Oliver Jens Schmitt: Libri im ka për qëllim rindërtimin e figurës së Skënderbeut në Mesjetë dhe nuk synon dekonstruktimin e mitit historik

Në një intervistë, historiani i njohur Oliver Jens Schmitt tregon disa nga keqkuptimet për monografinë e tij, por edhe në mënyrë të thukët mënyrën sesi e ka parë Skënderbeun. Ai shprehet se e respekton figurën e Skënderbeut, ndërsa qëllimi ka qenë rindërtimi i figurës së heroit kombëtar të Shqiptarëve në Mesjetë.

Autori sot, e kësaj dite, mëton të thotë se nuk e kupton atë reagim që pati publiku shqiptar dhe disa nga historianët për librin e tij. A ja vlente e gjithë ajo energji për të hedhur poshtë këtë figurë të jashtëzakonshme? “Ende pyes veten se pse kaq shumë pjesëmarrës që morën pjesë në këtë debat besonin se një historian mund ta denigrojë qëllimisht Skënderbeun dhe si mund të mendohet që vitet e hulumtimit shkencor t’i jenë dedikuar qëllimit të vetëm për të dëmtuar shoqërinë shqiptare.

Ende ruaj përshtypjen se ideologjia e vendit të rrethuar prej Enver Hoxhës, ksenofobia e skajshme, besimi histerik në teoritë e konspiracionit dhe armiqtë, ishin ata që e vendosën popullin shqiptar në vazhdimësi nën rrethim; kjo trashëgimi helmuese e kohës së Enveristit, kishte dhe ruan ende një ndikim të fortë në reagimin e shumë njerëzve. Nën regjimin e Enver Hoxhës, historiografia ishte një ndërmarrje shtetërore, historianët ishin nën kontroll të ngushtë dhe përmbushnin me punën e tyre një mision politik. Duke pasur parasysh në mëndje këtë përvojë, shumë njerëz ende nuk mund të imagjinojnë se kërkimi historik është bërë diku tjetër në kushte krejt të ndryshme”.

Autori është kritik për mënyrën sesi bëhet historia në vendin tonë, por këtu fajin e gjen te politika dhe futja e saj sot në çdo aspekt të jetës shqiptare. Ndërkohë që hedh dritë për faktin se monografinë e tij e kishin kritikuar më së shumti ata që nuk e kishin lexuar fare librin, por i mirëkuptonte sepse ky përbën një fenomen të zakonshëm ë Shqipëri, sipas Schmitt.

Z.Schmitt, që tashmë mban detyrën e Presidentit të Sektorit të Shkencave Humane dhe Sociale dhe gjithashtu anëtar i Kryesisë së Akademisë Austriake të Shkencave davarit edhe njëherë debatin sa i përket përkatësisë etnike të Skënderbeut dhe shpjegon arsyen sepse fisnikëria e kohës së Skënderbeut, si shkallë të dinjitetit aristokratik, kishte edhe kryqëzimin me etnitë e tjera.

“Në fund të periudhës së Mesjetës, ekzistonte një rrjet i fortë ortodoks i lidhjeve farefisnore në Ballkan. Politikisht, Bizanti ishte i dobët, por ideja perandorake ishte e gjallë, ashtu si dhe prestigji i fuqisë bizantine-ortodokse. Dallimi gjuhësor ose etnik nuk luajti një rol të madh për elitat sociale. Ashtu si në pjesët e tjera të Evropës, fisnikëria ishte me prejardhje multietnike dhe sa më i rëndësishëm ishte për mjedisin një fisnik, aq më të zgjeruara dhe multietnik do të ishte rrjeti i tij i farefisnisë. Ideja e pastërtisë etnike thjesht nuk ekzistonte në këtë mjedis të elitës…”, shprehet ai për “Milosao”, intervistuar nga Ben Andoni

Juve keni bërë një punim shumë interesant lidhur me heroin tonë kombëtar dhe përballja me publikun shqiptar, ka qenë jo e mirë. E kishit pritur këtë lloj reagimi që vazhdon deri më sot? A jeni ndjerë ndonjëherë i kërcënuar?

“Kërcënimet erdhën menjëherë pas publikimit të përkthimit në shqip kur njerëzit u nxitën nga Ismail Kadare, politikanë dhe gazetarë nacionalistë dhe ofendimet vazhduan për një kohë mjaft të gjatë. Unë nuk e prisja këtë lloj reagimi sepse besoj se libri e thekson rëndësinë e Skënderbeut në historinë ballkanike dhe evropiane dhe e trajton atë si një figurë madhore të kohës së tij. Ende pyes veten se pse kaq shumë pjesëmarrës që morën pjesë në këtë debat besonin se një historian mund ta denigrojë qëllimisht Skënderbeun dhe si mund të mendohet që vitet e hulumtimit shkencor t’i jenë dedikuar qëllimit të vetëm për të dëmtuar shoqërinë shqiptare. Ende ruaj përshtypjen se ideologjia e vendit të rrethuar prej Enver Hoxhës, ksenofobia e skajshme, besimi histerik në teoritë e konspiracionit dhe armiqtë, ishin ata që e vendosën popullin shqiptar në vazhdimësi nën rrethim; kjo trashëgimi helmuese e kohës së Enveristit, kishte dhe ruan ende një ndikim të fortë në reagimin e shumë njerëzve.

Nën regjimin e Enver Hoxhës, historiografia ishte një ndërmarrje shtetërore, historianët ishin nën kontroll të ngushtë dhe përmbushnin me punën e tyre një mision politik. Duke pasur parasysh në mëndje këtë përvojë, shumë njerëz ende nuk mund të imagjinojnë se kërkimi historik është bërë diku tjetër në kushte krejt të ndryshme.

Gjatë këtyre viteve kam pasur mundësi të mbaj leksione në Prishtinë dhe Tetovë dhe kam diskutuar me studentë, kolegë dhe shumë njerëz që kam takuar gjatë vizitave të mia në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Kemi diskutuar hapur edhe për teoritë e konspiracionit të cilat qarkulluan nga politikanët dhe gazetarët në Shqipëri dhe faktin që shumë tema të debatit publik nuk kishin asfare lidhje ose vetëm një lidhje të paqartë me përmbajtjen e librit. Në këto takime personale, përvoja ime gjithmonë ka mbetur pozitive – kryesisht për shkak të faktit se mund të tregoja se libri im shikon te Skënderbeu një figurë historike vërtet mbresëlënëse dhe e përshkuan atë si një aktor kryesor në historinë e vonë evropiane mesjetare dhe se kurrë nuk kam shkruar se Skënderbeu është me origjinë të pastër serbe. Unë mund të përsëris edhe një herë se kjo është një shpikje dhe jo një tezë e librit tim.

Në fakt, debati tregoi se shumë njerëz diskutuan për një libër që ata nuk e kishin lexuar kurrë – një fenomen që sigurisht nuk është unik apo specifik për Shqipërinë dhe mund të vërehet edhe në shumë raste të tjera. Në retrospektivë, besoj se debati kishte të bënte më shumë me dinamikën politike, interesat partiake dhe interesat personale sesa me një debat mirëfilli shkencor rreth përmbajtjes dhe interpretimeve shkencore”.

A keni pasur ndonjë ftesë nga autoritetet shqiptare për festimet mbi Skënderbeun?
“Unë jam ftuar, për fat të keq, vetëm tre javë para kremtimit, për të marrë pjesë në përkujtimin e Skënderbeut më 17 janar”.

Në librin tuaj, Skënderbeu është shumë njerëzor dhe merr përmasa humane, që e bëjnë të dashur dhe shumë të prekshme si figurë. Në parathënie flitet për rindërtimin historik mbi bazën e gjithë burimeve të shfrytëzueshme e me peshë. A ishte një nga qëllimet për ta çmitizuar Skënderbeun?

“Ky përbën një nga keqkuptimet kryesore të të gjithë debatit. Libri ka për qëllim rindërtimin e figurës së Skënderbeut në Mesjetë dhe nuk synon dekonstruktimin e mitit historik, që natyrisht përbën një fenomen mbresëlënës i kulturës shqiptare. Natyrisht, lexuesit janë të lirë të nxjerrin përfundime dhe të bëjnë interpretime të librit në kuadër të debatit për mitet kombëtare, madje një debat i cili zhvillohet edhe në shumë vende evropiane dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për krijimin e një kulture demokratike në Shqipëri. Debati në vitin 2008/2009 tregoi sesa të forta janë strukturat autoritare të cilat rrjedhin nga e kaluara totalitare që ende ndihet në Shqipëri. Gjatë dhjetë viteve të fundit, për fat të keq nuk ka pasur ndonjë përmirësim të dukshëm të kësaj situate.

Për shkak të ndikimit të madh të historiografisë Enveriste dhe mungesës së një tradite jo-Enveriste të sistemit të institucionalizuar shkencor, shumë njerëz s´kishin dhe ende nuk kanë dijeni për mekanizmat e debateve shkencore në botën perëndimore, por ndjehen menjëherë të ofenduar nga interpretimet që ata nuk i njohin dhe të cilat ata nuk i kanë mësuar në shkollë. Ideja që historianët nuk janë studiues të paguar nga universitetet e tyre, por agjentë të paguar nga qeveritë janë ende të përhapura dhe nxiten nga ata që shkruajnë në këtë kuptim libra të tërë të shpikura me spekulime, pa asnjë provë – dhe duket se ka lexues që janë më të përgatitur për të besuar teoritë e pabaza se sa për të reflektuar në mënyrë kritike mbi mekanizmat e debateve publike në Shqipëri. Kjo është gjithashtu një trashëgimi e së kaluarës totalitare dhe pjesërisht edhe pasojë direkte e përfshirjes së historianëve në jetën politike”.

Ka domethënie varri i vëllait të Skënderbeut në Hilandër, në manastirin serb në Malin Athos?

“Ajo tregon lidhjen e familjes me traditën bizantine-ortodokse dhe vullnetin e saj për të shprehur pozitën e saj politike dhe shoqërore në një vend simbol të besimit ortodoks. Fakti që Kastrioti zgjodhi Hilandarin lidhet me rrjetin e tyre të lidhjes dhe të pushtetit në një zonë (Dibër) që ishte që nga fillim i shek XIV nën sundimin e kurorës serbe”.

Nëse do flasim për njëlloj strukture shtetërore që arriti Skënderbeu, a është e mundur të flasim për mekanizmin ekonomik që e mbante këtë strukturë?
“Sistemi i pushtetit të Skënderbeut u financua nga tregti, nga eksporti kryesisht i grurit dhe i drurit, nga subvencionet prej fuqive italiane, nga plaçkitja e bastisjet në territoret osmane; Skënderbeu kishte një depozitë bankare në Dubrovnik dhe kështu kishte qasje në sistemin bankar mesdhetar”.

Aktiviteti i Skënderbeut është i shtrirë në shekullin XV. Është një nga shekujt më interesant për qytetërimin. A mendoni se përfshirja e tij në këtë shekull me më shumë prekje ndërkombëtare do e ndihmonte përmasën e vërtetë të kësaj figure?
“Shekulli i 15 ishte periudha e një ndryshimi të madh në Ballkan dhe kërcënimi osman sigurisht, fakt që e shtoi rëndësinë strategjike të Ballkanit për Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Kjo e shpjegon interesin e madh të udhëheqësve politikë dhe opinionit të Perëndimit të periudhës së vonshme mesjetare për Skënderbeun, i cili konsiderohej si aleat politik dhe simbol i rezistencës së krishterë kundër valës osmane. Përveç dijetarëve Enveristë, të cilët qëndrojnë të ngulur më një paradigmë ahistorike izoluese, shumica e studiuesve janë përpjekur të analizojnë Skënderbeun në një kuadër më të gjerë të dimensioneve evropiane dhe mesdhetare”.

Teoria e biografisë sot jep modele interesante të narracioneve me vështrimet analitike historike. A mendoni se e keni arritur këtë në rrëfimin tuaj historik për Skënderbeun?
“Ka një debat të sofistikuar sa i përket biografisë si një zhanër letrar dhe zhanrit akademik me të cilin unë vetë jam shumë familjar. Unë nuk ndalem në mënyrë të veçantë në këto teori në librin tim, por lexuesi do të gjejë në të një diskutim të detajuar të metodave dhe burimeve, që kam përdorur”.

Artikuj të ngjashëm