Thomas d’Aquin: Pavdekësia e shpirtit buron nga jomaterialiteti i saj, sepse forma e pastër nuk mund të zhduket as nga vetja as me shkatërrimin e substratit material

Thoma d’Aquin ka qenë themeluesi i shkollës filozofike “Tomiste”, e cila ishte afrimi i parë i filozofisë me kishën katolike. Është një nga shtyllat kryesore teologjike të katolicizmit, shenjt dhe nje prej tridhjetë e tre Doktorëve të kishës, si edhe pika lidhëse mes krishterimit dhe filozofisë klasike dorëzuar pasardhësve nga Aristoteli dhe nga helenizmi i greqishtes së vonë. Ai la pas një vepër shumë të gjerë, që vepron deri në ditët e sotme. Shumë institucione mësimdhënëse mbajnë emrin e tij.

***

Thomas konsideron se pavdekësia e shpirtit buron nga jomaterialiteti i saj, sepse forma e pastër nuk mund të zhduket as nga vetja as me shkatërrimin e substratit material. Vetë natyrës së intelektit duhet t’i atribuohet jomaterialiteti, sepse forma, e cila është e lidhur plotësisht me materialen, si eshtë shpirti i kafshës, nuk mund të mendojë në mënyrë abstrakte dhe të përgjithshme,por vetëm individualisht. Por shpirti njerëzor – përkundra mësimit të Platonit – nuk ka ekzistuar para ekzistimit të vet tokësor, kështu që njohja nuk është të kujtuarit e ideve të cilat i vëzhgoi shpirti në paraekzistencën. Shpirti, për më tepër, nuk posedon as ide të lindura.

Të menduarit e tij supozon përfytyrimin ndijor dhe është i lidhur me figurën empirike, nga e cila intelekti aktiv i abstrakton format. Shumë elemente të sensualizmit dhe të racionalizmit gërshetohen kështu në teorinë e njohjes të Tomës. Njohja zhvillohet ne subjekt nepërmjet të perceptueshmërisë së objekteve të pavarura ekzistuese.

Por subjekti në objekt nuk mund të perceptojë gjithçka, por vetëm atë që është e ngjashme me atë vetë. Objekti njohës humb, me rastin e hyrjes në shpirtin që njeh, materialitetin e vet, dhe mund të depërtojë në te vetëm si figurë.Andaj gjërat ekzistojnë njëkohësisht jashtë nesh si objekte dhe në ne si figura. Të vërtetën, ndërkaq, Thomas e përkufizon si ngjashmëri e arsyes dhe e sendit. Në bazë të kësaj ngjashmërie arsyeja, pra, edhe nuk njeh vetëm përfytyrimet e saj por nëpërmjet tyre edhe vetë sendet.