Jeta e vështirë e Wolfgang Amadeus Mozart, letra me të cilën ai i drejtohet mikut të tij, Johann Michael von Puchberg, për ti kërkuar borxh

KUR VARFËRIA ARRIN TË PËRUL EDHE MALE TË LARTË GJENIALITETI

Të jetoje vetëm me muzikë pa të ardhura të tjera të tërthorta, për gjeniun e muzikës klasike do të thoshte varfëri. Po, varfëri në kuptimin më të pamëshirshëm të shprehjes. Gruaja e sëmurë, një fëmijë për të rritur, ishte për të një sfidë e vështirë, një plagë që e mundonte mizorisht shpirtin e tij të drobitur nga vështirësitë. Ngado dyer të mbyllura për mjeshtrin e madh. Kompozitori i oborrit, i emëruar me urdhër perandorak, nuk i siguronte të ardhurat që i duheshin për të shlyer doktorin, farmacistin, kreditorët, jetesën. I kishin shteruar të gjithë mundësitë dhe miqtë. I vetmi që do ti gjendej gjithnjë pranë ishte miku i tij Johann Michael von Puchberg (21 shtator 1741- 21 janar 1822, Vienna ), një tregtar i thjeshtë vjenez tekstilesh, të cilit më 12 korrik 1789 ai i shkruan një letër mbushur me tragjizëm të thellë dhe brengë, ku citohet:

“Zot, jam në një gjendje të vështirë, të cilën s’do t’ia uroja as armiqve të mi më të këqij, dhe në qoftë se ju vëllai dhe miku im më i mirë, do të më braktisni, unë fatkeqi do të dënohem pa faj bashkë me të mjerën grua time të sëmurë dhe djalin.

Që herën e fundit kur isha te ju, desha t’ju hap zemrën, por me mungoi vendosmëria!

Dhe a do ta kem vallë tani që po ju shkruaj?!

Vetëm duke u dridhur guxoj të hedh këto fjalë në këtë letër. Nuk do të kisha kurajë tu drejtohesha as me shkrim po të mos isha i sigurt se ju më njihni, se ju i dini fort mirë rrethanat e mia, se ju jeni absolutisht i bindur që unë jam pa asnjë faj, që fatkeqësisht kam rënë në këtë gjendje kaq tragjike.

O perëndi!

Në vend të falënderimeve unë do tu mërzis me lutje të reja, me përgjërime mjeruese. Në vend të pagesës që kam të të bëj për borxhin që të kam, po të shkruaj për një borxh tëe ri, kërkesa të reja.”

 

Artikuj të ngjashëm