Historia e flamurit që u la me gjak dhe mëvetësia e shqiptarëve e shpallur më 6 prill 1911 në Deçiq

Më 6 Prill të vitit 1911, një vit para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, flamuri shqiptar u valëvit në Deçiq. Ai ishte flamuri që u la me gjak. Ajo ishte maja që u muar me jetë të sakrifikuara. Ajo ishte mëvetësia e shqiptarëve që u fitua nga gryka e pushkës. Gjatë Kryengritjes së Malësisë së Madhe, më 6 prill 1911, luftëtarët e Hotit pushtuan majën e Bratilës dhe me urdhër të Dedë Gjo’ Lulit, Nikë Gjelosh Lulit vendosi flamurin shqiptar kuq e zi në afërsi të majës së Deçiqit. Ngritja e flamurit shqiptarë ishte edhe kulmimi i Kryengritjes dhe treguesi më i qartë se qëllimi e Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911 ishte luftë për liri, komb dhe shtet shqiptar. Për këtë ishin përbetuar prijësit e 7 bajraqeve të Malësisë: Hot, Grudë, Kastrat, Kelmend, Shkrel, Triesh, Kojë, por edhe fiset e tjera jashtë Malësisë së Madhe.

Për këtë flamur luftuan malësorët me prijësit e fiseve që udhëhoqën Kryengritjen e Malësisë, në krye me kryeprijsin e Kryengritjes, Dedë Gjo’ Lulit.

Hotit i prinë: Dedë Gjo; Luli, vojvodë i Traboinit-Hotit, Nikë Gjelosh Luli, Gjekë Marash Gjeloshi, Gjon Nikë Plluci, Lulash Zeka, Zef Lan Ula, Kolë Marash Vata, Dedë Gjoni, të gjithë nga bajraku i Traboinit.

Nga Rapsha e Hotit, Gjeto Marku, Lucë Muça, Zef Marashi, Luc Marku, Tomë Nikolla (vojvodë) dhe Gjon Pllumi.

Grudës i prinë: Dedë Nika, bajraktarë i Grudës, Sokol Baci (vojvodë), Kolë Zefi, Tomë Zoli, Marash Dashi, Marash Ujka, Lucë Gjeloshi, Kolë Deda (vojvodë), Tomë Gjoni si dhe Prenk Ujka e në disa dokumente përmendet edhe e bija e Smajl Martinit (bajraktarë i parë i Grudës), Tringë Smajlja.

Kastratit (Selcës) i prinë: Dodë Prëçi, bajraktar i Kastratit, Nikollë Doda, Mark Dashi, Mirash Luca, Gjelosh Gjoka (vojvodë), Pjetër Gjoka, Dedush Marashi dhe Lulash Dashi.

Këlmendit i prinë: Palë Luca (vojvodë), Lucë Marku, Vocërr Preçi, Lucë Gjoni dhe bajraktari Gjon Voci.

Vuklit i prinë: Gjon Uci, bajraktarë, Dosh Prenka, Zef Uci (vojvodë) dhe Lul Rapuka.

Nga Nikçi: Gjon Sokoli dhe Lulash Kolë Shyti.

Nga Shkreli: Tomë Nika, Prelë Prëka dhe Zef Mali.

Nga Shala: Mehmet Shpendi (vojvodë), Marash Delia, Mark Alia.

Në Kryengrtije morën pjesë edhe Trieshi e Koja, edhe pse në atë kohë ishin nën Mal të Zi.

Kojën e udhëhoqi bajraktari Prëtash Zeka (foto e flamurit që u ngrit në Deçiq, e bërë nga Marubi).

***

Është e njohur kjo foto e Marubit që paraqet flamurin e shpalosur nga Ded Gjo’ Luli gjatë kryengritjeve të mëdha për pavarësi më 1911-1912. Çka dihet më pak, është se ky flamur mund të jetë pikërisht ai që sollën në truallin mëmë, me porosi të diasporës shqiptare në SHBA, dy patriotë përmetarë, Gore Dindi dhe Toke Pollo. Ata u nisen për të luftuar së bashku në Kosovë dhe për t’u pjekur me heroin kryengritës më 1911. Asnjë nga të dy luftëtarët toskë, të cilët rrugëtuan në Kosovë e Shqipëri, pa mundur ta takonin vetë gegun e madh Ded Gjo Lulin, nuk e morën kurrë vesh se çfarë u bë me flamurin pasi ja dorëzuan një emisari të tij.

Çka mund ta bëjë të besueshme tezën se bëhet fjalë për këtë flamur, nuk është vetëm cilësia e përpunimit të tij, por edhe dy fakte të tjera: Mbi flamur është vendosur një cohë ku shkruhet “Flamuri i Liris” mars 1911, vit që përkon me nisjen e dy patriotëve drejt Kosovës. Ndërkohë, në shtizën mbajtëse, shohim një shqiponjë njëkrerëshe, e cila është konform shqiponjës simbol të SHBA.

Flamuri paraqitet në formën e labarum-it, në stilin e legjioneve romake përfshirë edhe në kohën e Kostandinit të madh, gjë që të kujton strofën e famshme të himnit të flamurit të Imz. Nolit, “Flamur që lind Shën Kostandinin, pajton Islamn’e Krishtërimin, çpall midis feve vllazërimin, flamur bujar për Njerëzi”