“Poetika e Ismail Kadaresë”, përmbledhja e plotë e poezive dhe poemave sipas rendit kronologjik të kohës së krijimeve

Sadik Bejko

Në prag të 82 vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare (28 janar 1936) shtëpia botuese “Onufri” publikoi veprën e plotë poetike të këtij shkrimtari. Kjo përmbledhje e zgjedhur nga vetë autori, përmban rreth 160 tituj nga poezitë dhe poemat më përfaqësuese të poezisë së tij. Janë përfshirë poezi të shkruara mbi 60 vjet më parë duke u mbyllur me poemën “Tirana në dimër’, 2005.

Veç përzgjedhjes nga librat e njohur si: “Ëndërrimet” 1957, “Lirika”, botuar rusisht, Moskë 1961, “Shekulli im”, “Përse mendohen këto male”, “Motive me diell”, “Koha”, “Ftesë në studio” janë përfshirë dhe poezi të panjohura, nxjerrë nga arkivi privat i shkrimtarit. Në fund të librit jepen shënime mbi disa nga poezitë dhe poemat, shënime për kohën dhe vendin kur janë shkruar dhe botuar, për atë që lënda e disa prej poezive ka paralajmëruar vepra në prozë të autorit, ose shënime mbi prekjet a përpunimet që kanë pësuar herë pas herë disa nga poezitë dhe poemat.

Kjo përmbledhje e plotë e poezive dhe poemave të Kadaresë, duke ndjekur rendin kronologjik të kohës së krijimeve, jep mundësi për të vërejtur evoluimin në artin, në stilin e autorit; poezitë regjistrojnë çaste të gjalla nga jeta e autorit, sjellin atmosferën e kohës, elemente intimë të biografisë, çaste kohore të së përditshmes, që, duke u shndërruar në poezi, bëhen lëndë e përjetshme.

Botime të këtij lloji me pëfshirjen e pjesës më të qëndrueshme nga githë krijimtaria e poetit, lënë shteg për të medituar, për të sintetizuar mendimin mbi karakteristikat, të veçantat e kësaj krijimtarie. Kritika ka vënë në dukje se Ismail Kadare ka qenë nga poetët më me emër, poet që bashkë me dy-tre autorë të tjerë në krah të tij, në vitet ’60 të shekullit që shkoi, sollën risi e nivel të lartë cilësor në poezinë shqipe. Ata e nxorën poezinë nga dogmatizmi ideologjik i skajshëm, nga steriliteti stilistilk e gjuhësor, nga ngushtësia e rëndomësia tematike ku e kishin katandisur poetët paraprijës.

Mjeshtëria dhe freskia në organizimin gjuhësor të poezive të Kadaresë, pasuria shpërthyese imagjinative, imazhet e animizuara dhe të hiperbolizuara gjer në skajshmëri e tronditën stilin e rrafshët të të shkruarit për kohën, por dhe shënuan risi që nuk i gjeje në gjithë fondin e mëparshëm të poezisë shqipe.

Thekset e tij përçmuese ndaj prapambetjes në formë e në mendim, ndaj një stili të vjetëruar në Shqipërinë e kohës së qerreve që tërhiqeshin nga buaj, sollën një frymë emancipimi, një çlirim të shprehjes poetike që u bë frymëzuese për brezat e poetëve të kohës së tij Ismail Kadare, edhe kur u botuan romanet, (në vitin 1963 u botua romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur’) edhe kur jashtë Shqipërisë proza e tij cilësohej e nivelit botëror, ka qenë poeti më në zë i kohës së tij.

Poezia e tij u dallua nga të tjerët për temën e qytetit. Në një vend që i përkiste qytetërimit bujqësor, me një gjuhë paksa futuriste ndonjëherë më perceptime surreale ai solli trenat, sirenat, aeroportet, pejsazhet urbane, pamje nga qytetet Gjirokastër, Tiranë, Moskë, Paris, Helsinki, Stamboll, Frankfurt, Amsterdam, Kopenhagë…

Me një rebelim stilistik e gjuhësor të tillë ai po shkundte pluhurin e një folklorizmi të dyfishtë në poezinë e kohës, atë të një poezie rurale, të një poezie gjoja me motive popullore dhe folklorizmin e poetëve proletarë të realizmit socialist me traktorë e me tezgjahë, poezinë e fjalëve të bukura por pa substancë. Me kohë tema e qytetit hyri me filozofinë e lëvizjes rrethore, me qytetërimin si polis, si përgjegjësi për të sotmen dhe të nesërmen.

Ismail Kadareja ka qenë shkrimtari që u dha jetë dhe interpretim në përputhje me interesimet mendore e ndjesore të kohës së vet disa prej simboleve universale si: Kali i Trojës, Piramida, Saharaja, Laokonti, Akullnaja, Kështjella. Ledi Makbeth Hamleti, Prometeu…

Riaktivizimi i simboleve universale dhe i miteve historike, në veçanti i figurave prej historisë dhe miteve shqiptare sillte dhe një poezi të nënteksteve falë shumëkuptimësisë dhe universalitetit që buron nga një lëndë e tillë. Është folur për një ngrysje, për një ashpërsim të klimës në këto poezi, për qiej të mvrenjtur, për ngrica dhe acar, për shira të vazhdueshëm, për një dramë gjer në përçudnim të pejsazhve (qiejt e ngrysur pa lejlekë/ dhe shirat pa ylber në mes), për vjeshtën, akujt, dimrat që janë deri në titujt e disa poezive. Qielli i Tiranës, qielli socialist, është “pa formë si tru idioti”, “grija funebre” e qiellit të ish-kampit socialist pasohet nga dimri me akuj dhe acar dhe “me një plenum në mes”.

Ky ashpërsim i motit mesdhetar të Shqipërisë nuk është manierë. Nga tipar i formës kthehet në një nga përbërësit thelbësorë të stilit. Pavarësisht mjeteve a teknikave të tilla, poezia e Kadaresë mbeti gjithmonë e kthjellët, larg çdo errësimi kuptimor. Nënteksti a ambiguiteti janë cilësi e teksteve të tij, diktuar dhe nga mungesa e lirisë. Pas botimit të romaneve që menjëherë gjetën përhapje ndërkombëtare, Kadareja e mbajti dorën, shkroi më rrallë poezi.

Poezia, botuar në tirazhe të mëdha tek ne dhe në gjithë vendet e Lindjes, ishte arti më i politizuar i kohës. Në Perëndim poezi botohej përherë e më pak. Stili i librave të fundit evoloi dhe në mjetet e shprehjes. Autori u largua nga vargu i lirë, nga poemat sintezë. Filloi të shkruajë një poezi strofike, me metër, me rimë me formë pothuaj klasike. Si te Pasternaku kjo poezi kishte brengë në përmbajtje dhe novacione të brendshme të shprehjes nën rreptësinë klasike.

TIRANA NË DIMËR

Në kafene ka rënë njëfarë qetësimi. Shpirti pushim kërkon, e ndoshta mall. Anëdete blu, plazhe të shkreta dimri, Hotele ku nuk mbërrin i ftohti i madh. Një grua e mjegullt, shfaqur te qelqnaja M’u duk se më kujtonte një premtim. Vdekja s’më la, atë premtim të mbaja, I thashë më në fund plot pikëllim. Ajo më pa habitshëm që pas qelqit: Nuk të marr vesh, kjo gjuhë më bën ujem. Në qoftë se ti, siç thua, je i vdekur, Atëhere mua ç’më mbetet që të jem? S’e di, i thashë, me habi të ftohtë, Tek shpirti prapë me pikëllim m’u mbush. Dikush nga ne të dy s’është më në botë, Po cili a cila, këtë s’e di askush. Një copë herë me shenja morëm e dhamë. S’kuptoheshim, veç kishim mall e mund. Gjersa ajo u tret te qelqi i madh Dhe unë mbeta shkret në kundaskund. Ky fragment, kreu i 6-të i poemës “Tirana në dimër” (2005), shënon krijimin poetik më të fundit publikuar deri më sot nga I. Kadare. Kjo poezi me varg njëmbëdhjetërrokësh, me formë strofike, poezi e zymtë klasike vjen prej periudhës së fundit krijuese të shkrimtarit.

Një poezi dashurie. Ky libër ka rreth 50 poezi me këtë temë. Mbase humbja njeriun e bën më të bukur. Te poezia “Llora” ai thotë se të ndërtosh një ndarje nga e dashura “është më e zorshme se të ngresh një piramidë”. Një nga leximet e mundshme të kësaj poezie – në fakt të këtij fragmenti nga poema “Tirana në dimër” – mund të jetë si më poshtë, Në ndonjë segment të jetës disa gjëra – dashuria mes të tjerash- mbeten thjesht një premtim. Bie mjegulla dhe fanitja e së dashurës mbetet matanë saj. Urat janë prerë. Dhe malli, mundi, moskuptimi e akullimi në të dy krahët. Një nga pikëllimet më të mëdha të jetës. Nuk mban dot një premtim. nuk i përmbush ëndrrën një dashurie.

Sa e vështirë do të jetë për ndokënd, që këtë ta shpallë hapur. Sa e vështirë, sa guxim ta thuash… pikëllimin. Dhe sa forcë… Ç’ forcë prej sovrani që pranon të abdikojë nga zotërimet e tij, nga froni i dashurimit…. Duke pohuar njëherësh se realiteti i intimes është ndër gjërat më themelore, më të thella të jetës. Disa nga kryeveprat e Kadaresë si “Në studion dimërore”, “Kthimi në Moskë”, “Llora”, “Ti qave”, “Kristal”, etj janë ndërtuar me këtë lëndë të humbjes “së bukur” të dashurisë. Ky libër i Kadaresë vjen si një dhuratë e çmuar për gjithë dashamirët dhe lexuesit e tij në këtë përvjetror të ditëlindjes së poetit.