Sinqeriteti, vetëm sinqeriteti… kaq pak për të guxuar dhe besuar se ne i meritojmë dashuritë e mëdha

Krimi i dashurisë!

Hipokrizia është një lëmsh që shtrëngon dhe mbyt aq makthshëm dashurinë në shoqërinë moderne saqë shumë mendimtarë dhe iluministë guxojnë të dalin në përfundimin, se i vetmi faj, i vetmi krim që mund të bëjë kjo ndjenjë është mashtrimi. Kurajoja për besuar, se duke i’a fshehur fajin syve të botës, do të kesh mundur t’ia fshehësh edhe ndërgjegjes tënde, është poshtërimi më i ulët që i bën viktimës nevoja tradhtare, është fyerja më e pështirë që i bëhet vetëdijes, e cila del nga kjo pjesëmarrje në krim, më shumë se viktimë.

Për mua, thotë Mantegazza, dashuria është kryekëput një gënjeshtër.

Ajo është gënjeshtare kur betohet e stërbetohet.

Është gënjeshtare në ligjet e jetës.

Është e pabesë, hajdute dhe gënjeshtare vetëm ngaqë gënjen.

Po cilat janë dashuritë e mirëfillta, dashuritë e mëdha?

Të gjithë njëzëri do të përgjigjeshin: Dashuritë e sinqerta!

Cilat janë dashuritë e lumtura? Të sinqertat!

Të gjithë fajet e dashurisë janë mashtrimet.

Pothuajse tërë fatkeqësitë e dashurisë janë bija të mashtrimit, dhe… tradhtia bashkëshortore nuk është gjë tjetër veçse mashtrimi më i ulët.

Cila është zgjidhja e vetme për dashuritë fatkeqe, vijon Mantegazza, shpresa e fundit për dashuritë tradhtare, kush është?

Sinqeriteti, sinqeriteti, asgjë tjetër përveç sinqeritetit.

Kaq pak për të shpëtuar nga një vuajtje kaq e thellë, kaq pak për t’ia kursyer zemrës një dhimbje kaq therëse, kaq pak për të guxuar dhe besuar se ne i meritojmë dashuritë e mëdha.