Letërsia katolike shkodrane e mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe përfaqësuesit e saj më të spikatur

Nga Robert Elsie

Edhe pse shprehja e idealeve të lëvizjes kombëtare do të përbënte élan vital të letrave shqipe në shekullin e nëntëmbëdhjetë, sidomos në shpërthimin e gonxheve të para të gazetarisë në gjuhën shqipe, krijimtaria e parë letrare e mirëfilltë në këtë periudhë lindi nën patronazhin e kishës katolike, po ashtu siç kishte ndodhur në shekujt e gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë5.

Kisha katolike shqiptare me fuqinë që kishte në veri të vendit, kryesisht në Shkodër e në malësi, ishte tradicionalisht e orientuar nga Italia. Në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, edhe katolikët në këtë rajon ranë nën ndikimin e Austrisë në Kultusprotektorat-in6 e saj (protektorati fetar), një e drejtë kjo që Vjena ia kishte rrëmbyer Portës gjatë një vargu traktatesh paqeje me sulltanët duke filluar që më 1616. Kultusprotektorat-i i rikonfirmuar pas luftës austro-turke të viteve 1683-1699, e autorizonte Austrinë të shërbente si mbrojtëse e popullsisë katolike në Ballkan, ku bënin pjesë edhe katolikët e Shqipërisë së veriut. Gjithmonë me qëllime politike pragmatiste në mendje më fort se me qëllime ungjillizuese altruiste, Austria tani filloi t’i shtojë veprimtaritë e veta në kuadrin e protektoratit si mjet për të ushtruar ndikim politik në Shqipërinë e veriut në mënyrë që të dobësonte fuqinë e Perandorisë Osmane nga brenda e të kundërshtonte çdo ambicje politike që mund të kishin sllavët ortodoksë të jugut. Me ndihmën e Austrisë, në Shqipërinë e veriut u ndërtuan e u meremetuan shkolla e kisha, kurse kisha katolike filloi të luajë një rol më aktiv në fushat e arsimit e të kulturës. Shkodra pa kaluar shumë kohë do të bëhej qendra letrare e kulturore jo vetëm për katolikët shqiptarë, që përbënin rreth një të dhjetën e popullsisë të Shqipërisë, por për të gjithë vendin.

Historia e urdhrit Françeskan7, të themeluar nga Shën Françesku i Asizit (1181-1226) më 1209, e ka zanafillën në Shqipëri në vitin 1248, kur një grup murgjish u soll në këtë vend

nga misionari Xhovani da Piano Karpine (ital. Giovanni da Piano Carpine, 1182-1252). Një dokument i datës 1283 përmban një listë manastiresh në Shqipëri, kurse në shekullin e katërmbëdhjetë françeskanët, të njohur edhe si Urdhri i Fretërve Minorë (lat. Ordo Fratrum Minorum – O.F.M.), kishin themeluar protektoratin e tyre në Durrës, Custodia Durracensis. Në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë ky urdhër u bë përherë e më aktiv në fushën e arsimit e të kulturës. Më 1855 ai themeloi një Shkollë Françeskane, të njohur më vonë me emrin Illyricum, shkolla e parë ku u dha gjuha shqipe. Më 1861 u themelua një Seminar Françeskan ku gjithashtu jepeshin mësime shqip. Më pas françeskanët ngritën një shtypshkronjë, ku shtypën një numër librash fetarë dhe laikë shqip, si dhe organe periodike me interes të madh letrar e kulturor si Hylli i Dritës, 1913-1944, dhe Zâni i Shna Ndout, 1913-1944.

Urdhri Jezuit, i themeluar nga Shën Injac Lojola (lat. Ignatius Loyola, 1491-1556) më 1534, erdhi në Shqipëri shumë më vonë8. Vetëm më 1841 arritën në Shqipëri nga Sicilia për të ngritur një mision tre misionarët e parë jezuitë italianë, ndër ta shkrimtarët Zef Gualiata dhe Vinçens Bazile. Ndonëse erdhi vonë, Shoqata e Jezusit (lat. Societas Jesu – S.J.) siç quhet ky urdhër, luajti një rol të çmueshëm në arsimin dhe kulturën e Shqipërisë veriore për rreth njëqind vjet. Edhe pse objektivat kryesorë të Jezuitëve ishin stërvitja e seminaristëve për t’u bërë klerikë dhe propagandimi i fesë, për çka ata ngritën shkolla, kisha dhe lokale publike, veprimtaritë e tyre dhe talentet e tyre intelektuale të fuqishme dhanë gjithashtu një ndihmesë të ndjeshme për ngritjen e nivelit arsimor e kulturor të atdheut të tyre të ri. Më 1859 jezuitët hapën Kolegjia Papnore Shqyptare në Shkodër, kurse më 1870 ngritën aty një shtypshkronjë, Shtypshkroja e Zojës s’Paperlyeme, e cila gjashtë vjet më pas do të nxirrte librin e saj të parë shqip, Dotrina e kerscten, Shkodër 1876, e Ëngjëll Radojës. Deri në vitin 1928, shtypi jezuit kishte botuar gjithsej 471 vepra në shqipe, italishte dhe latinishte. Sikundër françeskanët, edhe jezuitët nxorën organe periodike të shquara si Elçija i Zemers t’Jezu Krisctit, 1891-1944, që nga viti 1914 e këndej pati emrin Lajmtari i Zemers t’Jezu Krishtit, revistë e kulturës fetare; Përparimi, 1914­1916, revistë historike dhe shkencore që nuk doli gjatë, dhe Leka, 1929-1944, revistë e përmuajshme kulturore. Më 1877, ata themeluan Kolegjin e Shën Françesk Saverit, i njohur edhe si Kolegja Saveriane9 në Shkodër, e cila u kthye në një qendër të madhe të arsimit të lartë për të gjithë në Shqipëri, duke e vënë theksin te arsimi në gjuhën shqipe përveç atij në italishte. Kjo shkollë nxori shumë figura kombëtare dhe shkrimtarë të mëdhenj shqiptarë të fillimit të shekullit të njëzetë. Ndër figurat që kanë studiuar në Kolegjin Saverian janë poeti Ndre Mjeda (1866-1937), shkrimtari dhe publicisti Faik Konica (1875-1942), udhëheqësi politik dhe shkrimtari Luigj Gurakuqi (1879-1925), poeti dhe folkloristi Vinçenc Prenushi (1885-1949), poeti, prozatori dhe studiuesi Ernest Koliqi (1903-1975), dramaturgu Kolë Jakova (l. 1916), revolucionari komunist dhe shkrimtari Qemal Stafa (1921-1942) dhe poeti e kritiku Mark Gurakuqi (1922-1970).

Ishin këta shqiptarë me shkollim katolik e deri diku edhe klerikët italianë të vendosur tani me banim në Shqipërinë veriore, që filluan në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë të krijojnë bazat e një letërsie të re shqiptare. Kjo letërsi me frymëzim fetar përfshinte poezi, që në fillim ishin imitime, dhe përkthime nga poezia italiane e latine, kurse më vonë, ndonëse në masë më të vogël, prozë dhe dramë. Ajo madje u bë nxitje për një pjesë të mirë të letërsisë shqiptare të shekullit të njëzetë e deri në Luftën e Dytë Botërore.

1866) nga fshati Blinisht i krahinës së Zadrimës. Studioi për prift në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë dhe u kthye në Shqipëri për të punuar si prift fshati. Më pas Zarishi u bë abat në krahinën me popullsi krejt katolike të Mirditës dhe vdiq në Kallmet të Zadrimës së tij. Ai është kryesisht, por jo tërësisht, autor vjershash fetare që i shkruante duke thurur bukur elemente të huaja (italisht, latinisht dhe turqisht) me elemente vendës të Shqipërisë së Veriut. Ai gjithashtu ishte i pari që përdori e pastaj përhapi një numër metrash poetikë, p.sh. njëmbëdhjetërrokëshin dhe vargun e Safos, ende të panjohura nga poezia shqiptare. Disa nga krijimet e tij poetike u botuan më vonë në revistën e Shkodrës Hylli i Dritës, por shumë të tjera mbetën të pabotuara.

Ëngjëll Radoja11 (1820-1880) nga Shkodra, i njohur italisht si Dom Angelo Radoja, ishte një tjetër prift katolik që studioi në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë. Si edhe shumë shkrimtarë të tjerë katolikë shkodranë ai u nxit për të shkruar jo vetëm nga edukimi fetar, por edhe nga ndjenja kombëtare. Flitet se Radojën e kanë helmuar pikërisht për angazhim e tij në çështjen kombëtare. Radoja është autor veprash fetare shqip dhe përkthimesh, nga të cilat sot kemi tre: Jesu Criscti n’semer t’mesctaarit, Romë 1862 (Jezu Krisht në zemër të meshtarit); Concilli i Dhèut Scciypniis baamun n’viet 1703 n’coh t’paps scciyptarit Clementit t’Gnimdhettit, Romë 1872 (Kuvendi shqiptar i mbajtur në vitin 1703 në kohën e Papës shqiptar Klementi XI), një përkthim i ri shqip i dokumenteve të të famshmit Kuvendi i Arbënit më 1703; dhe Dotrina e kerscten me msime e me spieghime, Shkodër 1876. Kjo e fundit thuhet se përbënte të vetmin katekizëm të hershëm origjinal në shqipe, për vetë faktin se Doktrinat Kristiane të mëparshme, si ato të Pjetër Budit (1618), Bernard de Kuintianos (1675) dhe Zef Gualiatës (1845), kishin qenë të gjitha përkthime të ‘katekizmës së vogël’ të Shën Robert Belarminit.

Një autor tjetër prozash të hershme fetare në gjuhën shqipe ishte Dario Buçareli (ital. Dario Bucciarelli, 1827-1878). Prift dhe misionar françeskan i lindur në Kastelpiano më 4 prill 1827, Buçareli u emërua nga Piu IX më 1860 ipeshkëv i Pultit, kurse katër vjet më pas u bë kryeipeshkëv në Shkup. Ai është autori i Udha e sceites cryc’ e tiera pun’ t’divocme, Romë 1862 (Udha e kryqit të shenjtë dhe të tjera punë të devotshme), një përmbledhje prej 276 faqesh rrëfimesh fetare të mbështetura në jetën e shenjtorëve. Ai shkroi edhe një gramatikë të shqipes në italishte, dorëshkrimi i së cilës ka qenë ruajtur deri vonë në Shkodër.

Ndër poetët e traditës shkodrane të shekullit të nëntëmbëdhjetë, por me nivel më të lartë artistik se të tjerët, është Leonardo De Martino12 (1830-1923) nga fshati Greçi i Kampanjës në krahinën e Avelinos. Ai u dërgua si prift françeskan në Shkodër me punë misionare më 1865. Atje, duke pasë siguruar mbështetjen e ministrit italian të arsimit, Françesk Krispi, i cili ishte arbëresh, De Martino mori pjesë aktive në hapjen e së parës shkollë italiane në Shqipëri. Në pjesën më të madhe të kohës së shërbimit në Shqipërinë veriore ai punoi në dioqezën e Zadrimës dhe Lezhës. Për një farë kohe shërbeu si sekretar i Prenk pashës, princ i Mirditës, dhe ishte kujdestar i të birit Prenk Bibë Doda (1858-1920). Ai ishte gjithashtu mësues i Gjergj Fishtës (1871-1940) në rini, i cili do ta ngrinte traditën e poezisë së Shqipërisë veriore në maja më të larta. De Martino u largua nga Shqipëria në fund të shekullit, ose për të dalë në pension ose nën ndikimin e vazhdueshëm të qeverisë austro-hungareze, e cila po vendoste juridiksionin e saj të Kultusprotektorat-it, dhe vdiq në moshën nëntëdhjetetre vjeç në kuvendin e Sarnos në Itali më 12 korrik 1923.

Leonardo De Martino ishte poet i lindur, talenti poetik i të cilit habiti shumë nga bashkëkohësit, sidomos ngaqë nuk shkruante në gjuhën amëtare, por në dialektin gegë të Shqipërisë së veriut, që e pati mësuar gjatë dyzet vjetëve si misionar atje. Ai është autor përkthimesh në shqipe nga literatura fetare italiane dhe autor poezish me frymëzim kryesisht

fetar si në shqipe edhe në italishte. Ndër përkthimet e tij, të cilat renditen ndër më të mirat e kohës, janë Vaji i hapses, variant ky shqip i Il lamento della prigionera të poetit dhe romancierit milanez Tomaso Grosi (Tommasso Grossi, 1790-1853), të cilën ia kushtoi Dora d’Istrias më 1868, dhe Munnimi i Jezu Krishtit, 1875, përkthim i veprës Passione di Gesù Cristo të Pietro Metastasios (1698-1782). Poezia e tij, në gjurmët e traditës së letërsisë katolike të shekullit të nëntëmbëdhjetë të themeluar nga abati i Zadrimës Pjetër Zarishi (1806-1866), qarkulloi për vite me radhë fletë-fletë derisa miku i tij, famullitari Ndue Bytyçi ose Bityçi (1847-1917) nga Kosova, e bindi De Martinon ta botonte të përmbledhur në një libër. Ky vëllim, me titullin L’Arpa di un italo-albanese, Venedik 1881 (Harpa e një arbëreshi), është një përmbledhje e vëllimshme 442 faqesh e poezisë më të pjekur e më të përpunuar të De Martinos në italishte e në shqipe. Rëndësia e tij si poet nuk qëndron aq në ndonjë frymëzim apo fantazi poetike të pazakontë, por në finesën e metrikës së tij. Leonardo De Martino solli për herë të parë në shqipe metra të rinj si jambin dhe popullarizoi vargun e Safos. Ai qe edhe autor i disa veprave të tjera fetare, ndër të cilat një pjesë teatrore e shkurtër fetare me titull Nata Këshnellavet, Shkodër 1880, e para në llojin e vet në shqipe, dhe Arbenorve t’kersctén t’Grisciun Festuér, Shkodër 1896 (Thirrje festive kristianëve shqiptarë).

Ndue Bytyçi13 (1847-1917), emri i të cilit gjendet i shkruar në mënyra të ndryshme si Bityçi, Bytyqi ose Bityqi, i njohur si ‘Bilbili i Kosovës’, ishte poet dhe prift katolik i lindur afër Shkupit më 8 mars 1847. Ai mori shkollim katolik në kolegjin jezuit Kolegjia Papnore Shqyptare në Shkodër, ku hyri në moshën dymbëdhjetë vjeç si një nga nxënësit e parë të tij. Pasi kreu studimet, u kthye në Kosovë e Maqedoni për të punuar si mësues e si meshtar. Bytyçi është autor poezish fetare e i disa vjershave laike, në pjesën më të madhe të pabotuara, si dhe i një numri përkthimesh nga letërsia fetare italiane. Në Pejë më 1874 ai i kushtoi një sonet prekës mikut të tij Leonardo De Martino. Për Bytyçin është interesante se, përveç një vjershe atdhetare me titull Mymleqeti (Atdheu), të botuar më 1887, ai dhe lirika e tij nuk u përfshinë në vrullin në rritje të romantizmit kombëtar të poezisë shqiptare të kohës. Poezia e tij është e pasur në aspektin e mjeshtërisë e saktësisë metrike, ndonëse, ashtu si shumë shkrimtarë të tjerë katolikë shkodranë të kësaj periudhe, ajo është plot turqizma, çka e bën të vështirë për t’u kuptuar nga lexuesi i sotëm. Bien në sy sidomos përkthimet e tij të Psallmeve të Davidit.

Shkrimtar katolik shkodran me rëndësi si për prozën ashtu edhe për dramën shqipe ishte Pashko Babi14 (1843-1905). Ka lindur më 6 janar 1843 në Shkodër dhe po atje i kreu studimet, si Ndue Bytyçi, në Kolegjia Papnore Shqyptare, në moshën tetëmbëdhjetë vjeç. Më pas shërbeu si famullitar në fshatra të ndryshme të Shqipërisë së veriut, sidomos në Sheldi dhe si mjek popullor. Ata të famullisë së tij e të tjerë më pas, kur e përmendnin, e quanin Dom Pashko Sheqeri, jo siç është menduar nganjëherë se ishte mjaft i butë e i ëmbël, por më fort ngaqë i atikishte qenë tregtar sheqeri. Pashko Babi vdiq më 13 prill 1905. Është autor i një teksti për shkollat fetare me titull Vakinat e t’ligs hèrscme e t’ligs ree, Shkodër 1882 (Ngjarje nga Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re), i pari tekst shkollor i botuar në Shqipëri. Stili i tij narrativ dhe gjuha e gjallë shprehëse kanë ngjyrim të fuqishëm popullor, ndonëse shqipja e tij përsëri është e përzier me turqizma. Pashko Babi shkroi edhe një ndër të parat pjesë teatrore shqiptare, I biri i çifutit, e cila u luajt në Kolegjin Saverian në shkurt 1882.

Preng Doçi15 (1846-1917), i njohur edhe me emrin Primus Docci, ka qenë figurë politike, fetare dhe poet, i lindur në Bulgër afër Lezhës më 25 shkurt 1846. Studimet i kreu në

Kolegjia Papnore Shqyptare në Shkodër dhe në Propaganda Fide në Romë. Më 1871 u kthye në krahinën katolike të Mirditës dhe shërbeu si prift famullie në Korthpulë, në Orosh e më pas në Kalivare afër Spaçit. Ishte ndër udhëheqësit e kryengritjes së Mirditës kundër sundimit turk më 1876-1877. Gjatë përgatitjeve për këtë kryengritje Doçi bëri një udhëtim në Cetinjë, kryeqytet i Malit të Zi, për të kërkuar ndihmë financiare e ushtarake. Ndonëse fiset shqiptare të Veriut i shihnin të gjithë me dyshim planet malazeze kundër atdheut të tyre, ata bënë ujdi kësaj radhe për “të shtrënguar duart me vëllezërit sllavë të jugut e për t’i bërë ballë sundimit që po hiqnin së bashku”. Edhe pse Doçi ia doli mbanë të kthehej nga Cetinja me një premtim për ndihmë nga Mali i Zi dhe, çka ishte po aq e rëndësishme, me një premtim për mosndërhyrje, kryengritja nuk pati sukses dhe u shtyp nga trupat turke në mars 1877. Preng Doçi u kap, u internua në Stamboll, por më pas u lirua e u dëbua për në Romë. Nga Vatikani, kardinal Simeoni i Propaganda Fides e dërgoi në bregun perëndimor të Njufaundlendit, ku edhe punoi si misionar deri në vitin 1881. Doçit i takon merita, me sa dimë, të jetë i pari shqiptar i vendosur me banim në Amerikën e Veriut. Por klima e vështirë e bregdetit të thyer perëndimor të Njufaundlendit nuk i eci Preng Doçit, dhe dëshirën e kishte të kthehej në vendlindjen e tij pranë brigjeve të Mesdheut. Si një kompromis të parë Vatikani e transferoi në Sejnt Xhon të Nju Brunsuikut, ku edhe punoi nga tetori 1881 deri në mars 1883. Pas kthimit në Romë, u dërgua me një tjetër detyrë misionare, kësaj radhe në Indi si sekretar i Delegatit Apostolik të Indisë, kardinalit Aliardi (ital. Agliardi). Më 1888, pas vitesh të tëra lutjesh e kërkesash e me ndërhyrjen e patrikut të Konstantinopojës, Preng Doçi më në fund arriti të marrë lejen nga autoritetet osmane për t’u kthyer në Shqipëri. Në janar të vitit tjetër u shugurua në krye të abacisë (lat. Abbas Nullius) së Shën Aleksandrit në Orosh të Mirditës, post ky që i dha mundësinë të ushtronte ndikim të konsiderueshëm politik e fetar në krahinë për shumë e shumë vite më pas. Më 1897 vajti në Vjenë për të propozuar krijimin e një principate katolike autonome në Shqipërinë e veriut nën udhëheqjen e Mirditës. Dy vjet më pas, më 1899, themeloi shoqërinë Shoqnia e bashkimit të gjuhës shqipe, të njohur më fort si shoqëria letrare Bashkimi, së bashku me Ndoc Nikajn (1864-1951) e Gjergj Fishtën, dhe krijuan të ashtuquajturin alfabet i Bashkimit. Vdiq më 22 shkurt 1917. Veprimtaria letrare e Preng Doçit zë fill më 1870 kur dha për botim një vjershë në A Dora d’Istria gli Albanesi, Livorno 1870 (Dora d’Istrias shqiptarët). Kjo përmbledhje e vogël me poezi shqiptare, e botuar nga Dhimitër Kamarda (1821-1882), iu përkushtua Dora d’Istrias (1828-1888), pseudonim i shkrimtares rumune me prejardhje shqiptare Helena Gjika, veprimtaria e së cilës për çështjen shqiptare luajti rol në lëvizjen kombëtare. Doçi është autor edhe i disa prozave të pabotuara si dhe i vjershave të tjera atdhetare, prej të cilave më të mirënjohura janë Shqypnia nën zgjedhë turke dhe Shqypnia në robni.

Infrastruktura e ngritur nga kisha katolike në Shqipërinë e veriut në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, sidomos me institucione shkollore si Kolegjia Papnore Shqyptare dhe Kolegjia Saveriane në Shkodër, me kalimin e kohës i dha frytet e veta. Ata sollën jo vetëm përfitimet ende jobindëse të katolicizmit të shekullit të nëntëmbëdhjetë në njërën nga trevat më të prapambetura të Evropës, por edhe bazat e një mendësie dhe arsimi perëndimor në një pakicë vërtet të vogël, por me ndikim në rritje. Elementi i huaj mbizotërues në kishë, d.m.th. misionarët qëllimmirë por të huaj italianë dhe zyrtarët kishtarë makiavelistë austriakë, dalëngadalë i hapi e i lëshoi udhë klerit vendës e kombëtar shqiptar, i cili qe i interesuar të përdorte gjuhën e vet për të shfrytëzuar mundësitë e reja të shprehjes letrare, që i ofronte kjo kulturë fetare fillimisht e huaj. Për më tepër, shkrimtarët e traditës katolike shkodrane qenë në përgjithësi pakëz më të gatshëm për t’ia kushtuar energjitë e tyre belles lettres në gjuhën shqipe sesa përfaqësuesit e letërsisë së Rilindjes, të zgjimit kombëtar, që i përqendruan përpjekjet dhe talentin e tyre nëfillim më fort në shkrime me karakter politik e në gazetari. Është pikërisht letërsia katolike shkodrane, mjaft e shpërfillur nga kritikët marksistë të Shqipërisë së shekullit të njëzetë, ajo që ndihmoi për shndërrimin e shqipes nga një gjuhë të aftë për t’u shkruar në një mjet letrar të aftë për shprehësi artistike e për larmi stilistike. Pas këtyre që thamë, është e nevojshme të nënvizohet se, edhe pse jo aq e mbyllur dhe e veçuar nga shtrati kryesor sa letërsia myslimane dhe bektashiane e periudhës, rryma katolike në letërsinë shqiptare të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, me theksin e vet fetar e me kufizimet tematike, mbeti një letërsi dytësore në krahasim me letërsinë rilindëse të romantizmit kombëtar në rritje. Shqipëria në fund të fundit nuk ishte një vend kryesisht katolik dhe, me gjithë shtytjen e fortë të dhënë nga kultura katolike shkodrane, ajo nuk mund të bëhej e tillë.

Lufta për autonomi politike në kuadrin e Perandorisë Osmane që po lëngonte, dhe vullneti për identitet e mbijetesë të kulturës së një populli të prapambetur e fetarisht të ndarë u kristalizua në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë në lëvizjen e zgjimit kombëtar, që mori emrin Rilindje. Periudha e Rilindjes16, që kap kryesisht vitet nga Lidhja e Prizrenit më 1878 e deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, zgjoi shqiptarët dhe i bashkoi në një tërësi gjuhësore, në një kulturë e në një komb. Midis qëllimeve të lëvizjes kombëtare në këtë periudhë dhe forcës krijuese të letërsisë shqiptare pati një lidhje të brendshme organike. Kështu, romantizmi kombëtar u bë rryma mbizotërues e letërsisë së Rilindjes17. Fryma kombëtare në shkrime, d.m.th. letërsia në shërbim të identitetit kombëtar, do të mbulohej më vonë me një veshje tjetër, atë të realizmit socialist, ku mbeti në shkallën e një ideologjie shtetërore.

Shpjeguesi

5 Për letërsinë katolike shkodrane, kr. edhe Elsie 1991f.

6 kr. Ippen 1902, Benna 1954, Schwanda 1965, dhe Schanderl 1971.

7 Për françeskanët në Shqipëri, kr. Schizzo s.a., Fabianich 1930 dhe V. Malaj 1990, 1996.

Poeti më i hershëm katolik i shekullit të nëntëmbëdhjetë ishte Pjetër Zarishi10 (1806­

8

Për urdhërin Jezuit në Shqipëri, kr. Jesuits… 1988.

9

  1. Kolegja… 1928.

10

  1. F. Fishta 1940c, Ressuli 1941, f. 142-152, dhe Çobani 1988, f. 5-52.

11

  1. Ressuli 1941, f. 152-157.

12

  1. F. Fishta 1940a.

13

  1. Ressuli 1941, f. 175-180, Fullani 1962, dhe Qosja, 1986, vëll. 3, f. 293-306.

14

  1. Ressuli 1941, f. 184-198, dhe K. Kamsi 1957.

15

  1. Bartl 1981b, 1983, Mobarak 1986-1987, dhe Pal Doçi 1991.