Letër nanës, t’shtrenjtës shéjtneshë qi shndrin n’Dritën e Parajsës

Nanë!

E shtrenjta, shéjtneshë si tana nanat!

Po du me t’i than sod njato fjalë qi s’mujta me t’i ba mylmesë ndejeve e kuvendeve, gojimeve e ndigjesave tueja.

Po due me t’i thanë sod, si i xanun n’faj, si tue dashtë me shlye nji mëkat. Ma shumë se nji çlirim prej brengave asht nji pëshpërimë qi rr’zohet prej thellë brenda meje e merr udhë kah ti, atje në dritën e shejtnisë së Parajsës.

Edhe nëse Parajsa nuk asht gja tjetër, veçse një trill, në mue mundet me mbetë nji reale e Hyjtë, nji botë e cila meriton jetën tande t’pasosun.

Nanë… na e ban hallall gjinin tand!

Bekimin e emrit tand nanë, na e len shëlbim për shpirtin!

Ndoshta nuk munda me kenë njaq i mirë sa duhej e sa e meritove, por përpjekja jeme, e jona, ishte dhe mbeti për ne gjithçka qi patëm e tanë çka e dhamë pa kursim në të gjallit tand. Tash në këtë zbrazëti mungimi, dhimbja rreket me mbushë njat boshllëk qi la ikja jote e me përtrî njat’ lëndim qi bani dhimbja e kësaj ndamje prej teje, nanë!

Sod pas kaq ditësh, sod në këtë ditë, detyrës për mirënjohje të tanë njatyne qi na mungojnë, ndoshta do të më duhet me bindë veden teme se ti nuk je ma. Edhe pse e kërkoj pranin tande kudo ku jeta jote ecte njashtu e heshtun, kur e përditshmja e pranisë tande notonte si ajër në njat copë botë qi kishte mbetë me pranue t’mbramet ditët tueja.

Nanë?!

Rrekem të thërras dhe jehona e kësaj thirrjeje oshëtinë brenda meje si një bubullimë e një moti të m’nershëm, e qielli t’mbarsun prej zemëratës. Fjala më rrëzohet në buzë, aty ku më shkasin lot e më kafshon bash fort nji dhimbje illnake. Ngulmoj të të lyp gjithandej n’ajrin dhe gjendjet, qi mbeten t’ngrime atë ditë kur shkulmi i shpirtit tand e dorëzoi frymën e fundit.

Ti ke ikë si nji nanë, si nji shenjtore, për me lanë mbas… kaq shumë dhimbje dhe kujtime, t’cilat jetojnë në ne, si pjesa e mungueme e atyne ditëve, e atyne viteve, qi ikja nuk i kthen ma.

Sod, përpiqem t’ribaj gjithçkanë e atyne momenteve qi më mbajnë lidhun me ty dhe më ndajnë dhunshëm prej teje.

Nanë?!

Të lashë njat’ ditë fundqershori, (30 qershor 2017) si çdo tjetërditë, ashtu t’derdhun në statujën e ujtë të asaj gjendjeje t’prarume, në të cilën kridheshe si një shenjtore në tablonë e një pikture. U largova duke marrë përshëndetjen tande qi gërmëzohej përmes nji zani t’hangun e shikimeve të t’groposuna thellë.

Pamjaftueshmëria e zemrës tënde të drobitun nga maraku i nanës, nga vragët e jetës, nga zemërthymjet, shtrëngonte gjoksin tand të shterrun dhe zoritte frymëmarrjen tande t’pakët. Asnji mjek, asnji ilaç, asnji derman s’mujti me e ba zap keqësimin e shëndetin tand, qi sa vite e randohej, duke e degdisun në nji situatë të pashpresë.

Te tanë u dorëzuem. Vetëm dëshira jote për me jetue, zemra e nanës me rrahë, syni jot me t’pa, dora jote me t’lmue kryet, shpirti jot me dhanë dashuni pafund… ishin njata qi ndesheshin dhamb për dhamb me vdekjen, deri në at’orë të asaj mbasditeje qi shpirti jot s’mujti me durue ma dhe vendosi me u dorëzue, u dha tue u shndërrue n’flutur, e fryma jote u kput tue t’shkrehë pa jetë si nji lule qi pikllon me trishtimin e vet.

Atë ditë, si përditë, ika dhe t’lashë tue numërue frymëmarrjet e zorshme e trokun, e molisun t’zemrës dhe u ktheva… u ktheva kur tançka jotja kishte sosë, ishe shue. T’gjeta njashtu t’mermertë, t’bardhë borë e t’ftohtë akull. E njoma me lot dhe puthje dorën tande t’shterrun, por ajo e kishte t’pamundun të kridhej ndër flokët e mi, të mëkonte njat vetvedi t’shenjtnueme prej t’mirës, qi e mëkove nj’aq shumë.

Ishe fikun për me vu zjarmin dhimbjeve, njatyne dhimbje qi na përpijnë e na ndezin, na ndrijnë e na përtrijnë njat’ jetë qi n’ndamjen me t’shtrejtit tonë na mëson se sa t’shtrenjta janë fjala e mirë, falja e pendimi, se sa t’çmueme e lehtësuese për shpirtin mbesin shërbesa dhe kujdesi për gjithkend, por ma së shumti për prindërit.

Në dhomën ku vërtiteshin fjalët tueja t’fundit, t’shndrrimit tand, gjithçka asht ma e zbehtë, çdo gja… Heshtja ka nis me e grrye tue e pakë, deri n’asgjësim. Në atë dhomë ku ndejte, në atë dhomë ku erreshe dhe zbardhshe natat e copëzueme t’gjumit e t’mushuna me rënkimet tueja ankimtare, tanë çka ruan përfytyrimin tand, në çdo gja reflekton drita e shndritjes tande.

Ike nji grusht mish dhe eshtna tue na lanë nji mal me dhimbje e kujtime që e njomim me lot dhe e mylmejnë me dihamë çdo ditë e dritë tonën qi t’kthen ty.

Vuejmë nanë barrën e këtij mungimi qi sa vjen e randon ma shumë, sepse e beftë ishte ikja jote, njiherash aq tinzare, sa edhe e pamjaftueshme asht tue kenë pranimi i nji ndamjeje me ty.

Nanë?!

More at’ udhë pa kthim, tue pranu me iu dhanë vdekjes edhe pse jeta s’kishte sosë hala rrugën tande t’mundimshme, por t’përkorë, si t’nji nane t’përkushtueme, si t’nji shejtneshe qi lypë shpirtna me shëlbye dhe qiell me fluturue.

Qaj nan zá… dhe me njata lot qi lypin me u strukë e dihamë me u trucë, mundohem me mujtë me njit’ copëzat e thyeme t’atyne pasqyrimeve qi m’bajnë me faj, njatyne andjeve qi t’mbeten veç andrra, e varr po m’mbesin n’shpirt.

U përpjeka t’baj gjithçka muejta për ty, por tançka bana, me tanë zemër ishte e pamjaftushme…

Ike pa e pa shtatoren tande t’mirënjohjes dhe respektit qi ishte rritun prej gjithë asaj mirësie e zemërbardhësie, me t’cilën, me mundim mbushi ditën dhe jetën tande.

Ike nanë, duke na lanë jetimë, duke na hedhun tej në honin e atij mungimi, në boshin e t’cillit rrekena t’ribajmë përfytyrimin tand, atë engjëllore t’rrethueme prej njasaj breroreje drite qi t’shndrron në yll.

Hapi yt i lehtë dhe i munduem, hala edhe sod çapitet n’oborrin e shpisë si përshpërimë fjalësh të pathanuna dhe fëshfërimë gjethesh lodërtare qi mnershëm i shkyen era prej degësh qi i janë lshue dorzanë vjeshtës.

Porta qi hapje çdo nadje dhe e kyçje çdo aksham, ka lan’ t’pezullt në ajrin që peshon rreth e qark, atë kërcitje të fundit prej metali, e cila nuk mundi me t’u vû nga mbas në ikjen tande të lehtë e paqsore.

Në atë prag ka mbetun e nderûn dora jote e vogël përshëndetëse dhe sytë e groposun thellë në kafkë qi na ledhnin me amëlci e merak nane.

Një thînjë e flokëve të tu prej bore ka mbetë n’krahnin tand si një fijëz drite tue shndritë atë ditë e sod…

Ti ke ikë, por gjithçka e jotja asht këtu. Tek te tanë na qi jena t’bekuem prej shëlbimit tand, prej shejtnimit t’nanës.

Çdo nanë asht nji shenjtore dhe çdo shenjtore asht nji nanë qi shenjtnon tokësoren tonë dhe tanden. E shtrenjta dhe e shénjta nana jeme…

Artikuj të ngjashëm