitë e Egjiptit, si biri i Amonit, ndërsa persianët filluan ta nderonin si krijuesi i një mbretërie botërore, ku shkriheshin mbretëritë Greqia, Egjipti, Persia edhe India… Aleksandri në këto përshtatie, në vend të klamidës maqedone, kishte veshur edhe kandin mantel edhe tiarën në kokë të persianëve, hipën edhe në elefand me veshje indiane etj. Për më shumë Aleksandri i Madh nderohej si Basileusi Perandori i të gjithë Botës. (Lukiani, cit., “Aleksandri, Hanibali, Minosi dhe Skipioni”, f 250 – 254; “Diogjeni dhe Aleksandri”, f 254 – 256; “Filipi dhe Aleksandri”, f 257 – 259; Bibla e Vjetër,  )

Ka patur dhe ka mendime se, dublimi si Shën Gjergj dhe si Aleksandër, lidhej me mitologjitë për dragojtë, kulçedrat, kimerat etj. Dihet se këto mitologji përmbanin lloje të këqia dhe lloje të mira dragonjsh dhe kulçedrash. Fillimisht ato hynë nga antika e thellë politeiste duke pësuar ndryshime e modifikime, në monoteizmin judaik e kristian. Koncepti i disa dragonjve të mirë dhe i shumicës së tyre si të këqinj, shkonte pak a shumë si konceptimi i xhinëve të mirë dhe i xhinëve të këqinj në Kuran, nga të cilët kishte edhe në Tokë por edhe në sistemet e tjera planetare diellore- yjore. Me kalimin e kohës shumë prej atyre mitologjive e mrekullive, filluan të skartoheshin ose të përzgjidheshin.

Të dy heronjtë Aleksandri i Madh dhe Skënderbeu, kishin legjenda popullore për luftime me dragonj e kulçedra keqbërëse dhe madje ishin mbiquajtur edhe me epitetet dragoi, kulçedra, duke kuptuar me këtë rast se ishin dragonj ose kuçedra të mira.

Vetë Olimpia, kishte përhapur legjendën antike, ku pretendonte se Aleksandrin e Madh e kishte ngjizur me Zeusin e metamorfizuar si një gjarpër-dragua. Ajo imitonte kështu ish legjendat e lashta homerike, ku kjo ngjizie e grave ose e bijave të basileusave konsiderohej e moralshme dhe një nderim i madh. Ndërsa, Vojsava, nëna e Gjergj Kastriotit, në imitim të Olimpisë epirote, na kishte parë një ëndërr profetike, se do të lindte një dragua-kulçedër të gjatë gjigand, sa gjatësia detare e Epirit, nga kufinjtë e Venedikut deri te kufinjtë e turqve. Ky dragua-kuçedër, sigurisht ishte Skënderbeu.

(M. Barleti, Historia e Skënderbeut, bot. 1967, f 54; shih nga ne studimin, “Aleksandri i Madh dhe Skenderbeu me epitetet Gjarpri-Dragoi-Kuçedra”, bot. Gazeta Shqiperia Etnike, nr. 138, 4 mars 2010; gaz. Sot, në internet edhe në, www.shqiperia.com; shih fotoskanimet nr.  5)

Dihet se monoteizmi kristian i kishte shpallur besimet politeiste dhe mrekullitë e tyre si “bestytni të antikitetit të rremë”, term ky që e përdor edhe vetë Barleti ynë (Rrethimi i Shkodrës, bot. 1967, f 81)

Në rastin tonë konkret, në krahasim me mitologjitë antike, mbishtresat folklorike popullore kanë bërë modifikime për shkakun e përshtaties me evolucionin e kristianizmit, duke e interpretuar edhe si një profeci disi të pranueshme edhe kristiane, ku dragoin ose kulçedrën me krahë, do ta shohim të rrethuar edhe me ëngjëj kristianë. (shih foton nr. 5, të nxjerrë nga grafikat e botimeve të M. Barletit, për Skënderbeun)

Edhe Frang Bardhi e kishte quajtur dhe e kishte shkruar me gjuhën epirotishte, Skënderbeu: “Epiri Draco ose Kulshedra e Arbënit”. (F. Bardhi, “Dictionarivm LATINO EPIROTICVM, 1635; Skanimi sipas studiuesit K. Marku; Edhe te Apollogjia Gj. Kastrioti Skënderbeu, 1636; cit, sipas përkth shqip 1957, f 73, përdor të njejtat epitete folklorike)

Në folklorin tonë shquhet sidomos “Balada e Lule Frangut”, i cili ndeshet në një garë me kal fluturues me Osman Agën. Albanologu Kol Luka, në shtresëzimet mesajetare, gjente edhe një kronologji aty te shek XI. (“Balada e Lule Frangut”, bot., “Etnografia Shqiptare”, 1974, 59-114; shih edhe nga ne “Balada e Lule Frangut”, gaz. Ballkan, 20 dhjetor 2011, me ilustrimet me kal maz fluturues.)

Këtu nuk duhet harruar se vetë mitropolia ortodokse quhej Mitropolia e Iskenderies simbas emrit të Aleksandrit të Madh, që qysh e pakta nga shek XIV-XV, vetë bizantinët, turqit dhe vetë myslimanët shqiptarë quanin Shkodrën. Këtë e pohonte edhe M. Barleti. (“Rrethimi i Shkodrës”, bot. 1967, f 34-35)

Me objekte me mitologji të lashta me kuaj fluturues, dragoj, kimera, grifonë etj, qenie fluturuese, siç të gjitha qytetërimet e lashta, ka qenë i mbushur edhe gadishulli ynë.

Aleksandri i Madh, i rritur dhe i ushqyer me këto mitologji të lashta, sidomos nga e ëma Olimpia, filloi t’i imitonte e t’ia përshtaste vetes.

Kulti i Aleksandrit, si:  “Biri i Zeusit të Madh, si Zoti – Pronari/Sunduesi i Botës, në të katër koordinatat, prej ku lind dhe deri ku perëndon, nga veri e deri në jug, pinjoll i farës së shquar të popujve ilirikë…”, jo rastësisht, na del në Privilegjet dhe Testamentin e Aleksandrit të Madh, akorduar ilirëve, në preambulën e Statuteve të Shkodrës, siç ne e kemi trajtuar tashmë në disa studime.

Siç më kumtoi posaçërisht prof. Aleksandër Meksi, dragonj dhe rafigurime me kalorës që vrasin me shtizë dragonj, kimera etj, përveç se në kishën e Mesopotamit, ka edhe në kishën e Kurjanit afër Roskovecit… Këtë fakt diçka e kam ditur, sepse kam patur “nderin” për nja dy dekada të kem qenë i “internuar për motive politike mbas prindërve” dhe kam punuar me Brigatën e Investimeve Mirëmbajtje me ustallarët, te Rosat e Pekinit dhe te Derrat, në Kurjan, kam vizituar edhe arkeologun B. Dautaj dhe bashkëshorten e tij, A. Mano në Kalanë e Krotinës, në Dimalitan … Ndër të tjera Ora Diellore që zbuloi arkeologu Dautaj, tregonte për lidhjet, emigrimet dhe pjesmarrjet e ilirëve e epirotëve në fushatat ushtarake të Pirros, në Magnia Grecia… (shih nga ne, “Alfabeti, hyjnesha iliria, demi Zeus dhe ora diellore në akropolin e Krotinës”, https://sot.com.al ›dossier›alfabeti-hyjn…)

Dhe, ja se ç’fshihej atje në Kurjan dhe ka qenë fat i madh që ka shpëtuar edhe kaq… (shih skanimet fig. nr. 7) A është ky reliev si një kopje e artit antik në shek XIII, apo janë pjesë të objekteve antike, le të mbetet hapur… Ne besojmë se ka një ndikim antik Apollonia, e cila ishte futur nën sundimin e Aleksandrit të Madh, ku ka prerë edhe monedha të tij, ashtu edhe tipe grifonësh dalin në Apolloni, ndikim duhet të ketë patur edhe Antipatrea- Berati. Gjithshtu e kemi krahasuar relievin e Kurjanit me mozaikun e katedrales së Otrantos, ku Aleksandri i Madh, me veshje fustan kandi dhe tiarë mbi krye ka hipur mbi dy dragonj grifonë nis fluturimin për në qiell… 33 vjeçarin Aleksandrin e Madh e kishin lënë në një sallë të madhe në Babiloni dhe prisnin të ringjallej…

Katedralia e Otrantos filloi të ndërtohej në shek XII, më 1088, në një terren me mbeturina arkeologjike iliroepirote mesapike e paleokristiane. Në vitin 1480 – 1481, për 300 ditë të pushtimit otoman të komanduar nga Ahmed Gjedik Pasha që thuhet me origjinë albane, të gjithë klerikët u masakruan, afresket u shkatërruan dhe filloi të transformohej si xhami. Po kishën e Kurjanit nuk e preku askush, sa duket banorët ishin treguar shumë finokë… atë vetëm koha dhe pamjaftueshmëria e fondeve restauruese dhe studimeve në shek XX e dëmtoi.

Le t’i lëmë hapur pra këto hipoteza, nuk i dihet se ç’të reja do dalin…