Ule kurrizin e banju urë nji veprë mirësie, pa u drasht se përulja jote s’ka me u pranu si forcë besimi te akti sublim

Përpjekja për me ken i mir’, mundet me ken e themelta e betejave e synimeve t’mia dhe e tankujt qi guxon dhe beson se përmes njatij shtegu hyjn dhe xajn vend n’botën tande tan’ adhurimet qi t’bajn me u ndi zot zotnimesh andrruese.
Për me shku te kjo e mundshme s’pariherë duhet me i ba vend brenda teje t’tana idhnimeve dhe krejt pezmit, çdo trazimi dhe zemërplasje, qi sfidojnë ngulmët sundimin e t’mirës qi don me u ba zot i paqes tande. Un, jam i bindun se nuk kam ardh me ndryshu botën, por tue u përpjek me mëku mirëkuptimin, tolerancën, dashamirsinë, bujari dhe vlerësimin te tançka hyn n’orbitën teme, mundem me than se diçka po baj. Fjala, por ma shumë se çdo formë ligjërimi, shëmbulli, nisin tue vepru, tue xan vend në ato vullnete qi gjejn gjanat t’përbashkëta, kanë diçka me than, e diçka me ba në shpëtimin e njerëzores.
Si çdo luftë as kjo nuk asht e lëhtë. Ka me pas viktimat e veta, siç ka me ofru dhe trofe. Në nji të tashme ku mbijetesa dhe përpjekja ngadhnjyse për me u ndesh me çdo poshtërsi, ligësi dhe banalitet, qi don me ta marrë kafshatën prej gojet, t’lypmit me ken i mir’, asht njaq i pavend sa dhe absurd. Por asht pikërisht kjo fushbetejë qi mundet me t’vu n’sprovën ma t’vështir, n’njat përballje qi zgjon energjinë e shndrrimit. Asht njikjo e tashme, qi vetëm tue ken njikshtu, e flligun prej çdo ndytësiet, mundet me zgju brenda teje heroiken, atë shërbestarin e vullnesës së mir’. E secili ndër ne ka me e pa; se si shndrrohen ngjyrat, se si bulon drita, se si kundërmojnë lulet, si si kthjellojnë qiejt, se si tançka retherreth tjetërsohet, tue marr pamjen qi n’ty shkëlqyese shpërthen.
Thuaje fjalën e mir’, e mos u druej se ka me pas balt qi e ndyn e goj qi e fllig. Ule kurrizin e banju urë nji veprë mirësie, pa u drasht se përulja jote s’ka me u pranu si forcë besimi te akti sublim. Hapja zemrën gjithkujt qi don me hy n’zemrën tande dhe mos ki frikë se ka me pas ligësi dhe plag qi e lëndon. Nepja dorën tankujt qi e ka shtri kah teje dhe mos u merakos se s’ka me pas mirënjohje qi e shejtnon ate. Bani vend afër njatij qi don me ndej krah teje, pa mendu se ta ka me t’keq.
Përpiqu me ken i mir’, dhe ke me pa se asht sa e vështirë njaq dhe e bukur. Ke me fitu jo vetëm mbi t’keqen, por edhe mbi dyshimin, me besu te e mira si porta përmes t’cillës mbërrijmë tana andrrat tona, ma s’pari ate me ken vetja, njaja për çka edhe kena ardh.
Trego me vepër dhe falendero mundësinë qi jeta ta ka dhan me pa nëpër dritë çka territ i ka shpëtu thonjsh.
Vene dorën tande mbi tjetërkujt dhe ndij se si rrajt e njatij qielli qi harliset gjallnisë së ngjyrave përshkon ndër ju dritë yjesh dhe pafundsi universi. Ndij se si koha ndalet. S’ka t’shkume qi na skllavnon. S’ka t’tashme qi si ban vend këtij vullenti mirësie. S’ka t’ardhme qi e mira s’gjen dishepujt e vet t’devotshëm dhe martirët e përkushtum.
Bani vend edhe ti kësaj vullnese!