Jozef Radi i përgjigjet “Pyetësorit të Prustit”: Heronjtë e mi të vërtetë në jetën e vërtetë, janë ata që luftojnë për të vërtetën

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poeti Jozef Radi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Simbas meje nuk ekziston lumturia, e përkryera lumturisë është fantazi përrallash! Ekzistojnë vetëm gëzimet e vogla të jetës, dendësia e të cilave nganjëherë na krijon idenë e lumturisë.

Cila është frika juaj më e madhe?
Zakonisht nuk kam frikë. Po, nëse i frikem diçkaje: kjo është injoranca!

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Më së shumti admiroj një grua 105 vjeçare, Nënë Sava Kuqeshin, të cilën e sollën 48 vjeçe në një kamp internimi së bashku me 8 fëmijë, dhe ajo jeton ende sot e kësaj dite aty. Një shpërfillëse e madhe e vuajtjeve dhe kohrave!

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Shtjefën Gjeçovi!

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Bindja se kam gjithmonë të drejtë!

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Trushpërlarja! Sepse të xhvesh nga çdo dëshirë komunikimi!

Në cilat gjëra e teproni?
Zakonisht, nuk e teproj në asgjë. Bile nëse frikem prej diçkaje, do të thoja: nga teprimi!

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Zakonisht nuk ia jap vetes privilegjin e gënjeshtrës…! Nëse gënjej ndodh prej kurreshtjes së tepruar të tjetrit, apo në ndonjë rrethanë kur gënjeshtra të shpëton jo vetëm ty po edhe atë që gënjehet…

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Të udhëtuarit me tren. Treni për mua është mënyra më e mrekullueshme e të rrugëtuarit. Ëndërroj të rrugëtoj më tren për një muaj, pa ndërprerje nga një skaj i Europës në tjetrin!

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Dëgjo këtu… ose Na trego ndonjë gjë të bukur! apo Unë mendoj…

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Më vjen shumë keq që s’kam mundur ta bëj atë që mund të bëja. Pse kam besuar se mund të bëja shumë më tepër, po të kisha jetuar si njeri i lirë. Megjithatë, nuk jam penduar për asgjë në jetë që kam bërë! Absolutisht për asgjë.

Ç’ka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Dashuria më e madhe e jetës sime?! Pak vështirë të përgjigjem. Unë kam dashuri të vogla, shumë dashuri të vogla, që ma mbushin ditën… Gjithnjë e më shumë e gjej veten si shumatore dashurish të vogla. “Sepse ku ka një dashuri të madhe, ka edhe një çmenduri të madhe…!” – thotë një i madh!

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Hahahaha… Pse e mundet njeriu t’i japë vetes një përcaktim korrekt të kësaj gjendjeje. Unë besoj, se ende më dominon arsyeja…

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Do të doja të isha ca më i vullnetshëm dhe më këmbëngulës në qëllimet e mia!

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Ndoshta kësaj pyetje do të më duhet t’i përgjigjem në vitet që vijnë. Më lejoni ta quaj këtë pyetje të parakohshme!

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Kohën nuk mund ta kthejmë, por koha mund të rikthehet. Nëse do të më duhej të ndryshoja diçka në kohën në të cilën kam jetuar… kjo do të ishte Diktatura! Kam jetuar një kohë të pajetueshme, tiranike, mashtruese dhe kriminale. Do ta ndryshoja atë kohë në emër të Njeriut, të Lirisë dhe së Vërtetës!

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Nëse do të varej nga unë rikthimi, do të doja të isha një Sokrat, si send nuk di ç’të them, një shishe me ujë në shkretëtirë!

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Gjëja më e shtrenjtë që posedoj është vetja ime.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Mjerimin më të madh (e) konsideroj trimërimin e gjithë atyre që e kanë të shkruar midis ballit krimin!

Ku do të dëshironit të jetonit?
Do të dëshiroja të jetoja në një shtëpizë mes një pylli… me dikë që të ma bënte pyllin qytet!

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Cilësia ime më e veçantë, është aftësia për ta parë nji problem njiherësh nga disa pikëvështrime…

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Një mashkull, sipas meje është një krijesë obsesive. Ndoshta duhet të ishte pyetja për një burrë!?

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Idem! Një femër, sipas meje është një krijesë obsesive. Nëse fjala do të ishte për një grua do të thoja: shpirtin e sakrificës në përtëritjen e jetës!

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Nuk kam pasur kurrë një shkrimtar të preferuar, kam pasur shumë… Po nëse më kërkohet një dhe i vetëm do të thoja: Hygoi!

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Heronjtë e mi të vërtetë në jetën e vërtetë, janë ata që luftojnë për të vërtetën!

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Do të kisha dashur shumë të kisha qenë një piktor i mirë!

Si do të dëshironit të vdisnit?
Pak, o aspak e mendoj vdekjen. Po, me që është njëpyetje e tillë, vdekjen do ta dëshiroja pa asnjë lajmërim prej saj!

Cila është motoja juaj?
Nëse s’e bën dot gjithë ç’ka mendove, ka ditë edhe nesër!/Gazeta Observer

Artikuj të ngjashëm