Dalta e Giovanni Bernini, shokuese, shastisëse, pikëlluese, e trishtë, e gjallë, e ftohtë, ngjethëse, përshkuese

shokues!
NDERMENDJE SOT NE DITELINDJEN E TIJ

Ja mrekullia që ngjiz pasionin me tharmin e yjeve. Nuk ka anjë cak ku nuk mund të mbërrij ai shpirt që duke i qenë mirënjohës jetës, krijuesit, zgjon nga thellësitë e universit të njeriut, atë që e shnërron atë në Zot.
Shokuese, shastisëse, pikëlluese, e trishtë, e gjallë, e ftohtë, ngjethëse, përshkuese… pafund fjalë i nderen kësaj gjëndje që të përpinë për të të shpërbërë në mijëra grimca ndjesishë që shndrisin tëksa shpërndahen gjithandej si thërmija të një eksplodimi fryme të ngurtësuar.
Nuk ka një foto që mund të të godasë kaq fuqishëm, sa kjo punë e mjeshtit të madh italian Giovanni Bernini. Asnjë penel nuk e ka tejçuar më parë, e më pas vështrimin nën cohën e hollë, sa ç’ka mundur ai, ai i jashtëzakonshmi Giovanni Bernini ta bëjë me daltë. Është një gjallje në mermer. Është një zjarr shpërbërës që vjen prej këtij shkëmbi të ftohtë, kësaj mjeshtërie që s’ka shoq, këtij krijimi që të ndalon frymën.
Bernini ishte një mjeshtër i pabesueshëm i zanatit të tij, ishte ai që si pakkush arriti të jetësonte në shkëmb gjëndje dhe situata, të të shpojë kaq pamëshirshëm me ushta zjarri dhe akulli. Një pasion që i jep pavdekësinë një gjëndje kapitëse, një dhimbje rrënuese, një pikëllimi gërryes, dhe e bën këtë përmes një mjeshtërie që vetëm një Zot në qiell dhe një Bernin në tokë munden ta shndërrojnë në vepër atë që përfytyron një mëndje dhe e kthen në një reale kaq të gjallë një mjeshtëri hyjnore.
Giovanni Bernini (7 Dhjetor 1598 – 28 Nëntor 1680) ishte artist italian, skulptori më i madh i kohës së vet dhe arkitekt i spikatur. Për më tepër, ai pikturoi, shkroi, luajti muzikë e dizenjoi punime metalike e skena.
Student i skulpturës Klasike, ai zotëroi aftësinë unike të kapte në mermer thelbin e çastit narrativ me një realizëm natyral e dramatik, që është shokues. Kjo e bën pasardhës të padiskutueshëm të Michelangelo dhe e ngre shumë më lart se të gjithë skulptorët e brezit të vet.