Ishte viti 1893, kur Edvard Munch filloi të punonte për “Britmën”, emblema e korpusit të tij krijues. Kësodore ajo do të mëtohej si një autoportret përshkrimor i një përjetimi që zë fill atëherën që ai kjartëson: “Unë po ecja rrugës me dy miq, ndërkohë që dielli po perëndonte e qielli papritmas u bë i kuq, si të kish marrë ngjyrën e gjakut. Për një çast ndala dhe i kapitur, u mbështeta në parvazin e urës ku po kalonim. Pastaj, hodha sytë drejt fjordit i cili ish mbuluar me një ngjyrë të zezë në blu e më tutje, pashë qytetin e flakëruar si të përmbytur në gjak, përpirë nga gjuhë të shumta zjarresh. Miqtë e mi vazhduan rrugën, ndërkohë që unë vazhdoja të dridhesha prej ankthit që më kish pushtuar dhe, ishte pikërisht në atë çast që bota rreth meje, u shpua tejpërtej nga një klithmë pambarim”. Kësisoj hodhi rrënjë për tu shndërruar në një bimë e përbindshme “Klithma”, shtati dhe hija e së cilës fillëron mëdyshjen e njeriut modern, të vetvetishmen e asaj trajte të trazuar dhe atij shpirti që liria e kredh pamëshirshëm në bashkëjetim me fatin e keq dhe kacafytjen dhëmb për dhëmb më të tashmën e tij.
Edvard Munch e lëshoj atë “Klithmë” duke nxjerr s’brendshmi vetes terrin dhe helmin, ankthin dhë tragjizmin, frikën dhe kushtrimin. U skalit në shkëmb dhe hyri në përmendore, për të mbetur ndërkohja e tij në të gjithmonshmen e unit tonë të trazuar.
“The scream” e njohur ndryshe si britma, është një nga veprat me te njohura te Edvard Munch. Britma është një figure e frikshme, e fokusuar kryesisht ne qendër te figurës. Koka e figurës se frikshme arrin ne pothuajse gjysmepiken e pikturës. Ai ka një trup te gjate te përdredhur, me disa detaje minimale qe shtrihen nga qendra e deri ne fund, me ne krye një kafke qe ngjan si koke. Ndodh kështu sepse duket si një koke e paqarte, me vrima hunde te përpunuara, me sy te shndritshëm dhe me goje te hapur ne një britshme te heshtur. Gjithashtu me kaq pak detaje është e pamundur qe te përcaktohet edhe gjinia e personit. Rruga ku ndodhet personi është e drunjte ndoshata ure qe është e pozicionuar nga e djathta e deri ne mes te figurës.
Kur veten e lëmë të përzihet në shtjellën e pasioneve të unit, pjesë prej saj copëzohen, ndërsa ajo përpihet e tëra në këtë lëndë të errët e kudërbuese. Sakaq e gjejmë copëza prej nesh të hedhur në një humbëtirë, trajtash dhe ngjyresash të përçudme. Hetojmë se pakgjë ka mbetur ndër ne, si kreatur mishi dhe shpirti. Anipse një yshtje na zbon me ngulm për të davaritur këtë realitet absurd, pakgjë pranon të bindet në rrugën e kthimit. Pendesa, si një vetëdije e epërme e virtytit, nis e na gërryen. Rrëzohemi nën peshën e rëndë që kemi hedhur mbi supe. Hiqemi zvarrë.
Ngulim gjunjtë në dyshemenë e pamundësisë dhe altaret na shpërbehen, duke rikthyer pamundësinë për të besuar në diçka që thërret së brendshmi për ndihmë. Vetvetja na bëhet gjithnjë e më e huaj në këtë grumbull mishi dhe balte që na është ngjitur nga pas dhe na përndjek si një hije. Provojmë të ngrihemi, por përbrenda një bosh i thellë na rëndon. Sakaq ngasemi të përshkohemi prej një britme, si prej një vullnese për besim, përmasat e së cilës gjasen të kapërthejnë gjithë perimetrin e dritshikimit të pamjes, në thellësi dhe gjerësi. Nevoja për të matur hovin e dalldisë sonë, që na buron së brendshmi, me eterin që gjallon nëpër ngulme dhe ethet e ngjitjes te Hyu, mbetet një akt mbinjeriu. Sakaq, në qasjen për ta mbështetur këtë ngulm në përfytyrime, rrëmojmë në përvoja dhe kumte. Kësisoj është “Britma” e Edvard Munch, ajo e cila na formëzohet si një britmë nga më ngjethëset e pikturës, dhe njiherash një nga britmat që vazhdon të tkurrë pëlhurën e shakadame të pafundësisë, duke e kthyer atë në një grusht trishtimi.
Britma e sejcilit prej nesh i ngjan kësaj britme. Edhe vetë heshtja, pas hekurave të së cilës gjejmë të kyçur vullnetet tona të njeriut të lirë, çliron një të tillë britmë. Është ajo, britma, e cila mëton forcën e shkarkesës së asaj brendie boshe që duke na përzënë me honin e vet, ngulmon të na rikthejë prej rrugës së arratisë yshtjen e pasioneve që mban veten tonë në kallepin e shtatores që parakalon. Me sa hon brenda nesh ka strukur mëdyshja e gjanave të nalta, i’a japim britmës. Me forcë, me forcë.