Dilema e pazgjidhur e Kullës së Babelit, e vërteta sipas Zanafillës apo «një përpjekje naive për të shpjeguar origjinën e kombeve»

Debatet mbeten të hapura, dilemat që rreket të përcjell Zanafilla mbeten gjithashtu të kyçura në mos gjetjen e një pranimi shkencërisht bindës, ose refuzimi i bollshëm argumentuesh. Gjithsesi legjenda e Kullës së Babelit nuk paraqet një përfshirje aktuale të sheshimit të zërave që rreken ta pranojnë dhe atyre që e rrëzojnë.

Kulla e Babelit

Siç dihet, Kulla e Babelit sipas Zanafillës, kreu 11 i Biblës ishte një kullë e ndërtuar për të arritur qiellin nga njerëzimi i bashkuar. Perëndia që vëzhgonte kryelartësinë e njerëzimit, vendosi të pështjellonte gjuhën e njëjtë të mëparëshme të njerëzimit, dhe kështu parandaloi çdo përpjekje të tillë në të ardhmen. Shkatërrimi i kullës nuk përshkruhet në Zanafillë, por përmendet në Librin e Jubileve, e tjetërkund. Shpjegimi i arsyeshëm i historisë, siç e mendonte për shembull Flavius Jozefus, që e shtjellon shkatërrimin e kullës në termat e të metave njerëzore ndaj Perëndisë: brendapërbrenda një sfere fetare, njerëzimi mendohet të jetë një krijesë trashëgimtare cenesh jeta e të cilit mvaret nga një krijesë e përsosur, prandaj shkatërrimi i kullës është një veprim i mundshëm mospërfilljeje apo grishjeje (sfide) krenare ndaj Perëndisë që e krijoi atë. Si përfundim, kjo histori përdoret shpesh brenda një teksti fetar për të shpjeguar ekzistencën e shumë gjuhëve të ndryshme.

BABELI

Në trajtimin religjoz dhe jo vetëm, Babeli është një nga qytetet e para që u ndërtuan pas Përmbytjes. Atje Perëndia «ngatërroi gjuhën e gjithë tokës». (Zn 11:9) Emri vjen nga folja balál që do të thotë «ngatërroj». Meqë e konsideronin qytetin e tyre si selinë e qeverisë së Perëndisë, banorët thoshin se emri i qytetit përbëhej nga fjalët bab (portë) dhe ilu (Perëndi), pra kishte kuptimin «porta e Perëndisë».

Mbretëria e Nimrodit të lig, ‘gjahtarit të fuqishëm kundër Zotit’, zuri fill në Babel, «në vendin e Shinarit», në rrafshinën lymore të krijuar nga vërshimi i lumenjve Eufrat dhe Tigër. Ngaqë s’kishte gurë, ndërtuesit shfrytëzuan argjilën që ishte me shumicë. Ata thanë: «Të bëjmë tulla e t’i pjekim në zjarr.» As gëlqere nuk kishte, prandaj në vend të llaçit u përdor bitum.​

Në Babel, i cili ishte projektuar kundër vullnetit të Perëndisë, ndërtesa më e rëndësishme ishte një kullë fetare, ‘maja e së cilës arrinte deri në qiej’. Ajo nuk u ndërtua për të adhuruar ose lëvduar Zotit, por i kushtohej fesë së rreme të krijuar nga njerëzit dhe u ngrit me synimin që ndërtuesit e saj ‘të bënin emër’.​

Koha e përafërt e ndërtimit mund të nxirret nga të dhënat e mëposhtme: Pelegu jetoi nga viti 2269 deri në vitin 2030 p.e.s. Emri i tij do të thotë «ndarje», sepse «në ditët e tij toka [pra, «popullsia e tokës»] u nda», Zoti «i shpërndau në gjithë faqen e tokës». Në një dokument të Sharkalisharit, mbret i Agades (Akadit) në epokën patriarkale, thuhet se ai restauroi një kullë-tempull në Babiloni. Kjo tregon se ndërtesa ekzistonte para mbretërimit të tij.

***

«Perëndia i shpërndau në gjithë faqen e tokës dhe pak nga pak ata e lanë ndërtimin e qytetit. Ja përse u quajt Babel, sepse atje Jehovai ngatërroi gjuhën e gjithë tokës.»

A KA ndodhur vërtet kjo që tregon Zanafilla? A filluan njerëzit të flisnin gjuhë të ndryshme njëkohësisht, ashtu siç thotë shkrimi? Disa tallen me këtë tregim të Biblës për mënyrën si filluan dhe u përhapën gjuhët. Një autor pohon: «Legjenda e Kullës së Babelit pa diskutim është një nga tregimet më absurde që është treguar ndonjëherë.» Madje edhe një rabin jude e quajti «një përpjekje naive për të shpjeguar origjinën e kombeve».

Po pse e hedhin poshtë tregimin e Babelit? Me pak fjalë, sepse bie ndesh me disa teori për origjinën e gjuhëve. Për shembull, disa studiues sugjerojnë se grupet e gjuhëve nuk u shfaqën papritur, por evoluan gradualisht nga një «gjuhë mëmë». Të tjerë besojnë se disa gjuhë origjinale u zhvilluan në mënyrë të pavarur duke u përmirësuar nga tinguj të thjeshtë në gjuhë komplekse. Këto dhe teori të tjera kontradiktore, kanë shtyrë shumë veta të mendojnë si profesori U. T. Fiç, që shkroi në librin e tij Evolucioni i gjuhëve (The Evolution of Language): «Nuk kemi gjetur ende përgjigje bindëse.»

Çfarë kanë zbuluar arkeologët dhe studiuesit për origjinën dhe zhvillimin e gjuhëve? A vërtetojnë zbulimet e tyre ndonjë nga këto teori? Apo mbështetin tregimin për Kullën e Babelit? Së pari, le ta shohim më nga afër tregimin e Biblës.

KU DHE KUR NDODHI?

Bibla thotë se ngatërrimi i gjuhëve dhe shpërndarja e njerëzve ndodhi «në vendin e Shinarit», që më vonë u quajt Babiloni. (Zanafilla 11:2) Kur ndodhi kjo? Bibla thotë se «toka [‘popullsia e tokës’] u nda» në ditët e Pelegut, që lindi rreth 250 vjet para Abrahamit. Prandaj, ngjarjet në Babel me sa duket ndodhën rreth 4.200 vjet më parë.—Zanafilla 10:25; 11:18-26.

Disa studiues ngrenë teorinë se gjuhët e sotme rrjedhin nga një gjuhë origjinale, e ashtuquajtura gjuha mëmë që mendohej të flitej afro 100.000 vjet më parë. * Të tjerë thonë se gjuhët e sotme vijnë nga disa rrënjë gjuhësore që fliteshin të paktën 6.000 vjet më parë.

Por si janë zhvilluar gjuhët e vdekura sipas gjuhëtarëve? «Kjo është e vështirë,—thotë revista Economist.—Ndryshe nga biologët, gjuhëtarët nuk kanë fosile për të kuptuar të kaluarën.» Revista shton se një evolucionist gjuhësor i nxjerr përfundimet nga «hamendësime të bazuara në llogaritje matematikore».

Gjithsesi, «fosilet gjuhësore» ekzistojnë. Çfarë janë këto fosile dhe çfarë zbulojnë për origjinën e gjuhëve? Një enciklopedi shpjegon: «Dokumentimet më të hershme të gjuhës së shkruar, të vetmet fosile gjuhësore që njeriu shpreson të ketë, datojnë jo më tepër se 4.000 apo 5.000 vjet më parë.» (The New Encyclopædia Britannica) Ku i zbuluan arkeologët këto «fosile gjuhësore» apo «dokumentime të gjuhës së shkruar»? Në Mesopotaminë e Poshtme, domethënë në Shinarin e lashtë. * Pra, dëshmitë fizike që ekzistojnë, përputhen me faktet që përmenden në Bibël.

GJUHË TË NDRYSHME, MËNYRA TË NDRYSHME TË MENDUARI

Tregimi biblik thotë se në Babel, Perëndia veproi që ‘t’u ngatërronte gjuhën, që të mos e kuptonin njëri-tjetrin’. (Zanafilla 11:7) Si rezultat, punëtorët «e lanë ndërtimin e qytetit» të Babelit dhe u shpërndanë «në gjithë faqen e tokës». (Zanafilla 11:8, 9) Pra, Bibla nuk thotë se të gjitha gjuhët e sotme vijnë nga një «gjuhë mëmë». Por përshkruan shfaqjen e menjëhershme të disa gjuhëve të reja që, me sa duket, ishin të zhvilluara plotësisht. Secila prej atyre gjuhëve arrinte të shprehte të gjitha ndjenjat e mendimet njerëzore dhe ishin të ndryshme e të dallueshme nga njëra-tjetra.

Po ç’mund të themi për grupet gjuhësore sot? A ngjajnë apo ndryshojnë në thelb? Lira Boroditski, shkencëtare në fushën e aftësive intelektuale, shkroi: «Kur gjuhëtarët gërmuan më thellë në gjuhët e botës (pak a shumë 7.000, dhe analizuan vetëm një pjesë të vogël), dolën ndryshime të panumërta e të paparashikuara.» Po, vërtet gjuhët e dialektet e një familjeje gjuhësh, si gjuha kantoneze dhe haka në jug të Kinës, mund të ngjajnë me njëra-tjetrën, por ama ndryshojnë tej mase nga ato të një familjeje tjetër gjuhësh, për shembull nga gjuha katalane perëndimore ose valenciane në Spanjë.

Gjuhët modelojnë mënyrën si e mendojnë dhe e përshkruajnë njerëzit botën që i rrethon, si ngjyrat, sasinë, vendndodhjen, drejtimin. Për shembull, në një gjuhë thuhet: «Ke një buburrec në dorën e djathtë.» Kurse në një gjuhë tjetër, thuhet: «Ke një buburrec në dorën jugperëndimore.»  Këto ndryshime të ngatërrojnë, për të mos thënë më shumë. Nuk habitemi pse ndërtuesit e Babelit e patën të pamundur të vazhdonin projektin.

TINGUJ APO I FOLUR KOMPLEKS?

Çfarë gjuhe fliste në fillim njerëzimi? Bibla thotë se njeriu i parë, Adami, ishte në gjendje të formulonte fjalë të reja kur u vuri emra të gjitha kafshëve dhe krijesave fluturuese. (Zanafilla 2:20) Gjithashtu, Adami thuri poezi që të shprehte ndjenjat për gruan, kurse ajo e shprehu qartë urdhrin që kishte dhënë Perëndia dhe pasojat nëse nuk i bindeshin. (Zanafilla 2:23; 3:1-3) Në ato kohë, gjuha e parë u mundësonte njerëzve të komunikonin plotësisht dhe të shpalosnin krijimtarinë e tyre kur shpreheshin.

Ngatërrimi i gjuhëve në Babel pengoi bashkërendimin e aftësive intelektuale dhe fizike të njerëzve. Gjithsesi, gjuhët e reja që u shfaqën, ashtu si gjuha e parë fare, ishin komplekse. Brenda pak shekujsh, njerëzit ndërtuan qytete plot gjallëri, formuan ushtri të fuqishme dhe filluan tregtinë ndërkombëtare. A do të kishin përparuar kaq shumë nëse nuk do të kishin fjalor dhe gramatikë të pasur? Sipas Biblës, gjuha e parë dhe gjuhët e Babelit nuk ishin pasthirrma dhe tinguj primitivë, por gjuhë komplekse.

Studimet e sotme e përkrahin këtë përfundim. Një enciklopedi thotë: «Çdo popull që është marrë në shqyrtim, sado ‘primitiv’ qoftë nga ana kulturore, ka treguar se ka një gjuhë plotësisht të zhvilluar dhe po aq komplekse sa gjuhët e të ashtuquajturave kombe ‘të civilizuara’.» (The Cambridge Encyclopedia of Language) Po kështu, në librin e tij Instinkti gjuhësor (The Language Instinct), Stiven Pinkeri, profesor i Universitetit të Harvardit, thotë: «Nuk ka ekzistuar diçka e tillë si gjuha e epokës së gurit.»

E ARDHMJA E GJUHËVE

Pasi pamë datimin dhe vendndodhjen e «fosileve» gjuhësore, ndryshimet thelbësore midis grupeve të gjuhëve dhe kompleksitetin e gjuhëve të lashta, në çfarë përfundimi të arsyeshëm mund të arrijmë? Shumë veta arrijnë në përfundimin se tregimi biblik i Babelit është një shpjegim më se i besueshëm.

Bibla na tregon se Perëndia u ngatërroi gjuhën njerëzve në Babel, sepse u rebeluan kundër tyre. (Zanafilla 11:4-7) Por ai premtoi se ‘do t’u ndryshonte popujve gjuhën në një gjuhë të kulluar, që të gjithë të thërrasin emrin e Zotit e t’i shërbejnë atij sup më sup’. (Sofonia 3:9) Kjo ‘gjuhë e kulluar’, domethënë e vërteta nga Fjala e Perëndisë, po mbledh sot një popull nga e gjithë bota. Duket logjike që në të ardhmen Perëndia ta bashkojë edhe më tepër njerëzimin duke i dhënë një gjuhë të përbashkët, duke zhbërë kështu ngatërrimin që ndodhi në Babel.

LEGJENDA QË I BËJNË JEHONË TREGIMIT BIBLIK

«Njëherë e një kohë të gjithë njerëzit jetonin në një fshat të madh dhe flisnin një gjuhë të vetme»,—thotë një tregim i një fisi në Mjanmar. Ndërsa ndërtonin një kullë të madhe, punëtorët «gradualisht përvetësuan sjellje, zakone dhe mënyra të foluri të ndryshme [dhe me kalimin e kohës] u shpërndanë në mbarë tokën». Legjenda të ngjashme gjen edhe midis popujve indigjenë të Afrikës, Azisë Lindore, Meksikës, etj.

Nëse tregimi i Babelit do të ishte sajim nga Moisiu, shkrimtari hebre i Zanafillës që jetoi shumë vjet pas ngatërrimit të gjuhëve në Babel, a do të shfaqej ky tregim në legjendat e popujve dhe gjuhëve që ishin aq larg? S’ka sesi. Prandaj, ekzistenca e këtyre legjendave dhe rrëfenjave të ndryshme dëshmon se tregimi biblik për Babelin është i besueshëm, po a është bindës për ata, të cilët njohin faktin shkencor si arsyetim bindës?