Gjuha dhe këndimi shqip, nga “Meshari” i Gjon Buzukut deri te “Milosao” i Jeronim De Radës

Moikom Zeqo

Si lind një subjekt? Cila është ftillesa e një vepre që shkruhet? Padyshim që zanafillimi i strukturave të rrëfimit është një nga enigmat më të hatashme dhe më të pazbërthyeshme dot. Ne kërkojmë gjithmonë një gjenezë. Ngulim këngë përherë për një fillim. Kur shikojmë diçka që kryhet nuk arrijmë megjithatë të mendojmë plotësisht se përse ndodhi kjo gjë. Akoma më tepër: e kemi tejet të vështirë të imagjinojmë se përse te një njeri, i cili është njëkohësisht edhe poet do të lindin motive, motive që përpara lindjes së tyre ishin pothuajse eter, ose asgjë.

Që nga “Meshari” i Gjon Buzukut deri te “Milosao” i De Radës, shekujt mendorë të shqiptarëve kanë strukturuar disa arketipa. Gjuha shqipe ka farkëtuar disa nga mënyrat më të qenësishme të ekzistencialitetit të saj. Strukturimi i shkrimit është një përshtatje e mendimit. Pakufishmëria e mendimit jepet në forma të limituara të fjalëve. Nuk ka asnjëherë përputhje të plotë midis tyre. Por, gjuha nuk është shumësia e fjalëve. Fjala është simboli i një sistemi të pakufishëm të renditjes dhe të harmonisë. Fjala e pjell gjuhën, por nuk është ende gjuhë. Gjuha është një komunikim, ku paskajshmëria e mendimit lë dëshmi të kufizuara. Pra, gjuha është një absolute që ka përherë shkrimin si një relativitet të vetvetes. Por, ndërkohë edhe shkrimi është i pafundmë. Edhe shkrimi synon drejt infinitit dhe megjithatë enigma e një subjekti nëpërmjet shkrimit, si predikat i mendimit është i pa shpjeguar dhe i pandërfutur në formula logjike, apo matematikisht të sprovueshme. Mund të them se subjekti i “Milosaos” ka qenë në qiellin mendor të shqiptarëve që nga shekulli XVI deri në shekullin XIX, ashtu siç është një kometë e pazbuluar akoma nga astronomët. Pse pikërisht De Rada e shkroi këtë subjekt? Kjo pyetje nuk është aq e thjeshtë. Pse për tre shekuj lëvrimi edhe i poezisë, qoftë edhe me konotacione mesjanike apo edhe me narracion teologjik krijoi një traditë, pa mundur të hapte dot një hulli, pa mundur të saktësojë një subjekt shqiptar të një historie të pavdekshme. Fillesa e “Milosaos” është një kërkim shkencor dhe artistik i pazakontë. Studiuesit duhet të merren me këtë pikë inkandeshente.

Pse në mendjen e një djaloshi absolutisht të panjohur arbëresh shndriti dhe u ravijëzua ideja e “Milosaos”? Ekzegjeza e “Milosaos” nuk mund të shmangej. Mund të ketë disa teori interpretimi. Sharmi i shpjegimeve mund të jetë me një regjistër ndryshimesh edhe kontradiktore. Por meqenëse “Milosao” në vetvete përbën një subjekt, pra është një nga rrëfimet më të mëdha të letërsisë në kohëra duhet të tendosin forcat për ta kuptuar, ose për t’iu afruar kuptimit të kësaj dukurie madhore. Mendoj se teoria e arketipave letrarë ka disa aspekte funksionalizuese. Letërsia botërore prej kohësh është studiuar edhe në pikëpamje arketipale. Letërsia shqipe e ka të mangët këtë aspekt apo kulturë studimore. Në rastin konkret për “Milosaon” unë dua të vë në spikamë diçka arketipale që është e dukshme. Çdo të thotë e dukshme? Do të thotë e krahasueshme. Në vitin 2002 kam botuar librin “Kënga e Këngëve”, ku krahas vështrimit eseistik të shumëfishtë kam bërë edhe shqipërimin estetik të kësaj kryevepre të njerëzimit.

 

Arshi Pipa

Dihet se ka qenë Gjon Buzuku më 1555 që ka shqipëruar fragmente poetike të “Këngës së Këngëve”. Në rastin e librit tim, që përmenda më sipër, ka rëndësi një ide që e lidh arketipin e Këngës së Këngëve edhe me “Milosaon” e De Radës. Deri më sot nuk është thënë një tezë e tillë. Në rastin konkret unë po bëj një shtjellim më të plotësuar. Kam në duar Biblën në latinisht të quajtur Vulgata të dijetarit ilir Hieronimit të shekullit IV. Këtu është edhe CANTICUM CANTICORUM, që në gjuhën hebraike quhet Shir Ashshrin dhe në gjuhën greke Asma Asmaton. Duke bërë studimin paralel të “Këngës së Këngëve” dhe “Milosaos” kam vënë re disa ngjashmëri jo të rastësishme.

  1. Subjekti poetik është dashuria midis dy të rinjve. Te “Kënga e Këngëve” ata paraqiten si I fejuaridhe E fejuara, ndonëse nuk bëhet fjalë për një ceremoni fejese në krejt tekstin. Është dashuria e një vajze nga Jerusalemi, e cila është e varfër që dashuron një djalë, i cili përshkruhet me epitete mbretërore në këtë tekst. Pak a shumë e tillë është edhe situata subjektore e “Milosaos”. Bëhet fjalë për Milosaon, biri i një familje të vogël aristokratike dhe Rinës, një vajze të varfër fshatare.
  2. Mjedisi i dashurisë si te “Kënga e Këngëve” edhe te “Milosao” është një mjedis baritor me vreshta, ullinj dhe bimë ekzotike, ku ndihet lëvizja e stinëve, loja magjike e Diellit, e Hënës, e erërave dhe ujërave.
  3. Të “Kënga e Këngëve” vajza nuk mposhtet nga pengesat për ta dashuruar djalin. Në të vërtetë është vajza ajo që e shpall dhe beson te dashuria më shumë. Te “Milosao”është djali që bie në dashuri dhe është shpesh i dyzuar dhe i pavendosur, ndërsa vajza dashuron me gjithë shpirt, por gjithashtu nuk i shmanget dot një lloj fataliteti që edhe e pengon dashurinë e vërtetë.

Substanca e shtjellimit dashuror te të dy kryeveprat është arketipale. Por, ka edhe dallime apo skajëzime të veçanta. Më poshtë po jap disa shëmbëlltyra në aspektin krahasimtar.

Te “Kënga e Këngëve” (1,4,) nigra sum, sed formosa – e zeshkët jam, porse e bukur), kjo korrespondon me pozitën e ulët shoqërore të Rinës te “Milosao”, por nënvizimi i bukurisë është diçka që sfidon rendin e dallimeve njerëzore. Po te “Kënga e Këngëve” (2,15,) thuhet capitte nobis vulpes parvulas quaee demoliuntur vineas – kapni dhelprat, ato të voglat, që vreshtat po i dëmtojnë). Te “Milosao” thuhet:

Vreshtat ishin verdhurore,

Dhe nga mali zbriti dhelpra,

Me të lodhura të bijat.

Ky përfytyrim është kaq i rëndësishëm saqë mund të shpjegohej se “Milosao” është konceptuar si një subjekt shqiptar duke pasur parasysh arketipin e “Këngës së Këngëve”. Pasazhi i dhelprave në vreshta ka një vlerë simbolike, por edhe teologjike në subjekt. Ky pasazh siç do ta shtjelloj edhe në një vend tjetër ka qenë një pikë ngulmuese dhe idepërhapëse për poezinë e De Radës, në raportin e të dashuruarve, apo në dashurinë e tyre sfilitëse jo aq të lehtë, ndonëse të pamposhtur.

Studiuesi Arshi Pipa ka një tjetër interpretim me tri vargjet e mësipërme. Në librin e tij “Jeronim de Rada”, botimet “Princi”, Tiranë, 2013, faqe 260-262, mendon se figura e dhelprës me të bijat te De Rada shpreh një gjuhë alegorike. Pipa gjen një analogji përgjegjëse në një poezi të Teokritit. Dhelpra me të bijat e saj që i ka marrë uria, sipas tij, përbëjnë një figurë të përbërë alegorike. Vreshti është një klishe ungjillore. Në ikonografinë e krishterimit të hershëm skena e aukaristisë përbëhet edhe nga figura e një pjergulle me rrush. Dhelpra është edhe një simbol dantesk lakmie (shih Purgatorin, Kënga XXXII, vargu 119). Arshi Pipa mendon se dhelpra përfaqëson të varfrit e uritur, se vajza që dashuron Milosao është një vajzë populli, por që kërkon të joshë djaloshin aristokrat me hiret e saj. Kështu kalohet në kuptimin e papritur dhe të dyzuar të vajzës që dashuron Milosaon. Një vështrim kaq i skajshëm nga studiuesi Pipa më duket i pavend. Por në fakt, figura e dhelprës që lëviz në vresht buron nga imazhi i Këngës së Këngëve dhe nuk mund të kërkojmë një alegori të sforcuar. Është më tepër një pamje tipologjike dhe simbolike e stinës. Kjo simbolikë nuk duhet shndërruar në një alegori të paramenduar. Ka simbolika që janë edhe alegorike. Por në rastin konkret, simbolika e dhelprave dhe bijave të saj nuk e ka sharmin alegorik, aq më tepër të përfaqësojë të dashurën e Milosaos në sens negativ, dhe të tërheqjes në një fat që nuk i dihet fundi. Kështu komenti i Pipës duhet riparë.

 

Meshari i Gjon Buzukut

Te “Kënga e Këngëve” (7,11,) kemi: (veni dilectemi, egrediamur in agrum / commoremun in villes – eja i dashuri im të shkojmë në fushë / të banojmë me kohë në katund). Janë disa vargje te “Milosao” që kanë këtë ide sa natyrore aq edhe bukolike. Edhe kjo përbën diçka arketipale që nuk mund të mohohet. Përsëri “Kënga e Këngëve” (5,2,) (ego dermio, et cor meun viglat – bie të fle por zemra ime është zgjuar). Ky varg i hatashëm dhe i papërsëritshëm është pikërisht te Kangjeli X i “Milosaos” në formën “Bie të fle, por gjumi s’më zë”. E kush mund ta mohojë dot këtë përkim? A është i rastësishëm ky përkim? Nuk është i rastësishëm. Te “Kënga e Këngëve” sërish (5,2,) quia caput meum plenum est rare / et cincinimi mei futis noctium – sepse plot vesë e kam kokën / kaçurrelat me pika nate). Këto vargje janë imituar nga De Rada kur flet për komitin që zgjohet nga gjumi prej vesës në agim, që kanë flokë vesën e natës. Përsëri te “Kënga e këngëve”( 6.10,) (Quae est ista quke progreditur / quassi aurora consurgens, / pulchra ut luna, alecta, ut sol, / terribilis ut castrorum acies ordinata – kush është ajo që ecën hijshëm, / si agimi kur nis të zbardhë, / e bukura si Hëna dhe e shkëlqyeshme si Dielli, / e tmerrshme si ushtria e vënë në rreshta për të luftuar?).

Është e pabesueshme, por edhe De Rada e ka një pasazh të ngjashëm për bukurinë e vajzës, e cila i shfaqet në përfytyrim pikërisht sipas këtij vizioni biblik, madje si një anije me luftëtarë plot flamuj që vjen nga deti për një triumf.

Po shtoj edhe diçka tjetër për strukturën. Shikoni strukturën e “Këngës së Këngëve”. Ajo përbëhet nga monologë poetikë, që kryqëzohen në formë dialogu midis të Fejuarit dhe të Fejuarës, ka ndërhyrje të korit, çka parakupton një gjenezë dramatike dhe jo vetëm kaq, por formën e një spektakli të muzikuar dhe të kënduar, por ka edhe shtojca dhe dy epigrame. Pak a shumë një imitim të tillë ka edhe struktura e “Milosaos”. Pra, thyerjen e rrëfimit linear. Mjeshtërinë e rrëfimit të kryqëzuar. Idenë se dialogu midis Djalit dhe Vajzës nuk është një dialog i mbyllur midis tyre. Se kori, mjedisi dhe gjithçka tjetër, madje edhe kozmogonia e yjeve, bukolizmi, stinët janë të ndërfutur dhe të ndërlidhur më të njëjtën strukturë rrëfimore, ku të gjitha bashkë qendërzohen për të krijuar kuptimshmërinë e rrëfimit. Pra, rrëfimi i ndërlikuar kulmohet në një pikë të ndritur ku mendja dhe shpirti krijojnë një këndellje dhe një shkëlqim të pamat.

Mund të zgjatesha edhe më hollësisht për të vërtetuar pse arketipi i “Këngës së Këngëve” ka ndikuar te De Rada. Rinia e tij e hershme është një rini që të kujton imagjinatën e asketëve dhe të martirëve të mëdhenj kishtarë. Vetë De Rada e nënvizon disa herë këtë gjë. Jeta atij iu shfaq si udha që ndahet në dy shtigje: në njërën anë shtegu i murgut të vetmuar, nga ana tjetër shtegu i poetit. Ai e ka vuajtur këtë dilemë për shumë kohë. De Rada në shumë aspekte të kujton jetën e përkorë dhe vizionare të Shën Françeskut, i cili kërkoi të rrëzonte pa asnjë kompromis kishën katolike të feudalizuar të Mesjetës, për ta rikthuar te kohërat apostolike pa hierarki, madje edhe pa teologji dinake dhe erudite të Jezu Krishtit. De Rada e ka njohur Biblën si një burim të madh letrar. Sepse Bibla është libri i madh i të gjithë kohërave në strukturimin letrar, të fuqisë imagjinatave, të simbologjisë dhe kuptimeve të panumërueshme dot. Bibla, thotë Jorge Luis Borgesi, është Libri i Librave më i çuditshëm i njerëzimit. Është gati e pashpjegueshme se si njerëzve u ka shkuar ndërmend të ndërlidhin dhe të katalogojnë gati 46 libra të shkruar në shekuj dhe në kohëra të ndryshme, për t’i paraqitur si një libër të vetëm.

Në kritikën letrare botërore flitet se si arketipet biblikë kanë ndikuar fuqishëm mbi shkrimtarët, poetët dhe artistët e të gjitha kombeve. Arketipët biblikë kanë vepruar që në fillim edhe në letërsinë shqipe. Jo rastësisht libri i parë shqip është “Meshari” i Gjon Buzukut, i cili është një paraqitje arketipale e fragmenteve biblikë të ritualizuar, për arsye liturgjike dhe publike. Poemat e stilit barok të Pjetër Budit janë tipologjikisht rrëfime arketipale biblike të ndërthurura me legjenda apokrife të krishtera. Një gjeni i letrave shqipe si Pjetër Bogdani, ka krijuar një kryevepër në shqip të strukturave arketipale biblike të prozës dhe të poezisë. Arketipali biblik janë edhe poezitë e tij të Sibilave, një cikël i paparë me një modernitet të brendshëm shumë të madh. Cikli i Sibilave parakupton traditat pagane të metamorfizuara në Krishterim, për të vërtetuar profecitë e stërlashta për triumfin e krishterimit në botë. Por të tëra këto struktura arketipale duke qenë edhe shqipërime ose përafërsime të teksteve biblike shpesh janë të strukturuara teologjikisht ose edhe historikisht. Tradita e tyre shekullore është e fuqishme, por jo përfundimtare. Kështu arrijmë në shekullin XIX deri te De Rada, i cili bën një shpikje të madhe, madje shpikjen më të madhe të letërsisë shqipe në të gjitha kohërat: De Rada shpik institucionin e letërsisë së mëvetëshme. De Rada shpik letërsinë e vërtetë moderne shqipe, që nuk ekzistonte përpara tij. nuk kishte se si të ekzistonte përpara tij. të tërë paraardhësit ishin madhështorë, të talentuar dhe eruditë. Ata artikuluan në shqip ide dhe rrëfime të qenësishme, shtruan problematika të thekshme të ekzistencës së Zotit dhe të njeriut, të tragjedive historike, të padrejtësive, por edhe të së ardhmes. Por gjuha e tyre e shkrimit është ende një gjuhë e universalizmit formal. Një gjuhë ku biblizmi është më tepër i të gjithëve se sa edhe i shqiptarëve në aspektin e krijimit etnik. Shkrimi i paraardhësve të De Radës është ai i një letërsie hibride. Letërsia hibride është një formë e krijimtarisë së poligrafëve. Letërsia hibride ka afërsi me formën e katekizmave, por edhe të traktateve, ka një raport kërkues, por asnjëherë shterues midis teologjisë dhe filozofisë, midis shpirtit të njeriut dhe hyjnitetit të Zotit. Një letërsi e tillë hibride është në krejt Europën. Ajo arriti edhe perfeksionin edhe formalizmin e saj në epokën e barokut Europian. Ajo është një letërsi baroke sepse është e ndërthurur. Ajo nuk është vetëm letërsi. Ajo mëton që të jetë gjithçka. Koncepti i letërsisë në këtë mënyrë më shumë se i mëvetshëm është i ndërvarur. Një karakteristikë e tillë është edhe për letërsinë shqipe deri te De Rada. Por, ja që vjen në këtë botë De Rada. Erdhi ai njeri që s’kishte ardhur kurrë më parë. Djaloshi De Radë krijoi “Milosaon” dhe ka ekskluzivitetin e papërsëritshëm më, të krijimit të letërsisë si letërsi. Të shkëputjes nga letërsia jo vetëm si letërsi ose jo si letërsi.

De Rada konstituoi institucionin e letërsisë shqipe me fuqi të mëdha të brendshme dhe të pakundërshtueshme. Ky djalosh i ndrojtur arbëresh befas u bë Baba. Sepse De Rada është Babai i Romantizmit Shqiptar. Ai e ka të shpallur urbi et orbi (qytetit dhe botës) atësinë e Prijetarit, e themeluesit të letërsisë së mirëfilltë shqipe të romantizmit shqiptar. Ky akt është kaq i madh dhe kaq i pashlyeshëm saqë duhet kuptuar duke i rrëshqitur sipërfaqeve të fjalëve, duke hyrë në thellësitë e mëdha semantike dhe për të krijuar përfundimisht atë suazë konceptuale të kuptimit gjenuin, të pastër dhe origjinal të letërsisë shqipe moderne. “Milosao” është Kënga e Këngëve të Letërsisë Moderne të Kombit Shqiptar. Shtjellimi krahasimor që bëra më sipër nuk duhet absolutizuar. Por, ky shtjellim krahasimor është i pazëvendësueshëm dhe është horizonthapës. Këtu ka një detaj që nuk duhet lënë mënjanë. Teoria e arketipave gjithsesi është një histori e studimit të formave. Ka diçka platoniane në këtë teori. Është një platonizëm i konceptualizuar. Por, teoria e arketipave nuk është shteruese. Arketipat janë forma universale. Ashtu siç janë vetë konceptet te njerëzit, te popujt pavarësisht ndryshueshmërisë së gjuhëve etnike dhe fonetike. Teoria e arketipave na rikthen mbrapsht në një cak fillestar: jo rastësisht te “Kënga e Këngëve”, e cila përbën një nga librat biblikë më të diskutueshëm dhe më të parapëlqyer në kohëra. Dihet që teologët e kanë komentuar skajshëm dashurinë e Djalit me Vajzën deri te raporti i konsakruar që Dhëndri është vetë Jezu Krishti, kurse Nusja është Kisha e Shenjtë. Dihet se te Gjoni 4.8 thuhet: Hyji është dashuria. A nuk është tërë lajtmotivi i “Këngës së Këngëve” shprehja solomonike se dashuria është më e fortë se sa vdekja? Në rastin e “Milosaos” së De Radës, arketipi biblik ka një përmbajtje të padyshimtë dhe të harlisur arbëreshe. Pra, kemi shqiptarizimin e një modeli për të krijuar kështu një binjakëzim të suksesshëm dhe të paharrueshëm dot. Për Milosaon e ka përgjërimin e dashurisë edhe si një kuptim të kërkuar të ekzistencës së jetës. Po të shikohet me kujdes dashuria te “Milosao” është një ekzistencializëm poetik, por edhe etik. Nëse dashuria është një mister, atëherë kjo dashuri nuk duhet t’u përmbahet rregullave. Por, kush i bën rregullat? A janë rregullat tokësore edhe rregullat e Zotit? A mund të ketë dashuri midis dy qenieve që i përkasin dy statuseve shoqërore të ndryshme? Përse është ndjenja e dashurisë? Ç’është kuptimi i bukurisë që sfidon paradokset? Ç’është dashuria si një strukturë e tërë njerëzimit? Ç’është raporti i Adamit me Evën për fillimin e botës? Teoritë moderne kryesisht frojdiste dhe neofrojdiste e shtrojnë dashurinë në një lojë instinktesh kafshërore duke e ngritur nënvetëdijen mbi vetëdijen. Në kohën e sotme postmoderniste teoritë e deformuara, kryesisht ato të ashtuquajtura të revolucionit seksual janë teori të destruktivimit dhe të shkatërrimit të njerëzores dhe të heqjes së kufijve moralë gati dhe gjinorë, apo edhe nëpërmjet sekseve në raportet seksuale. Kështu teoria e Bufosë mbi seksualitetin, kështu janë teoritë e pafundme gjysmë filozofike dhe gjysmë gjenetike për homoseksualitetin dhe lesbizmin. Kaq shumë teori të gënjeshtërta dhe paradoksale ka në raportin e aspekteve midis dy sekseve saqë duke u rikthyer edhe një herë te “Milosao” e De Radës ne mund të shohim ringritjen përherë edhe më lart të monumentit të dashurisë së vërtetë midis një djali dhe një vajze, të cilat kanë jo vetëm të drejtën e tyre për t’u lidhur me njëri-tjetrin pa u lidhur me paragjykimet dhe pengesat, por kanë së bashku ngjizjen dhe fuqizimin e dy shpirtrave në një, për të arritur diçka të pastër dhe universale për të harmonizuar ndjenjat tokësore me një kulturë universale hyjnore. Do të ishte tepër interesante që të rilexohej “Milosao” edhe në aspektin e teorive të sotme postmoderne seksuale. Sepse do të kishim një përballje por edhe krijim paradoksesh. Sepse dashuria deradiane është krijimi i një shëmbëlltyre të pakufishme të dashurisë për tërë letërsinë shqipe të mëvonshme dhe është gjithashtu një model humaniteti i pashembullt me një kumt të papërsëritshëm dhe të pabëshëm dot edhe për shqiptarët e shkalafitur dhe konfuzë të shekullit XXI. Edhe për delirantët seksualë të paskrupullt, tregtarët e prostitucionit apo të teorisë cinike që thotë se vlerat njerëzore mund të kthehen përfundimisht në vlera monetare. Dhe leximi i “Milosaos” nuk do të jetë thjesht një këndellje. Leximi i “Milosaos” do të jetë një qartësim. Moderniteti i “Milosaos” ka më shumë të ardhme, se modernistët e sotëm që nuk kanë asgjë humane.