Baroku, udha transformuese e pikturës nga dritshmëria e terrizmi te dinamizmi; nga Caravaggio, Rembrand e Velasquez, te Rubens

Ishin shekujt XVII-XVIII në Evropën e lëkundjeve të fuqishme transformuese, diçka poterisëse e shndërruese kishte nisur të ndodhte. Jo vetëm në aspektin religjioz, por në tërësinë e mendimit dhe konceptimit të komunikimit filozofik dhe estetit. Një përmbysje e themeltë bëri vend në artin e kontinentit të vjetër. U përfshi piktura, arkitektura, muzika, poezia… gjithçka shpirtërore zuri t’i jepej këtij ndryshimi. Stilet, nga lineare nisën të bëheshin më pikturore. Formate mbyllura u lanë vend atyre të hapura. Karakteri unik e planor i tablosë u përthye duke fituar thellësi, ndërsa ndarja e qartë midis figurave dhe sendeve u zhduk, dhe këto të fundit nisën të konceptohen të shkrira me njëra-tjetrën. Fryma e heroizmit shpesh edhe ajo mistike, e pasqyruar në gjeste dhe shprehje patetike të figurave, ndjenja e materializmit, ekstazës, dhimbjes e vdekjes, si dhe karakteri hyjnor i dritës artificiale, u bënë zotëruese të tablosë.

Megjithëse vitet gjashtëqind njihen si shekulli i barokut, rrymat e pikturës së kësaj periudhe janë të larmishme dhe herë-herë të kundërta me njëra-tjetrën. Shekulli hapet me kumtin e një piktori të jashtëzakonshëm, Caravaggio, i cili me gjithë jetën dhe karrierën e shkurtër (1573-1610) la një gjurmë të thellë në pikturën perëndimore. Në pikturat e tij Caravaggio nënvizoi tiparet më njerëzore të rrëfenjave biblike si varfërinë e shenjtorëve dhe bashkëthurjen në të cilën përfshihen.

Ky humanizëm paksa i idealizuar paraqitet përmes kontrastesh  të forta dritëhijesh, të cilat theksojnë karakterin dramatik e nganjëherë edhe të dhunshme të tablove të tij. Kësaj gjuhe të veçantë iu dha emri “luminizëm” (dritshmëri).

Në fillim të shekullit XVII Roma ishte një pol tërheqës për piktorë, skulptorë dhe arkitektët e të gjithë Europës. Ndërkohë kontinenti vazhdonte të përpëlitej në luftrat absurde fetare.

Disa vende si Hollanda përqafuan reformën protestante dhe për pasojë nuk shihnin më te piktura një mjet për përhapjen e mësimeve të Biblës. Ndërsa në vendet e reformuara, kisha nuk është më porositëse e rëndësishme për artistët. Roma bëhet më shumë se kurrë e interesuar për ndihmën e tyre për të kremtuar lavdinë e kishës katolike. Në pjesën më të madhe punohen afreske për kishat, realizohen piktura altari dhe grupe skulpturore. Bashkë me piktorët italianë, në Itali gjendet edhe një numër tepër i madh piktorësh të ardhur nga Franca, Gjermania, Vendet e Ulta dhe Spanja. Gjuha e re e shprehur nga Caravaggio, i cili kishte banuar në Romë në periudhën ndërvitase 1593-1606, ndikoi mbi disa prej tyre, të cilat do të përhapnin më pas luminizmin në Itali dhe në të gjithë Europën. Do të lindtë kështu “karavaxhizmi”.

Në Spanjë, interpretuesit më të mëdhenj të luminizmit të Caravaggios janë i riu Velasquez dhe Francisco de Zurbaran: Në vendin iberik ky stil mori emrin “tenebrizëm” (terrizëm). Ata që zbatuan stilin karavaxhesk në subjektet e jetës së përditshme në Hollandë ishin piktorët Hendrick Terbrugghen dhe Garret von Hanthorst. Ndër të tjera njohja me luminizmin karavaxhesk pati rëndësi parësore në formimin e Rembrandit të madh. Megjithëse përhapja e tij ishte e kufizuar në Francë, karavaxhizmi pati edhe në këtë vend një interpretues të madh si Georges de la Tour.

Në të njëjtën kohë, zë e merr formë në Romë gjuha e përkufizuar si “barok”. Bëhet fjalë para së gjithash për zbukurime me përmasa të mëdha ku mbizotërojnë iluzionizmi dhe lëvizja. Duke i përpunuar edhe më tej teknikat e perspektivës të zhvilluara gjatë dy shekujve pararendës, piktorët e viteve gjashtëqindë do të realizonin, ndër të tjera, arkitektura të mëdha të pikturuara  me qëllim që të mashtrojnë syrin e shikuesit, duke e përfshirë kështu në hapësirën e pikturuar si të ishte reale. Të aftë për të shprehur idealet e larta të idealizimit të shenjtorëve, perspektivat e hapura në qiell, të mbushura citë me figura të lira që pluskojnë në ajër, ato do të pranoheshin plotësisht nga ana e kishës katolike. Nga Roma kjo prirje do të rrezatonte në të gjithë Italinë dh e drejt Gjermanisë katolike, Austrisë, Spanjës dhe Portugalisë dhe do të ishte një nga shfaqjet e para artistike që do të kalonin oqeanin Atlantik, për tu përhapur qysh në shekullin e XVIII edhe në kolonitë spanjolle dhe portugeze të dy Amerikave.

Një nga përfaqësuesit më në zë të “kuadratizmit”, kështu u quajt piktura e arkitekturave të rreme mbi muret dhe kubetë e kishave dhe pallateve, që prifti jezuit Andrea Pozzo, i cili realizoi aty nga fundi i shekullit afreskun e stërmadh të kubesë së kishës së Shen Injacit në Romë, me hyrjen e Shën Injacit në Parajsë. Në të, një arkitekturë madhështore iluzioniste hapet drejt qiellit teksa dhjetëra figura gjejnë mbështetje ose qëndrojnë pezull në ajër. Në qendër, përmbi një ndërtesë të rreme, Shën Injaci i mbajtur nga re dhe engjëj ngjitet drejt dritës hyjnore. Arkitektura përforcon ndjenjën e hapësirës dhe ikjen e vërtikshme drejt qiellit duke përcjellë ndjenjën e pafundësisë. Figurat janë të gjitha në lëvizje, ndërsa gjithë skena shpalos një dinamizëm të madh. Bëhemi saora dëshmitarë përveç lavdisë së shenjtorit edhe të triumfit skenografik.

“Dinamizmi” është fjalë kyçe e të të kuptuarit të pikturës së barokut. Edhe kur nuk flitet për vepra monumentale, si afresket e kubeve të kishave, pikturat baroke janë të pushtuara nga lëvizjet. Kjo ndodh edhe në veprat e piktorit të madh flamend, Pietër Paul Rubens dhe të pasuesit të tij, ose të spanjollit Bertolome Esterban Murillo dhe Jasep de Ribera, të cilët përveçse nënvizimit të anëve dinamike të një skene, parapëlqejnë dhënien më të rrjedhshme të imazhit, të mbështetur mbi modulimin e ngjyrave, më shumë se sa në vizatimin linear dhe dritëhijen.

Kësaj prirje i kundërvihet, gjithnjë gjatë kësaj periudhë një rrymë klasiciste, e cila shihte te vizatimi i përkryer me dritëhijen e figurës që kufizohet nga linja përmbytëse, elementin më të qenësishëm të pikturës. Kjo rrymë mbetet e lidhur me pikturën rilindëse dhe më shumë se kurrë, mbështetet mbi modele të artit klasik greko-romak. Klasicizmi i viteve gjashtëqind u zhvillua kryesisht në Francë, përfaqësuesi kryesor i së cilës ishte Nicolas Paussini, i cili, për hir të së vërtetës kaloi një pjesë të madhe të jetës në Romë.

Një kapitull të veçantë të pikturës së shekullit XVII është edhe ai i pikturës holandeze. Megjithëse Hollanda e bashkuar ishte kthyer në protestante, një fe ikonaprishëse, kjo ndodhi në një klimë tolerance. Kjo shpjegon faktin se Rembrandi ka trajtuar subjektin në punët e tij i nisur nga devocioni vetjak.

Por kishat nuk porosisnin më vepra të artistit. Porositësit e tyre të rinj janë përfaqësuesit e borxhezisë së lartë të Harlemit, Leidenit, Amstërdamit, Delfit etj. Piktorë si Vermeer, Pieter de Hooch, Jacob van Ruysdeal, Adrian van Ostrad dhe Jan Steen nuk pajtoheshin më në porosi për punë me tematikë fetare, por skena të jetës familjare, peizazhe, pamje qytetesh dhe natyra të qeta. Madje, janë artistët vetë ata që zgjedhin subjektin, të cilat më pas ua ofrojnë blerësve. Lind kështu një vështrim i ri mbi botën, një pikturë më intime e tablove me përmasa të vogla, të cilët kanë në qendër personazhet e zhytur në mendime apo të përkushtuar në punët e shtëpisë .