Lui Pastër, mikrobiologu i famshëm francez që shpëtoi jetë dhe u akuzua për betejë të pandershme me rivalët

Në çdo betejë, qoftë kjo edhe e mikrobiologjisë, lufta e ashpër e rivalitetit dhe synimi i kreshtës së panteonit ka implikuar edhe njerëz të shkencës të mbërrijnë synimet e tyre me çdo çmim, e pse jo edhe me ato të gjykuara më pas si jo të denja për personalitetin dhe integritetin e vetë individëve të përfshirë nga kjo valë egoizmi. Një ndër këto emra, mbi të cilët rëndon një mantel i errët dyshimi për implikim të mundshëm në manipulimin dhe trukimin e rezultateve kërkimore shkencore, ishte edhe Lui Pastër, një emër i madh i mikrobiologjisë, ai që ka meritën e shpëtimit të jetëve të kërcënuara nga vdekje e sigurt.  Edhe pse Pasteur bërë eksperimente novatore duke i dhënë një hov të fuqishëm mikrobiologjisë, reputacioni i tij mbeti i lidhur me polemika të ndryshme. Rivlerësimi i materialeve dhe fletoreve të shënimeve që la pas hedhin dritë mbi mundësinë e praktikimit të mashtrimeve për të sfiduar rivalët, thonë studiuesit. E vërtetë ose jo, emri i Lui Pastër u përfshi nga paragjykime dhe akuza, të cilat fare mirë mund të kenë qënë pa asnjë bazë, dashakeqe dhe të qëllimshme, për të errësuar diellin e famës së tij. Gjithsesi ende ky debat është i hapur dhe i diskutueshëm, edhe pse ajo që la Lui Pastër mbeten të themelta për shkencën e mjekësisë.

Të kuptuarit e sotëm të mikrobiologjisë vjen falë punës akumulative të mijëra mikrobiologëve kontributi i të cilëve shtrihet në mbi 300 vite, që ndikoi në avancimin e shkencës dhe mjekësisë. Teoria e gjenerimit të vetvetishëm të organizmave të gjallë nga “forca jetësore” në ajër u zhvlerësua njëherë e përfundimisht nga Lui Pastëri.

Lui Pastër u lind më 27 dhjetor 1822 në Marnes-la-Coquette dhe vdiq më 28 shtator 1895. Ai ishte një nga kimistët francez më të njohur, veprimtaria e të cilit është e dedikuar mikrobiologjisë. Eksperimentet e tij konfirmuan teorinë e shkaktimit të sëmundjeve nga mikrobet dhe krijoi vaksinën kundër sëmundjes së tërbimit. Gjithashtu u mor me zbulimin e metodave dizinfektuese nga ku del edhe metoda pasterizuese. Ai është renditur ndër tre më të mirët në fushën e bakteriologjisë bashkë me Ferdinand Cohn dhe Robert Koch. Ai bëri disa zbulime edhe në Kimi, shumicën prej tyre në asimetrinë e kristaleve. Pasteri po ashtu zbuloi jetën anaerobike (mundësinë e disa mikrobeve që të zhvilloheshin pa oksigjen). Ai pati 5 fëmijë 3 prej të cilëve vdiqën nga semundja e Tifos.

Lui Pastër arriti suksesin e tij të parë tek njerëzit në 1885 me vaksinimin e një fëmije 9-vjeçar, Joseph Meister, i cili u paraqit në laboratorin e tij në Ecole Normale në Rue d’Ulm, Paris. Fëmija vinte nga Alsace dhe kishte kafshime të shumta e të thella. Ai mori 13 injeksione të homogjenizuara nga palca e kockave të lepurit (një çdo ditë) dhe mbijetoi. Tre muaj më vonë, Pastër përsëriti eksperimentin tek një bari i ri, Jean-Baptiste Jupille, kafshuar rëndë nga një qen i tërbuar.

Rezultatet premtuese të trajtimit të tij kundër tërbimit tek njerëzit, Pastër i paraqiti në Akademinë e Shkencave në Francë më 26 tetor 1885. Që atëherë, pacientët me kafshime nga kafshë të tërbuara u dyndën në laboratorin e Pastër.

Punimi që Pastër prezantoi në 1 mars 1886 në Akademinë e Shkencave paraqiste rezultatet e vaksinimit në 350 njerëz, sipas tyre kishte rezultuar vetëm një dështim, pasi trajtimi ishte aplikuar vonë, kur virusi mund të kishte arritur në sistemin nervor. Disa muaj më vonë Pastër raportoi rezultatet e 726 vaksinimeve. Në takimin e paharrueshëm të datës 1 Mars 1886, Pastër shpalli se: “Profilaksia kundër tërbimit pas kafshimit është e justifikuar. Shkak ky, për krijimin e vaksinës kundër tërbimit”. Ai menjëherë bëri kërkesë për një fond ndërkombëtar. Falë suksesit kundër tërbimit të shtrirë në të gjithë botën dhurimet nuk vonuan. Si rezultat në 1887 erdhi krijimi i Institutit Pastër, dedikuar jo vetëm trajtimit kundër tërbimit por edhe studimeve shkencore të Pastër. Instituti Pastër hapi dyert në Nëntor 1888.

Biologu, mikrobiologu dhe kimisti, Lui Pastër, ishte drejtor i Institutit Pastër, themeluar në vitin 1887, deri në ndarjen nga jeta në moshën 70-vjeçare, më 28 shtator të vitit 1895. Trupi i i pajetë i mikrobiologut të famshëm u varros në një kasafortë nën institutit.

NGA JETA E MIKROBIOLOGUT TE FAMSHEM

**** Pastëri kishte ngarkuar një nga rojet e kolegjit që ta zgjonte çdo mëngjes në orën katër për të studiuar.

Roja shkonte çdo mëngjes për ta zgjuar dhe i thoshte:

– Përjashta, Zoti Pastër, duhet të hidhet tej demoni i dembelizmit. Po të mos zgjohej, roja kishte urdhër ta tundte dhe t’ia hiqte batanijet.

****Që të merrte diplomën Pastëri shkoi në Paris për t’u diplomuar në një pension të lagjes latine. Me qenë se kjo dosje kishte nam të keq për jetën e shthurrur që bënin studentët, prindërit, veçanërisht e ëma, u shqetësuan shumë.

Pastëri i qetësoi duke u thënë:

– Kur ka gjak nën thonjtë, këtu lejohet me zemër të pastër dhe të drejtë si në çdo vend tjetër. Le të ndërrojë shtëpi ai që nuk di ç`është vullneti.

**** Mjeku i shquar Klaudio Bernard të cilit i shërbente Pastëri, po ankohej një herë se askush nuk jepte gjak.

– Dikur gjaku rridhte rrëke nëpër spitale. Tashti nuk mund të gjesh një pikë gjaku, edhe sikur ta paguash sa frëngu pulën. Pardie më duhej pak gjak për eksperiment në laborator dhe nuk di çfarë do të kisha bërë sikur të mos më kishte dhënë asistenti im, Pastëri, që më gëzoi aq shumë. Për mua sakrifica e tij ishte shumë e madhe, kurse ai m’u përgjigj: “Oh, jo, doktor! Unë do të jap gjithnjë gjak dhe me gjakun tim do të ujit lulet e kopshtit”.

****Pastëri ende i ri, dhe pothuaj i panjohur, megjithëse kishte bërë disa zbulime të rëndësishme, u martua me të bijën e një profesori të Strasburgut, ku ai jepte mësim. Kjo ishte një martesë e lumtur.

Shumë vjet më vonë një prej nxënësve të tij thoshte:

– Zonja Pastër e donte burrin e saj deri në atë pikë sa ta kuptonte vlerën e punës së tij.

****Kur Pastëri mësoi për tmerret që kishin bërë gjermanët gjatë pushtimit të territorit francez në kohën e luftës franko-prusiane i dërgoi fakultetit të universitetit të Bonit pergamenin, me të cilin e kishin bërë disa vjet më parë doktor “homoris Cause” në mjekësi. Bashkë me të dërgoi edhe një letër ku thuhej:

“Në qoftë se shkenca nuk ka atdhe, shkencëtari ka vetëm një”.

**** Në kohën e pushtimit prusian të Francës shkencëtarët italianë i ofruan Pastërit strehim në Milano, ku do t’i gjenin edhe një katedër kimie me të githa pajisjet laboratorike.

Pastëri nuk e pranoi ftesën duke thënë: “Do të më dukej se do të bëja një krim po të meritoja dënimin e dezertorit dhe të braktisja atdheun tim në çastin e fatkeqësisë, për të kërkuar diku tjetër një trajtim që atdheu im nuk mund të më bëjë sepse ka rënë në fatkeqësi.”

**** Një shoqëri i ofroi një milion franga Pastërit për monopolin e vaksinës së kafshëve. Ai nuk pranoi.

– Kjo vaksinë është një dhuratë që dua t’ua jap të gjithë bujqve. I dituri nuk ka tjetër vlerësim më të madh, veç atij që të zbulojë të vërtetën.

****Pastëri u ftua në oborrin e Napoleonit III që të mbante një konferencë për qarkullimin e gjakut. Meqenëse i duhej pak gjak që ta vërente në mikroskop, princesha Evgjeni shpoi gishtin për ti dhënë gjak.

Pastëri, ashtu i përqëndruar në demostrimin e tij, i tha se parapëlqente gjakun e bretkosës.

Të nesërmen sollën në dhomën e tij një thes me bretkosa të gjalla. Pastëri, ashtu i hutuar siç ishte, u largua dhe i harroi bretkosat në dhomë. Dhomën e tij të nesërmen e mori një princeshë e re e huaj. Në mes të natës ajo u zgjua nga një zhurmë e çuditshme, ndezi dritën dhe menjëherë uluriu. Shërbëtorja u ngrit menjëherë shkoi në dhomë dhe e gjeti princeshën të tmerruar në mes bretkocave që hidheshin përpjetë nga të gjitha anët.

**** Napoleoni III e pyeti njëherë Pastërin se pse nuk i kishte shfrytëzuar për fitime të mëdha zbulimet e tij, të cilat i kishin bërë të pasura krahina të tëra. Pastëri iu përgjigj me krenari:

– Sepse për ne shkencëtarët do të ishte një gjë shumë e pandershme.

Artikuj të ngjashëm