Në botën e mistereve të artit-Vetëportreti i gjermanit të Rilindjes, Albrecht Dürer, më i debatuari në historinë e pikturës

Vetëportreti i piktorit dhe teoricienit të Rilindjes Gjermane, Albrecht Dürer (21 maj 1471 – 6 prill 1528) është një nga punët, ndoshta jo nga më të rëndësishmet, se sa më të përfshirat në debate, komente dhe analiza, shqyrtesa dhe kumtime që rreken të hedhin dritë mbi mistikën e këtij autoportreti të Dürer. Piktori në këtë punë tregon kur ai ishte 28 vjeç, i veshur me një pallto leshi, me një vështrim, qëndrim të dorës, simetri, sfond dhe tonalitet që bartin teknikë të lartë realizmi dhe mesazhë të koduar. Ajo është një pikturë me panel në dru. Ky autoportret është i shquar për shumë komponentë, por shtjella më rrapëllitëse është ngjashmëria e saj me shumë piktura të mëparshme të Krishtit. Është Jezusi i Nazaretit, apo Dürer e kodon vetveten përtej Krishtit, si mëtues të asaj peshe religjoze, si qëllimsi trazimesh dhe ndërthurje trajtash shprehëse dhe mesazhesh. Historianët e artit, të cilët janë ndalur gjatë në shqyrtimin e këtij autoportreti kanë vënë theksin te ngjashmëritë me konventat e pikturave fetare, duke përfshirë simetri e tij, tone të errëta dhe mënyrën në të cilën artisti vështron duke mbajtur duarën e tij në mes të gjoksit si një akt bekimi.
Ky vetëportret është krejt ndryshe nga të tjerë të Albrecht Dürer. Mungesa e një sfondi konvencional është e qëllimtë, siç është deshtazi e tillë nga vetë autori për të mos përcaktuar kohën dhe vendin. Ndoshta një pshtjellim me karakter enigmatik. Vendosja e mbishkrimeve në sfond të errëta në të dyja anët e Dürer paraqesin atë sikur qëndron pezull në një fluturim. Karakteristikat shprehëse të fytyrës, nuancat e ftohta të komunikimit kanë ardhur në këtë vetëportret nëpërmjet përdorimit të toneve kafe përkundër sfondit të errët. Flokët, animi, pozicioni i dorës, vështrimi i ngulmët dhe një shprehi e ngurtësuar e portretit, janë të gjitha që shtangin shikuesin para atij vështrimi shpues dhe asaj gjëndje dehëse energjie që përçon.
Pak a shumë kjo është ajo që mund të thuhet për këtë autoportret, i cili është pararendur dhe ka pasrendje të tjera të piktorit, por pa mundur ta mbërthejë kaq domethënës tërësinë e elementeve shprehës estetik të përdorura në këtë punë.
Saktësisht nuk mund të thuhet se çfarë ka dashur të thotë Albrecht Dürer me këtë autoportret, sikurse të shumë janë aludimet dhe dekodimet që i kanë bërë atij.
Megjithatë është një punë e arrirë, shprehëse dhe joshëse.