Poezia e Çun Lajçit, zani i nji zemre kënduese, ushtima e kijametshme e nji kushtrimi hovesh kryengritëse

Nga Albert Vataj

Ate e kam njohun si nji prej atyne figurave ma t’veçme të artit skenik shqiptar. Epika e këtij burri asht n’përngjasim me at t’Eposit t’Kreshnikve.

Gjithçka në jetën e tij asht një përpjekje e epërme kumtimi. Por ajo t’cillën e shoh si ma përfaqsuesen e tan njasaj galerie sublime krijimi t’Çun Lajçit asht poezia. Unë besoj, ka kumtue poeti dhe kritiku, Joan Paulhan, se ligjërimi poetik përban çelsin e tan problemeve qi na shqetsojnë. Asht ky përkufizim qi e grish penën e aktorit, për me u mundu me lshu ndër ne nji za gojimi poetik, si form çlirimi, por ma s’shumti si nevoj për me reagu, me kryengrit përmbi tan’njiket përulsi e gjunjzim, dakordsi fatkeqe e apati mjeruse.

Çun Lajçi asht nji ndër miqt e mi n’Facebook. E kam ndjekun, ndoshta ma shum’ se ai m’ka begenis mue. Kjo s’ka kurrnji grim randsi. Gjithqysh m’ka nguc me i shkru dy radhë për krijimtarinë e tij. Për poezinë, njat qi kam mujt me përcjell n’postimet qi m’kandin e m’bushin me zjarm sa herë qi n’te ndeshem. Akti i kijimit e lidh ate me nji shumësi t’admirushme kumtimesh, t’cillat gjithashtu marrin për shum’ nalt dhe mëtojnë nji shpirt t’pasun dhe etje t’ethshme për dritë e diell, mirësi e mirënjohje, dlirësi e përkorje.

Poezia e tij, pa nal te shqyrtimi hijerand akademik, e trajtesa analizese e tekstit, asht e tjetërllojtë ngase bujarisht Zoti na ka shpërbly me shpirtna t’pasun, e këndues t’zellshëm, qi s’prajn n’Facebook e n’botime t’pangishme qi e pasunojnë letërsin shqipe dhe e gostitin t’përditshmen tonë me shkëlqim yjesh zjarmëtar.

E kam lexue e ndi bash fort e thellë, poetikën e Çun Lajçit, tragjiken dhe kushtruesen e vargut të tij, gjëmuesen dhe kënduesen e njatij krahnori, gjoksi qi e lshon vedin n’ligjërim, si shqipja kur shgjet lshohet prej krepit n’pren e vet.

Përmes poezisë s’Çun Lajçit, kam mujt me ushqy ma shumë se tamlin e nji amëlcimi për gegnishten e tij, me përpush zjarmin e nji dëshirimi frelëshuar, për me i’u dhan zanit e mos me hesht, siç ai ban pa drasht, se ka me nguc ndokend, e ka me turfullue ndoj mraz e inat t’dikujt, qi e liga s’din me ndal n’teposhten e ndërkryme.

Ka shum’, po bash shum’ pena e mëndje qi na gostitin zashëm gjokset e tyne, por Çun Lajçi, tue zgjedh me ken ndër ta ma i epërmi dhe ma i ndryshti za. Lyp me na deh me njat land t’kullume, njate qi din me mrue veç njaj shpirt egrash e njajo zemër përjetimesh t’fuqishme.

Çun Lajçit me ligjërimin e tij i ka dhan za nji vullneti t’potërshëm kushtrimi. Ai nuk ankohet, por tue e ngrit zanin don me u than njatyne, krejt njatyne qi po i përlloqin idealet dhe aspiratate nalta, se na jena njiktu e tue dasht mos me ik, kem sos me luftu, me u ndesh. Me poezi dhe jo vetëm, po don me u than njatyne qi po bajn çmos, qi tue i përbalt gjakun e luftës e amanetin e t’parve, si tue dasht me ba jo ma pak punën e hasmit, se jeni tue gabue rand fort. Po u thot se ne nuk jem lop qi munden me na ysht me na çua kah duen, as berre me na vu n’rresht, po jem njat me ta, n’mos ma shum’. Poezia e tij asht nji za i fuqishëm i denoncimit dhe ndëshkimit, i t’thanmes sw gjanave troç, i t’ngritmes t’zanit n’kup t’qiellit, si tue dasht me mat caqet qi mundet me durue ky krahnor, kjo tokë, ky plis, kjo rrëke gjaku. Për Çun Lajçi, Gëte është i madh, por thënia e e tij se, “..gjithçka qi trazon çdo ditë mendimet dhe ndjenjat e poetit, dëshiron dhe duhet të shprehet” mundet me ken nji postulat për misionin e Çun Lajçi si vargzues t’tan njasaj qi e përpush e trazon shpirtin dhe brendin e tij.

E bash boll asht tue pas çdo ditë lume njasi qi e ngucin ate.

Askush ma denjsisht s’po mundet me e përfaqsu zanin gjimues të paknaqsisë sa t’dhimbjes se sa Çun Lajçi, poezia e tij, kumtimet e tij zaashpra e britëse, i poroztë e i purpurt, i paqt e i bubushëm.

Poeti por ma shumë se ai, Çun Lajçi, nuk duket se ka sos me ba kompromis me kërrken, n’kët luftë prore, edhe pse nëpër njata gjamë, qi gjuen me tan fuqi qi shpirti i th’rret, ka prej tyne qi duen me ble, duen me ba ç’mos qi ky za mos me u ndigju ma. Por ai, Çun Lajçi nuk ka ba mend me hesht, me palue vesht e me myll syt’, me kqyr veç punën e vet, e mos me u marr me ç’ka po presin me ba me Dardanin e me fatin e ardhmëris s’saj.

Jo, jo qe besa e Zotit e amaneti i atit.

Ai po ban ç’ka mundet me ba, dhe ç’ka din me ba ma mirë, po lëshon kushtrimin, po pisket, po gjuen me sa fuqi ka mbi muret e ndryshkuna t’heshtjes e pajtimit me t’flligten. Ka zgjedh poezinë, njat zjarm qi e nguc prej thellë, me i’u dhan dorzan t’drejtës me lyp me ken ç’ka e bekon.

Ai me poezin e tij fort t’andshme i këndon edhe zemrave t’plasuna, edhe gjokseve t’hovuna prej epshit, edhe syve t’lotuem, edhe nanave e vashave, vorreve e pragjeve, bjeshkëve dhe kreshtave, plisit dhe borës, barit e dushkut. U këndon me njat shpirt qi gazmon e vuen, me njat uzdaj qi s’e len n’rrug, por tue i mëku zjarm baruti e prush zemre e hov nga kanga n’kang, nga kushtrimorja n’kushtrimore, nga elegjia n’ditiram, nga lirika n’tragjike.

Bubulina mbetet zemërthymja e poetit, e njatij vullneti qi don e s’dron me i’u dhan elegjikes si tue mos dasht me e tret e mshef çka nyjet e fijëzave përjetuese lidhin n’te. Çdo krijus dhe artist ka patun n’jetën e vet nga nji muzë, Bubulina e Çun Lajçit asht nji prej atyne qi siç zanafillin shkulmin e nji dishrimi, mëkojnë ma t’amshten kashat trishtimi. Asht njaja loçk zemre, njaj qiell i thyem ma e trishta qi rrëzon nji diell shpirti përnën degët e shkyme të pemës që asht mpleksun në truallin e vet si dihamë e dhimbje.

Çun Lajçi këtij dedikimi i lëshohet me njaq forcë e përjetim, sa çmundet me ushqy këndimin nji zemër. Gjithçka qi e trazon njat krahnor n’shtërzim, kur fryma s’e ngin, mëkohen prej njasaj magme për me i’u dhan fluturimit. Lirikja me tragjiken, ditirambi me elegjiaken, ndërthuren kësodore si tue dasht me provu se ç’ka gatuen nji zemër qi s’e mylmen drita e njatij shpërthimi poterisës. Prejtektu marrin fluturim sa e sa zogj krahthyem e mëkojnë ndër ne njaq amë e amësht, idhnim e gazmim sa ç’mundet me gostit e tashmja, e atypëratyshmja, qi gjithnji ka arsye me e vu n’sprov forcën tonë, se ç’asht n’gjendje me rezistue e sa hov i nep yshtjes me i’u dhan nji zani qi nuk len me ndrydh vullnete ndërne.

Kush hala nuk asht gjegj me e kundru kësisoj me u kungue prej këtij zani zjermin e përtrimjes, gjithqysh asht n’kohë me e lan vedin n’kët prehje shejtnore shpirti si n’nji shëlbim.