Tintoretto, në art… “i furishmi” i shkollës së Rilindjes, në shpirt… dritimi vezëllues i njeriut të përkorë

Njeriu dhe piktori tek ai, ishin deri në fund një vullnesë e shenjtë. Gjenialiteti i trepenelëshit të Tintorettos, përmbushet me zemërbardhësinë dhe bujarinë që e hyjnizoi jetën dhe veprën të cilën ai e skaliti me përkushtim dhe pasion në memuarin e gjeneratave. Tintoretto pa asnjë mëdyshje i përket një plejade artistësh, veprimtaria krijuesve e të cilëve është një faqe shkëlqimtare e historisë së artit. Ashtu si në kumtin artistik edhe në jetë, Tintoretto mëton një filozofi ndryshe nga paraardhësit dhe pasardhësit e tij. Vetmia tek ai duket se ka mbërthyer me mister pjesëza të shumta që përbëjnë mozaikun e profilit artistik. Si një shëlbyes i hireve të krijuesit, shëmbëllen ai në krejtçka sendërton të gjithë rrugëtimin që bëri.

Mbamendja e kërshërisë artistike i ka të rralla përngjasime me të. Ai nuk ishte snob, anipse shumëçka që ai bëri si piktor dhe si njeri, bëhen për të qenë krejt tjetërçka, ngase vullnetlirë kishin shkruar paraardhësit dhe pasardhësit e tij. Tintoretto, pothuaj asnjëherë nuk u largua nga Venediku ku ushtroi krejt gamën e veprimtarisë së tij jetësore dhe krijuese. Kishte një admirim për të gjitha gjinitë e artit. Luante në lahutë dhe instrumente të ndryshme të kohës. Jo vetëm kaq, ai njihet dhe si shpikës i këtyre veglave, të cilat u përdorën në projektet teatrale të asohershme. Zotëronte gjithashtu dije në fushën e mekanikës dhe pajisjeve. Megjithëse ishte person i këndshëm dhe i admiruar, parapëlqente të ishte gjithnjë në shoqëri të vetvetes. Edhe kur nuk përfshihej në ndonjë shtjellë krijuese, thjeshtë kyçej në studion e tij të punës dhe përgjonte heshtjen, vetminë, pëshpërimat e gjithçkaje që e rrethonte. Rrallëherë ndonjë mik shumë i dashur për të mund ta thyente këtë normë tirane të vetmisë. Edhe kur punonte, emocionet dhe impresionet i ndante gjithnjë me veten. Përveç asistentëve të tij të afërt, askush tjetër nuk kishte fatin të njihej me hapat e punëve të tij. Megjithëse ishte i tepruar në fjalë të këndshme dhe hoka, rrallë vizatonte buzëqeshje në portretin e tij. Pak a shumë, ky ishte Tintoretto.

Tintoretto, (1518 – 31 Maj 1594).

Nofka të cilën ai mbajti dhe që mbetet si emri i tij i dytë i tij ishte Jacopo Comin. Tintoretto është një nga përfaqësuesit e njimendtë dhe nga më të spikaturit e shkollës së Rilindjes italiane. Energjia shpërthyese e këtij dimensioni estetik të penelit, ishte e ndryshtë për nga intensiteti dhe forca vërshuese e kumtit artistik. Kësodore, ai u quajt “i furishmi”, ngaqë edhe tempi i jetës artistike ishte i stuhishëm, rrapëllitës. Ndërsa hedhim vështrimin për nga tablotë e tij, ajo që percepton s’pariherë dhe që e ndjek si një fill të gjenerimit të energjisë dritëlëshuese të krijimit, ngasemi të ndalim hovin e të kundrojmë. Puna e tij karakterizohet nga figura muskuloze, gjeste dramatike dhe një popullim i personazheve të shumë, çka e bën tablonë e tij më të egër, më depërtuese në ndjesitë dhe instinkte. Përdorimi i spikatur i perspektivës në stilin manierist, padyshim që e veçon atë nga tradicionalja, nga zbatimi korrekt i normave dhe standardit. Ndërsa në vazhdën e krijimtarisë, Tintoretto ruajti ngjyrën dhe ndriçimin tipik të shkollës veneciane, të cilës ai i përkiste.

Më i madhi i 21 fëmijëve, piktori me një talent të lindur, u dërgua nga i ati në studion e Titianit, për të cilin thuhet se e përzuri vetëm pas dhjetë ditësh. Hamendje orvaten ta cilësojnë këtë dëbim si ndjenjë xhelozie e Titianit për Tintoretto, për “kërcënimin” e talentit të fuqishëm që e kërcënonte. Që prej asokohe, Tintoretto ngeli admirues i Titian, megjithë akullsinë e murit që ndante këtë njohje. Talentin shpërthyes të Tintorettos nuk do ta ndalte ky dëbim, përkundrazi, do t’i ndërsente edhe më egër admirimin për pikturën, do ta flakëronte më furishëm talentin e tij të pazakontë. Ai filloi të studionte vetë me zell dhe përkushtim të madh, ngadhnjyeshëm, ditë e natë, ndërsa koncepti i tij fisnik për artin dukej nga mbishkrimi që vendosi mbi studio “Vizatimi i Michelangelo dhe ngjyrat e Titian”. Një modesti që tejkalon jo vetëm kohën por dhe gjeneratat. Megjithëse në vështirësi ekonomike, ndihmoi pa pagesë Andrea Schiavone në piktura murale, tashmë të zhdukura prej kohësh. Pikturoi gjithashtu pa asnjë detyrim financiar muret e Shkollës së Madhe të San Rocco, duke xhindosur 4 mjeshtëra të asaj kohe të ftuar për të konkurruar për këtë projekt, përfshirë Paolo Veronese. Vazhdoi të bënte punë të tilla, duke pranuar çdo pagesë të mundshme nga porositësit, duke dëshmuar sakaq se ishte një artist i madh dhe një njeri me zemër të madhe. Paratë nuk ishin asgjë për të dhe ata kurrë nuk u bënë pengesë ose shtysë për atë që la në testamentin e artit botëror.

Te e vona bashkë me Veronese, realizuan disa prej monumenteve piktoreske nga më të shkëlqyerat në botë, megjithëse sot të degraduara. “Parajsa” e Tintoretto-s është piktura më e madhe realizuar ndonjëherë në kanavacë dhe konsiderohet kryevepër e pashoqe, ndërsa u mbijetoi tre shekujve mospërfillje.

Pagesa për “Parajsën” nuk ishte vendosur ende kur ajo kishte nisur, por Tintoretto u tha senatorëve se i ishte lutur Zotit që ta paguante pas vdekjes. Kur piktura përfundoi gjithë Venecia u mblodh ta duartrokiste dhe iu kërkua artistit të vendoste vetë pagesën, por ai ua la në dorë autoriteteve. Thuhet se shuma nuk ishte aq e madhe, megjithatë ai u ktheu një pjesë, “sepse nuk ishte aspak i babëzitur për pasuri”.

U sëmur, nuk fjeti e nuk futi gjë në gojë për dy javë, derisa u varros pranë vajzës së tij të preferuar, që vdiq 30 vjeç, portretin e së cilës e kishte realizuar zemërplagosur në çastin e saj të fundit. Vetë Marietta ishte një piktore portretesh e talentuar, si edhe muzikante, vokaliste e instrumentiste, por sot shumë pak punë të saj janë të njohura. Thuhet se kur ishte 15 vjeç ndihmonte babain në art e veshur si djalë. Nuk pranonte askënd në studio e rrallë qeshte, pavarësisht se i bënte të tjerët gjithmonë gazmorë. Gruaja e vet, e cila i vishte me zor një rrobë veneciane kur dilte jashtë, i fuste para në xhep, por ai i harxhonte të gjitha me të varfër e të burgosur. Mendimi i venedikasve ishte se ai përdorte tre penelë: një të artë, një të argjendtë dhe një të hekurt. Sebastiano del Piombo thoshte për të se mund të pikturonte në dy ditë aq sa ai vetë në dy vjet. Si portretizues quhet i paarritshëm. Një aspekt, dinamizmin e kompozimit, përdorimin dramatik të dritës dhe efektet perspektive të theksuara, Tintoretto duket si një piktor barok i parakohshëm. Do të mbetet një nga artistët që krenon njerëzimin me punën e jetën e vet. Gjurmët që skaliti në memorien e artit janë njiherësh dritimet më vezëllitëse të njeriut bujar, të një Zoti tokësor. Fatlum ishin ata njerëz që jetuan dhe punuan me të, ata që u bënë pjesë e shkrepëtimave të tij krijuese, ata që ndërmenden për të si për një gjeni të pazakonte, si për një njeri i pamodeltë.

Artikuj të ngjashëm