Aleksandri i Madh në përballjen epike kundër Darit të Persisë, episode historike

Aleksandri në një takim me të dërguarit e Persisë, deshi të mësonte jo për pasurinë dhe jetën luksoze që bënte mbreti i tyre, por për qëndrimin që mbante dhe forcat e tij ushtarake. Të dërguarit e Darit i thanë mbretit të tyre kur u kthyen:
– Ju jeni i pasur, por Aleksandri do të bëhet i madh.

Kur i thanë Aleksandrit të Madh se mbreti i Persisë, Dari, ishte duke përgatitur një ushtri shumë të madhe, ai u përgjigj:
– Ujku nuk e vret mendjen fare për të ditur nëse është apo nuk është e madhe kopeja që do të sulmojë.

Përpara betejës së Arbelës (beteja e Arbelës 331 p.e.s. qytet i Asirisë së lashtë, ku Aleksandri mundi Darin e III të Persisë), Dari i bëri të ditur Aleksandrit se, po të pranonte miqësinë me të, do t’i dhuronte gjysmën e mbretërisë së tij.
Aleksandri e pyeti tregtarin Parmenion, që e mori vesh ofertën, se çfarë mendonte:
– Në qoftë se unë do të isha Aleksandër, do të pranoja – tha Parmenioni. – Edhe unë, – tha Aleksandri, – do të pranoja, në qoftë se do të isha Parmenion. Po unë jam mbret, nuk jam tregtar.