Nanë, ma i epërmi akt krijimit, mban t’shtrenjtin emnin tand

Nanë

Ma i epërmi akt krijimit, mban t’shtrenjtin emnin tand
Pagzue t’ka sakrifica, me bekimin e vullnesës prore
Nanë, ti toksore e fortmundume, hekakeqe… 
prej krejt shërbesave, mbetun ke Hyjnore
….
Duart tuja nderen në eterin e tan mrekullive
Nalton n’çdo kresht e jehon ku mbrrin za
Dhimbja t’mbrun, me rënkue kurr s’ke dit
Qiell nuk ka qi e xen brimën, qi thyen durimi jot
Asnji sakrific s’asht ma e shejnt se flijimi i mundit tand
Ke msu me vujt, fort ma mirë se me gëzu
….
Unë, biri jot
i përulun në andjen e hyut me met n’ty shëlbim

Nanë, njajt ke met, si n’tok edhe n’qiell
Nanë…
n’zemrën, qi idhnimi ta trazon, e s’nepet
n’synin qi loti ta mylmen, e s’terret
n’buzën qi fjala të mylmen, e s’eshket
n’tançka qi hijeshon pamjen tande prej hyjneshe.
Beku kjosh Ti, si çdo Nanë,
qi prej shtatit t’vet, jetën nep.