Dashuria, martesa dhe muaji i mjaltit në traditën dhe kulturat e hershme. Bestytnitë dhe “kanonet” magjike të jetës së lumtur

Kudo në botë besohet se muaji i mjaltit paraqet fazën kalimtare mes çiftit të ri dhe bashkëshortëve. Në muajin e mjaltit shkojnë si “çift i ri “dhe kthehen si “Burrë dhe grua”. Për këtë shumë besojnë se themelet e fatit të ardhshëm vendosen pikërisht në ditët e muajit të mjaltit. Që “hapi” i parë të jetë fatlum dhe i mbarë, shumëkund preferohet ndihma magjike e luleve…

“La fluer que tu m’avais jetee “, janë këto fjalë nga aria e njohur muzikore, e që në përkthim do të thonë: “Lulen që ma gjuajte ti”, fjalë të cilat i flet romja e bukur Carmen, personazhja kryesore në operën e njohur të Bizetit me emër të njëjtë. Si duket Karmen e dinte mirë se çfarë roli të rëndësishëm kanë lulet në joshje të dashurisë. Romja e bukur, Karmen, arriti t’ia pushtojë zemrën djaloshit Don Josea duke ia lënë një lule të cilën ai do ta ruaj gjer në vdekje.

Për gjithë ata që dëshirojnë t’ia fitojnë zemrën dikujt, le ta përcjellin shembullin e romes Karmen dhe le t’ia dhurojnë partnerit të tyre trëndafilin e portokalltë. Me këtë ju mund ta shtyeni partnerin që t’ju bëhet besnik dhe xheloz nga dashuria e madhe.

Sipas një besimi të vjetër hebrej – kabalës, hithi jo vetëm që kur e mbledh t’i përcëllon duart, por e përcëllon dhe ndez edhe zemrën e personit të cilin dëshirojmë ta pushtojmë. Rituali bestyt që hebrenjtë e vjetër e përdornin është si vijon: ” Duhet të pritni agun e mëngjezit, të merrni pak karafil, dhe në ujë të njelmët vendosni pak gjethe hithi dhe këto duhet t’i zieni. Pasi të ftohet uji, vendosini në të lulet e karafilit. Lëngun e përfituar duhet ta përdorni deri para agimit pasues, në të kundërtën rituali e humb efektin dhe mund ta përsëritni vetëm pas shtatë ditëve.”

Lulja e portokallit për martesë të lumtur.

Edhe me fjalën martesë lidhen shumë rituale bestyte. Nënat sa e sa herë i këshillojnë bijat e tyre me fjalët: “…bëje këtë, mos e bën atë…”, me qëllim që ajo ta ketë martesën sa më të lumtur. Njëra prej bestytnive nga më të përhapurat në botë është kjo: “Në buqetën e luleve që dhëndri ia dhuron nuses, duhet të figurojë edhe lulja e portokallit. Për këtë qëllim bën të përdoret edhe lulja e limonit, pasi që për nga natyra është përafërsisht e njëjtë me lulen e portokallit.” Në disa vende, p.sh. në Skotlandë, në buqetën e çiftit të ri bashkëshortor figuron edhe gjethja e bimës kamelia (Camelia japonica), bimë e përafërt dhe e familjes së njëjtë me bimën Camellia sinensis, të cilën e adhuron shumë populli ynë, mbase pa vetëdije. Përndryshe kjo bimë te ne është e njohur me emrin “çaj i rusit”, çaj ky që përfitohet nga gjethet e kësaj bime.

Në disa vende si p.sh. në veri të Francës, në buqetën e luleve të çiftit të ri, vendoset edhe guri i shkëmbinjve kristalorë. Përderisa kamelia simbolizon besnikërinë, guri i shkëmbinjve kristalorë simbolizon dashurinë e pastër dhe të fortë. Lulja e portokallit (ose limonit) simbolizon çiltërsinë dhe virgjërinë e nuses, por njëherit këto paraqesin edhe lulet më të adhuruara të perëndeshës së dashurisë -Venerës. Fryti i portokallit, gjegjësisht i limonit, të cilat u sollën në Europë nga lindja para rreth njëmijë vjetëve, konsiderohej si simbol i plleshmërisë vetëm e vetëm për shkak të farave të saja që përmban. Për këtë arsye, në vendet e lindjes, si p.sh në Kinë, po t’ia dhuroje ndonjë vajze një fryt portokalli, nënkuptohej sikur t’i ofroje martesë.

Cila bimë guxon dhe nuk guxon të ndodhet në dhomën e qiftit të ri

Bima luleberonja (Ilex aquifolium), e cila ndryshe në popull njihet edhe me emrat ashe, dushk i egër, lar i egër etj, si dhe bimët lule Shëngjergji (Convallaria maialis ) dhe begoneja, nuk bën të ndodhen në dhomën e çiftit të ri. Lule Shëngjergji është bimë helmuese. Luleberonja, nga vetë emri – beronjë, që do të thotë shterpë, pastaj me po këtë emër quhet edhe gjarpëri i hollë e i gjatë që i mbështillet njeriut a shtazës përreth kur do ta hajë, është sikur të gjitha bimët tjera me therra, dhe shumëkund në botë ekziston bindja bestyte se me këtë bimë kanë lidhje shpirtat e këqij dhe të parahatshëm. Me siguri edhe te ne ekziston kjo bestytni, pasi që bima në fjalë është emërtuar me po atë emër. Përndryshe këto bimë i simbolizojnë lulet e dashurisë së fshehtë dhe shpesh janë pjesë përbërëse të kurorave me lule që vendosen në varre. Prandaj këshillohet që për martesë sa më të lumtur të zgjedhen bimët diellore si trëndafili, etj.

Nëse dëshironi që edhe të pranishmit në dasmë të ndiejnë dashuri dhe që shikimet e dasmorëve mes vete të shndërrohen në “shigjeta të Amorit”, vendosni në tavolina vazot në të cilat ndodhen trëndafilat e kuq dhe kokoçelat, të cilat lehtë mund t’i gjeni në muajin qershor – shtator, nëpër ara me grurë. Kokoçeli (lule gruri) ka ngjyrë të kaltër dhe simbolizon besnikërinë e që efekti të jetë më i madh, që buzëqeshjet dhe shikimet e të pranishmëve të shndërrohen në dashuri, në vazo vendoset edhe një copë e vogël hekuri të magnetizuar, i cili në kohët e hershme simbolizonte fatin në dashuri dhe neutralizimin e ndikimeve negative, përderisa bakri e simbolizonte forcimin e ndikimeve pozitive. Nëse e vendosni trëndafilin e verdhë në vazo, do t’i ndihmoni rritjes së xhelozisë mes të pranishmëve.

Muaji i mjaltit

Kudo në botë besohet se muaji i mjaltit paraqet fazën kalimtare mes çiftit të ri dhe bashkëshortëve. Në muajin e mjaltit shkojnë si “çift i ri “dhe kthehen si “Burrë dhe grua”. Për këtë shumë besojnë se themelet e fatit të ardhshëm vendosen pikërisht në ditët e muajit të mjaltit. Që “hapi” i parë të jetë fatlum dhe i mbarë, shumëkund preferohet ndihma magjike e luleve. Në valixhet e çiftit të ri shpesh vendosen disa lule e gjethe të bimës mare (Artubus), pastaj të bimës lulëkuqi i egër, bimë këto më të dashura të Giusepine Beauharnais-it, apo Xhozefinës së njohur, para së cilës u përkul Napoleon Bonaparta. Në këtë udhëtim ndihmon edhe gjethja e urthit (hedera helix) e cila shkon zvarrë nëpër mure të shtëpive dhe ndodhet në shumë oborre këtu në Kosovë, pastaj edhe gjethja e dafinës, e cila ka aromë të këndshme dhe të cilën amviset e vendosin në gjellëra. Gjethet e bimës dafinë (Laurus nobilis) rriten në vende mesdhetare, por këtu te ne mund të blehen në shumë supermarkete e shitore të tjera ushqimore. Përndryshe popujt antikë këtë bimë e konsideronin si bimë triumfi mbi kundështarrin. Për këtë kurorat triumfale të popujve antikë stoliteshin me gjethet e dafinës. Përndryshe besohet se kjo bimë mbron edhe nga fatkeqësitë. Mbase kjo bestytni ka marë hov nga tregimi i natyralistit të vjetër Latin, Pliniut, për pulën që kishte rënë nga lartësitë e mëdha qiellore prej kthetrave të shqiponjës dhe kishte shpëtuar e palënduar fare. Në gojë pula mbante gjethen e bimës dafinë. E tëra kjo kishte ndodhur para vajzës Livie, të fejuarës së sundimtarit August. Për këtë ata në oborrin e tyre kishin mbjellur drurin e dafinës, dhe lidhja e tyre martesore njihej si lidhja më e fuqishme e dashurisë në historinë e njerëzimit.

Nata e parë e dashurisë

Venera (Afërdita), njihet si perëndeshë e njohur e dashurisë dhe, sipas legjendës, ajo është lindur nga valët e detit të plleshëm prej organeve mashkullore të Uranit, të cilat në atë det i hudhi Saturni. Përndryshe, Venera ishte gruaja e Vullkanit, mirëpo dashuronte Marsin…

…e që nata e parë bashkëshortore të jetë e përsosur, në shumë vende në botë i vendosin vazot me jasemine (Jasminum officinale) nga ana e jashtme e dritares, bimë e cila simbolizon ndieshmërinë aromatike, e pranë saj vendosin edhe një copë të shkëmbit kristalor dhe ujin e njelmët. Po t’i bëjnë gjitha këto, besojnë se fati do të flejë në krevatin e çiftit bashkëshortor gjer në amshim.

Lulet dhe shëndeti

Periudha më e ndieshme për shëndetin e femrës është periudha e shtatzënësisë, pastaj ajo e lindjes dhe menopauzës. Në shumë vende besojnë se kalendula mjekësore – (Calendula officinalis) është parashenjë e mirë për jetë të re, e cila simbolizon optimizmin dhe ia bartë fatin fëmiut. Për këtë ndihmon edhe trumëza si dhe temjani, të cilat relaksojnë, për çka i përdorin edhe budistët gjatë meditimeve të tyre. Gjatë periudhës së lindjes, shumë popuj preferojnë që pranë nënës së ardhme të ndodhet një kalli gruri – si simbol i plleshmërisë, pastaj kalendula mjekësore me optimizmin e saj, si dhe karafili i bardhë me çiltërsinë që sjell. Në menopauzë ndihmojnë petalet e kurorës së trëndafilit për t’mos ju humbur sharmi, si dhe kalendula mjekësore që mos ta humbni besimin.

Numri shtatë për sukses në punë, mësim dhe në provime

Në shumë vende simbol i suksesit dhe i fatit të mirë është numri shtatë. Prandaj për sukses në mësime dhe punë mund t’i merrni shtatë kokrra të misrit dhe një kalli të grurit (bën edhe ndonjë tjetër drith).

Drithërat janë simbolet më të vjetra të plleshmërisë, suksesit dhe përparimit. Nëse i shtoni këtij kombinimi edhe gjethet e bagremit (drizës së butë), shumë më tepër do të shtohet përqëndrimi juaj. Në vendet perëndimore bagremi përdoret si bimë për t’i ndarë dy shiritat e autoudhëve, ngase kjo rritë dhe forcon reflekset e shoferëve. Nëse dëshironi të bëheni më të qëndrueshëm, mos e harroni thënien: “i fortë është ai të cilin e rrahin shpesh erërat”, prandaj nëse dëshironi ta rritni qëndrueshmërinë tuaj, merrni edhe një copë shkëmbi të cilin shpesh e rrahë era. Mos harroni edhe këtë: punoni vyeshëm dhe mësoni!

Ndërsa sa i përket fatit në punë dhe punësimit, le t’ju kujtohet një film i vizatuar nga repertoari i Walt Disneyit, shotanit miliarder dhe centit të parë të tij. Dizni e respektoi këtë bestytni antike dhe e përgatiti këtë film vizatimor. Pra, merrni një monedhë të vjetër metali dhe vendoseni në letrën shtatëshe karo, të lakuar përgjysmë. Monedha e vjetër jashtë qarkullimit në vete ka mbledhur energjinë e shpresës së pasurimit në duart e miliona njerëzve, ndërsa shtatëshja karo është simpol i suksesit në punë. Dhe para se të dilni nga shtëpia, vendosni këtë “hajmeli” në çantën tuaj. Në fund të fundit, dëme nga kjo nuk do të keni.

Ndërsa për përparim në karierë ju nevojiten njëzet para të letrës jashtë qarkullimit. Në to vendosni pak anilinë apo kumin (Carum carvi) të kuq në pluhur, si dhe tri gram të bimës ndërgishte (Potentilla anserina) e cila e rritë efektin e parave fatsjellëse. Këto bimë mund t’i gjeni nëpër supermarkete apo në barnatore bimore.

 

Me siguri nëpër shitore dhe barnatore shpesh keni parë vazo me lloje të ndryshme të fierëve. Ndoshta pa vetëdije, e ndoshta kjo si fshehtësi, të cilën ne do t’ia shpalosim lexuesve të Mjellmës. Fieri e simbolizon pasurinë. Me shekuj është transportuar përmes karvaneve nga lindja dhe një kohë kishte vlerë sa të arit. Nëse vendosni në një strajcë të lirit përzierjen e fierit (çfarëdo lloji qoftë), të farave të një limoni dhe të disa kokrrave të kripës së detit, dhe këto i lëmoni çdo mëngjez posa të zgjoheni nga gjumi, atëherë do ta keni një ditë të qetë. Forcën e oqeanit ju jep kripa, pasurinë fieri, ndërsa kthjelltësinë dhe plleshmërinë e fitoni nga kokrrat e limonit.