Preng Doçi, misionari i palodhshëm, atdhetar i flakët, intelektual i rafinuar, i fortçmuem për “zotsi ditunore, fetare e politike”

Imzot Preng Doçi, Abati i madh i Mirditës, në përvjetorin e vdekjes. Pra sot më 22 shkurt kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Abatit të Oroshit të Mirditës, imzot Preng Doçin. Abati i madh imzot Preng Doçi lindi më 2 shkurt të vitit 1846 në fshatin Bulgër, ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1917 . U shkollua në Shkodër e në Romë. Imzot Prend Doçi ishte misionari i lartë i fesë, flamurtari i pacak i lirisë, ideologu i Pavarësisë dhe veprimtari kombëtar i diturisë etj. Imzot Preng Doçi, qe misionar i palodhshëm, atdhetar i flakët, intelektual i rafinuar, ishte i njohur dhe i nderuar për “zotsi ditunore, fetare e politike”.

Më 25 tetor të vitit 1888, Papa Leoni XIII me dekretin “Supra montim Mirditarum” e rimëkëmbë Abacinë e Oroshit në Mirditë dhe për Abat emëron imzot Preng Doçin. Përtëritja e kësaj Abacie Kishtare e sidomos ardhja e imzot Preng Doçit, ndikuan shumë në jetën fetare, kulturore dhe politike të Mirditës e të mbarë Vendit e kombit shqiptar.

Në fushën e jetës fetare kishtare, imzot Doçi punoi shumë për përhapjen e Ungjillit, për përforcimin e vetëdijes kombëtare e fetare të shqiptarëve dhe për pjesëmarrjen e besimtarëve në Sakramente. Po kështu imzot Doçi derisa punonte për kultivimin e vlerave shpirtërore e kombëtare, në anën tjetër luftonte për dukuritë e këqija që ekzistonin ndër shqiptarë, si vrasjet, hakmarrjen, konkubinatin (martesat joligjore), e dukuritë tjera që pengonin përparimin e rritjen e vlerave tek populli.

Në fushën e jetës kulturor, imzot Preng Doçi në vitin 1899 themeloi shoqërinë letrare “Bashkimi” me qëllim të zgjidhjes së çështjes së alfabetit në bazë të shkronjave latine dhe për përhapjen e shkollave e botimin e librave në gjuhën shqipe, që asokohe ishin pak e shumë të luftuara nga armiqtë e popullit shqiptar, sidomos turqit. Ishte kjo një nevojë e madhe e për imzot Doçin qe një program për Rilindjen Kombëtare, për t’i dhënë një hov të ri me shkolla e dije Shqipërisë e në mënyrë të posaçme zonës së Mirditës. Nga ato pak vepra që kemi, flasin qartë për ndjenjat e forta njerëzore, fetare, atdhetare e kulturën e gjerë që kishte Abati i Oroshit.

Një nga veprat e tij është edhe “Shqipëria nën zgjedhën turke”, dhe “Shqipëria në robni”.

Në fushën e jetës kombëtare politike, imzot Preng Doçi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, e bashkoi Mirditën dhe i dha një njësi të vetme. Në “relacionin e tij mbi gjendjen e Abacisë së Shën Llezhdrit të Mirditës”, imzot Doçi mes tjerash shkruan se Mirdita është “si një shtet i vogël autonom” popullsia e së cilës është krenare për lirinë e vet. Për këtë arsye Mirdita duhet të jetë një nukleus – qelizë e një shteti shqiptar. Kjo ëndërr e tij qe kohëshkurtër, sepse turqit e shuan kryengritjen e mirditorëve të cilën e organizoi ai. Për këtë arsye turqit e internuan në Stamboll, nga ku me ndërmjetësimin e kardinali armen Azarian lirohet dhe shkon në Romë, ku Selia e Shenjtë e dërgon me misionin diplomatik në SHBA e vende tjera, derisa me ndërmjetësimin e kardinajve të Vatikanit Aliardi e Jakobini, më 1888 u kthye në Shqipëri si Abat i Mirditës. Më 1911 – 1912 udhëhoqi kryengritjen e Mirditës kundër osmanlinjve. Pa e prekur kurrë misionin e tij fetar, nën ndikimin e zgjimit kombëtar të popullit dhe të ngjarjeve të mëdha politike të kohës, ai u bë një nga paraardhësit e letërsisë së Rilindjes në Shqipëri.

Dy nga poezitë më të rëndësishme të tij janë “Një kushtrim shqiptarëve” dhe “Shqipnia nën zgjedhën turke”, shprehin shqetësimin, dhimbjen për gjendjen e mjeruar të popullit, të vendit dhe krenarinë e Abatit Doçi për të kaluarën. Duke gjykuar me mprehtësi situatën politike, nuk mungon të bëjë edhe thirrje të zjarrta për luftë kundër turkut pushtues:

N’qafë ma zgjedhën kush e bán?
Kambëve prangat lidhë na i kanë,
Osmanllia edhe na shán,
Na pin gjakun, mishtë na e han.
Shqyptár trima, zgjedhën lshoni
Kputni prangat e luftoni!

Abati i madh i Mirditës hyri në histori si meshtar i zellshëm, atdhetar i flaktë, mbrojtës i popullit e vendit, si poet, studiues e prijës trim. Ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1917. Së bashku me imzot Gaspër Krasniqin nga Kosova, imzot Preng Doçi u angazhua me mish e shpirt në luftën kundër pushtimit të turqve dhe për përparimin kulturor e të gjithanshëm të popullit shqiptar e Vendit.

Imzot Doçi udhëhiqte dy seli, njërën në Orosh, si kryetar i kishës së Mirditës dhe tjetrën në Shkodër, si kryesues i shoqërisë së njohur “Bashkimi”, por ideali i tij ishte Shqipëria në të gjithë hapësirën e saj etnike, ku ai njihet dhe si hartues i një promemorie për Çamërinë. Abati dhe Mirdita ishin një simbiozë historike, aq më tepër që mirditasit njiheshin si fisi më i fuqishëm luftarak në Shqipërinë Veriore. Kështu ai rrugëtoi gjatë me dy “këmbët” mbështetur fort në Mirditën e papërkulur qendrestare, dokësore  dhe në Shkodrën diturore, rrezatuese e qytetërimit europian.

Si ideolog dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare Abati krijoi shoqërinë letrare e gjuhësore “Bashkimi” në Shkodër më 1899, me bashkpunëtorë personalitete si At Gjergj Fishta, Dom Ndoc Nikaj, Luigj Gurakuqi, Dom Dodë Koleci etj., që me të drejtë nga Gurakuqi, në një kumtim me De Radën, është quajtur “akademi”. Kjo shoqëri elitare për më shumë se një dhjetëvjeçar u mor me alfabetin (e Manastirit), hapjen e shkollave, botimin e librave shkollorë, rreth 35 vepra (fjalorë shqip-italisht, gramatika, abetare, histori, gjeografi etj.) Inteligjenca dhe talenti letrar i Doçit pati spikatur që kur ishte student për teologji në Romë dhe shkroi lirikat e para atdhetare si “Shqipnia nën zgjedhën turke”, “Një kushtrim shqiptarëve”, apo përfshirja e tij në një përmbledhje poetike të shqiptarëve kushtuar Dora D’Istrias (Elena Gjika) përgatitur nga Dhimitër Kamarda. Arbëreshët ishin “gjaku i pashprishun” për shqiptarët këndej Adriatikut, që venin atje kohë pas kohe, nga Prend Doçi te Martin Camaj etj., për të shijuar verën e vjetër të shqipes së pasosur.